Përurohen rinovimet në ndërtesat e banimit social në Prishtinë

Aktuale

Përurohen rinovimet në ndërtesat e banimit social në Prishtinë

Më: 15 gusht 2025 Në ora: 11:49
Foto ilustrim

Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë ka përuruar sot punimet në ndërtesat shumë-banesore sociale në Komunën e Prishtinës, si pjesë e projektit “Zbatimi i masave të efiçiencës së energjisë në ndërtesat shumë-banesore sociale”, raporton KosovaPress.

Inaugurimi i renovimeve u bë në katër ndërtesa shumë banesore sociale, dy pranë Medresesë dhe dy në Hajvali.

Ky projekt synon përmirësimin e kushteve të banimit dhe uljen e konsumit të energjisë përmes masave efiçiente, duke kontribuar në mbrojtjen e mjedisit dhe kursimin e shpenzimeve për familjet përfituese.

Në këtë ceremoni inaugurimi mori pjesë kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti për çka tha se këto banesa janë për 200 familje apo 790 banorë.

Kurti potencoi se investimi i përgjithshëm për këto objekte është 1.24 milionë euro, ku 90 për qind është financim nga Bashkimi Evropian.

Kurti: Banorët sivjet do të kenë dimra më të ngrohtë dhe më të sigurt

“Këto janë banesa për 200 familje gjithsej apo 790 banorë. Pas përfundimit të këtyre rinovimeve banorët sivjet do të kenë dimra më të ngrohtë dhe më të sigurt. Investimi i përgjithshëm është 1.24 milionë euro, 90 për qind është nga Bashkimi Evropian për çka edhe e falënderojmë shumë zotëri Alessandro Bianciardi që është me neve që është një mbështetje e madhe që i ka dhënë projektit të renovimit. Renovimi përfshin izolimin e kulmeve, të mureve, ndërrimin e dritareve dhe dyerve dhe vendosjen e sistemeve të reja të ngrohej e të masave të sigurisë. Ky projekt është pjesë e një programi më të gjerë prej 6 milionë eurove për 28 ndërtesa sociale në 13 komuna që përfshijë 889 familje”, tha Kurti.

Kurti bëri të ditur se renovimet në katër ndërtesat përfshinë izolimin e kulmeve, të mureve, ndërrimin e dritareve dhe dyerve dhe vendosjen e sistemeve të reja të ngrohjes e të masave të sigurisë.

Ndërkaq, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se katër ndërtesat e inauguruara sot në Prishtinë janë pjesë e një projekti që përfshin gjithsej 28 ndërtesa sociale në nivel vendi.

Ajo potencoi se rinovimi i këtyre banesave sociale ka për qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës për kategori të cenueshme të shoqërisë, përfshirë përfituesit e ndihmës sociale, veteranët e UÇK-së, nënat vetushqyese, invalidët e luftës dhe të tjerë.

Rizvanolli: Ndërtesat që po përurojmë sot në Prishtinë janë 4 nga 28 në gjithë Kosovën

“Ndërtesat që po përurojmë sot në Prishtinë janë 4 nga 28 në gjithë Kosovën dhe shumica dërmuese përveç atyre të Prizrenit që kanë filluar me vonesë do të përfundojnë para dimrit të këtij viti…Renovimi i këtyre banesave sociale që janë në të gjithë Kosovën 28 janë kryesisht përfitues të ndihmës sociale veteranë të UÇK-së, nëna vetushqyese, invalidë të luftës e kategori të tjera të cenueshme që po përfitojnë. Në prishtinë nga 200 familje, 100 janë veteranë të UÇK-së ndërsa 100 familje të tjera janë të cenueshme përfituese”, tha Rizvanolli.

Nga Zyra e BE-së në Kosovë, Alessandro Bianciardi tha se rinovimi i dy ndërtesave pranë Medresesë ka kushtuar rreth 650 mijë euro dhe kanë përfituar 100 familje socialisht të cenueshme.

Ai sqaroi se renovimi ka përfshirë izolimin termik të ndërtesave, instalimin e dritareve me efiçiencë energjetike, sistem të ri ndriçimi, përmirësimin e hapësirave të përbashkëta dhe zëvendësimin e derës hyrëse.

Bianciardi: Jam i lumtur që paketa e mbështetjes së energjisë po mundëson një investim kaq të rëndësishëm

“Renovimi i plotë i këtyre dy ndërtesave kushtoi rreth 650.000 euro, dhe 100 familje socialisht të cenueshme kanë përfituar nga ky investim. Investimi, siç e keni dëgjuar tashmë, është financuar 90% nga Bashkimi Evropian dhe është bashkëfinancuar 10% nga Komuna e Prishtinës, dhe u zbatua nga Fondi për Efiçiencë të Energjisë i Kosovës. Ky projekt është pjesë e paketës së mbështetjes së energjisë që u hartua së bashku me qeverinë dhe Fondin e Efiçiencës së Energjisë në fillim të vitit 2023. Projekti, siç mund ta shohim, ka përfshirë instalimin e izolimit termik të ndërtesave, dritare të reja me efiçiencë të energjisë, sistem ndriçimi, ka përmirësuar hapësirat e përbashkëta të ndërtesës, dhe është zëvendësuar edhe dera hyrëse. Jam i lumtur që paketa e mbështetjes së energjisë po mundëson një investim kaq të rëndësishëm për të mirën e qytetarëve, duke avancuar njëkohësisht tranzicionin energjetik të Kosovës”, tha ai.

Ndërkaq, Bianciardi tha se renovimi i dy ndërtesave shumë banesorë sociale në Hajvali kushtoi rreth 540 mijë euro.

Drejtori i Departamentit të Transformimeve në Komunën e Prishtinës, Gëzim Kastrati tha se projekte të tilla duhet të vazhdojnë edhe në të ardhmen për të rritur cilësinë e jetesës së qytetarëve.

Kastrati: Jemi para përurimi të një projekti apo të një objekti i cili rrit energjinë apo eficiencën në energji

“Shpresoj që në vazhdimësi do të ketë projekte të tilla duke rrit kualitetin e jetesës për të gjithë qytetarët në Komunën e Prishtinës. Jemi para përurimi të një projekti apo të një objekti i cili rrit energjinë apo eficiencën në energji dhe si e tillë, besoj se në të ardhmen do të ketë projekte të tjera”, u shpreh Kastrati.

Drejtori i Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Driton Hetemi tha se ky institucion po punon intensivisht në projekte të shumta gjatë tre viteve të fundit, por ato me ndikim social kanë rëndësi të veçantë.

Hetemi: Fondit i Kosovës për Efiçiencë po punon intensivisht në shumë projekte

“Fondi tash e 3 vjet po punon intensivisht në shumë projekte. Por kur po punojmë në projekte me aspekt social prapa tyre natyrisht na bënë shumë më shumë krenarë dhe kënaqësia është e dyfishtë. Projekte si ky shpresojmë që do të vazhdojmë edhe më shumë në të ardhmen për cak edhe jemi edhe duke i dizajnuar me mekanizmat financiarë dhe presim që t’i zgjerojmë sa më shumë”, potencoi Hetemi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat