Njohësi i zhvillimeve politike, Egzon Osmanaj ka deklaruar se mos votimi i kandidatëve të Listës Serbe për nënkryetar të Kuvendit po ndodhë për shkak të marrëdhënieve që ka pasur LVV dhe partitë e tjera shqiptare me Listën Serbe që nga sulmi në Banjska në vitin 2023.
Sipas Osmanaj, anëtarët e Listës Serbe nuk janë distancuar për atë sulm në Banjska, i cili është udhëhequr nga nënkryetari i kësaj partie dhe prandaj siç tha Osmanaj janë acaruar marrëdhëniet.
Ndërkohë, Osmanaj thotë se partitë politike po i ikën përgjegjësisë së tyre për të marrë vendime brenda Kuvendit.
“Unë mendoj që kjo ka të bëjë me marrëdhëniet që kanë ekzistuar tash e dy vite karshi LVV por edhe partive tjera shqiptare me Listën Serbe pra qysh nga sulmi në Banjska në vitin 2023 e që ka qenë e udhëhequr nga nënkryetari i kësaj Liste si pasojë e kësaj pra me të drejtë janë acaruar marrëdhëniet me këtë formacion politik dhe ndoshta për më keq anëtarët e kësaj Liste nuk janë distancuar nga ai sulm i cili është udhëhequr po e theksoi prapë nga nënkryetari i tyre dhe normalisht nuk mund të presim sjellje të njëjtë… Deputetët nuk janë të detyruar të votojnë për askënd dhe në këtë kuptim deputetët e kanë ushtruar të drejtën e tyre të votës, kemi parti politike që e sabotojnë komplet procesin e votimit. Problemi është që partitë politike po i ikën përgjegjësisë së tyre për të marrë vendime brenda Kuvendit, nuk mund të ketë konstituim të Kuvendit përderisa partitë shmangen marrjes së përgjegjësisë”, ka deklaruar Osmanaj në emisionin “Ditari”.