Deputetët dështojnë ta konstituojnë Kuvendin sipas afatit të Kushtetueses

Aktuale

Deputetët dështojnë ta konstituojnë Kuvendin sipas afatit të Kushtetueses

Më: 26 korrik 2025 Në ora: 07:28 Përditësuar në ora: 14:15 më 26.07.2025
Kuvendi i Kosovës

​Bogujevci: Presim që deputetët do të votojnë

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Saranda Bogujevci është deklaruar para fillimit të seancës konstituive.

Sot është dita e fundit e afatit të caktuar nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa nga nesër fillon së zbatuari masa që ndalon çdo veprim me drejtim të konstituimit deri më datën 8 gusht.

Bogujveci tha para mediave se “presim që deputetët të votojnë”.

Bogujevci: Ta shohim se si do të veprohet sot

“Ta shohim si do të veprohet sot, ta shohim se si do të jetë rezultati sot, presim që deputetët do të votojnë edhe mandej flasim tutje”, deklaroi ajo. 

Limaj pesimist se mund të ketë ndryshim të situatës sot në Kuvend

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, tha se nuk pret se do të ketë ndonjë ndryshim në seancën e sotme konstituive.

“Jo, nuk besoj që ka ndonjë ndryshim. Besoj se do të presim vendimin e Gjykatës. Nuk po shoh ndonjë mundësi të ndonjë ndryshimi sot”, deklaroi Limaj para gazetarëve në hollin e Kuvendit.

Sot pritet të mbahet vazhdimi i 53-të i seancës konstituive të Kuvendit. 

Kadrijaj: Kurti po e mban peng vendin, sepse nuk i ka votat

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka deklaruar para seancës së sotme konstituive të Kuvendit se vendi po mbahet peng tash e gjashtë muaj nga Kryeministri Albin Kurti dhe partia e tij.

“Po shihet se Albin Kurti po e mban peng vendin tash e 6 muaj.

Është hera e parë, prej se jam deputete, që nuk kemi asnjë informacion. E kemi ditur se, nëse nuk ndodh sot, do të ndodhë nesër, por kjo zvarritje për komisionin e fshehtë dhe kandidatura e Albulena Haxhiut është dëshmi se ai nuk i ka votat.

Nëse Vetëvendosje nuk ka arritur ta sigurojë shumicën e thjeshtë për gjashtë muaj me radhë, atëherë duhet të tërhiqen.”

Zemaj: Kryeneçësia e LVV-së për pushtet absolut, po i kushton Kosovës

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka folur për mediat para hyrjes në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës, për të marrë pjesë në vazhdimin e 53 të seancës konstituive.

Ai theksoi se kokëfortësia e Lëvizjes Vetëvendosje për të pasur pushtet absolut po i kushton tërë Kosovës.

“Kryeneçësia e LVV-së për të qenë në një pushtet absolut po i kushton Kosovës, dhe sot jemi në muajin e pestë të moskonstituimit të Kuvendit. Sot është dita e fundit deri në përfundimin e masës së përkohshme, të datës 8 gusht”, tha Zemaj.

Sipas tij, duhet shfrytëzuar çdo moment për të themeluar institucionet.

Megjithatë, ai tha se nuk pret që “me këtë logjikë dhe bllokadë nga LVV, nuk pres se do të ketë diçka edhe pas dy jave”.

LDK, tha ai, voton mbi bazën e marrëveshjes politike dhe mbi bazë të gjykimit të tyre nëse kërkohet që ata të jenë vendimmarrësit apo pjesëmarrësit në vendimmarrje për të krijuar instucionet e reja.

“20 deputetët janë koshientë edhe ndaj veprimeve, por edhe ndaj vendimeve të kryesisë së LDK-së dhe Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së”, deklaroi Zemaj.

Murati: S’është problem sigurimi i votave për të kaluar ngërçin, duhet vetëm vullnet politik

Ministri i Financave në detyrë, Hekuran Murati para seancës së 53-të konstituive, tha se me patjetër duhet të formohen institucionet e vendit.

Ai thotë se deri më tani kanë 57 vota, derisa shton se me votat e Nismës, bëhen 60.

“Jemi shumë ar 61-ishit, me votat e Veton Berishës dhe Duda Balje bëhemi 62, me votën e Lutfi Hazirit që ka thënë do bëhem i 61-ti bëhemi 63, e madje edhe me votën e Bekë Berishës bëhemi 64.

Pra, nuk është problem që të jenë dhe të sigurohen votat për të kaluar këtë ngërç, por duhet vullnet politik”, u shpreh ai.

Edhe një përpjekje e fundit për konstituimin e Kuvendit

Deputetët e zgjedhur të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot në orën 14:00 për herë të fundit në kuadër të seancave të shumta konstituive, përpara se të mbyllet afati 30-ditor i vendosur nga Gjykata Kushtetuese.

Në vendimin e saj më 26 qershor, Kushtetuesja urdhëroi që brenda afatit prej 30 ditësh të përfundojë procesi i konstituimit, përfshirë zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendi.

Nëse konstituimi i Kuvendit nuk bëhet as sot, në përpjekjen e 53-të, deputetët nuk do të mund të marrin asnjë vendim apo veprim në drejtim të konstituimit të Kuvendit.

Kjo pasi që një vendim i Gjykatës Kushtetuese, i publikuar në orët e vona të 24 korrikut, vendosi ex officio masë të përkohshme nga 27 korriku deri më 8 gusht.

Organizatat joqeveritare në Kosovë, pak orë para nisjes së seancës, u bënë thirrje deputetëve që ta shfrytëzojnë këtë mundësi të fundit për ta konstituuar Kuvendin.

"Dalja nga kjo krizë është ende e mundur, por kërkon vullnet dhe lidership politik. Partitë politike duhet të intensifikojnë përpjekjet për arritjen e konsensusit përmes kompromisit dhe bashkëpunimit", thuhet në reagimin e Institutit Demokratik të Kosovës (KDI).

Në reagim tutje thuhet se hapi i radhës duhet të jetë kthimi në votimin e hapur dhe se edhe një dështim tjetër "do të thellonte krizën aktuale dhe do të prodhonte pasoja të rënda politike, shoqërore dhe ekonomike për vendin".

Në arsyetim, Gjykata tha se nëse nuk do të vendosej masa e përkohshme ex officio ndaj vendimeve dhe veprimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës pas datës 26 korrik 2025, çdo vendim dhe veprim i ndërmarrë pas kësaj date deri në vendimmarrjen e Gjykatës lidhur me kërkesat "mund të shkaktojë dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin e institucioneve kyç në Republikën e Kosovës".

Gjykata e mbështeti vendosjen e masës në atë se për çështjen e konstituimit ka dy lëndë në shqyrtim, atë të paraqitur nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Që nga fillimi më 15 prill e deri të premten, Kuvendi është mbledhur në 52 përpjekje për ta zgjedhur kryetarin, pa arritur shumicën prej së paku 61 votave.

Lëvizja Vetëvendosje – fituese e zgjedhjeve – e ka të drejtën ekskluzive të propozimit të kandidatit për kryeparlamentar, por e zgjedhura e kësaj partie, Albulena Haxhiu, konsiderohet e papranueshme për disa grupe politike.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e shohin atë si figurë përçarëse, teksa Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se s’ka votë për asnjë kandidat të LVV-së.

LVV-ja argumenton se është obligim i të gjithë deputetëve të konstituojnë Kuvendin.

PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe po ashtu po kundërshtojnë ndryshimin e votimit nga i hapur në të fshehtë. Partitë shqiptare kanë argumentuar se në aktgjykim Kushtetuesja ka thënë se votimi i fshehtë është jokushtetues, por mendim tjetër ka shprehur LVV-ja.

Me afrimin e mandatit 30-ditor, kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj – partia e të cilit i ka tre deputetë – dhe kreu i LVV-së, njëherësh kryeministri në detyrë, Albin Kurti, janë takuar javën e kaluar në përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje. Por, deri më tani nuk kanë njoftuar për arritjen e ndonjë marrëveshjeje për konstituimin e Kuvendit, dhe më pas formimin e Qeverisë.

Përveç duke argumentuar se kompromisi nuk duket se është afër, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 22 korrik iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me dy kërkesa: që të sqaronte se cilat janë pasojat juridike nëse Kuvendi nuk konstituohet deri më 26 korrik dhe që Kushtetuesja të vendosë masë të përkohshme ndaj afatit 30-ditor, deri në nxjerrjen e një aktvendimi sa i përket kërkesës për pasojat juridike.

Deputetët, përveç zgjedhjes së kryeparlamentarit të ri, duhet të zgjedhin edhe pesë nënkryetarë, për të përmbyllur procesin e konstituimit të Kuvendit.

Që nga 15 prilli – kur nisi seanca konstituive – organizatat joqeveritare u kanë bërë vazhdimisht thirrje deputetëve që t'i formojnë institucionet e reja.

Këtyre thirrjeve iu bashkuan edhe diplomatë të huaj të premten, si ambasadorët e Gjermanisë, Bashkimit Evropian dhe të tjerë që ishin të pranishëm në seancën e 52-të konstituive./REL

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat