Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka dërzuar kërkesë për caktim të masës së paraburgimit ndaj Sinisha Spasiq, i dyshuar për krime lufte në fshatin Reznik të Vushtrrisë.
Sipas kërkesës, thuhet se Spasiq së bashku me pjesëtarë të tjerë të uniformuar me uniforma të policisë, në fshatin Reznik të Vushtrrisë gjatë periudhës së luftës në Kosovë, respektivisht me datë 6 prill 1999 gjatë aksionit mirë të organizuar fillojnë zbatimin e urdhrave, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Tutje, thuhet se urdhrat përfshinin plaçkitjen, djegien e shtëpive, si dhe duke vrarë civilë të paarmatosur në Reznik dhe atë: I.U., M.U., B.U., F.U., S.U dhe F.U., e ku më pas e kishin marrë me dhunë viktimën B.U, që fillimisht e maltretojnë dhe më pastaj e dhunojnë. Andaj, për këto veprime Spasiq po dyshohet për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”, e paraparë me nenin 142 dhe 22 të Kodit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë.
Për këtë rast, tashmë është duke u mbajtur seanca dëgjimore për caktim të masës së sigurisë.