Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka reaguar pas akuzave që iu bënë kryeministrit në detyrë Albin Kurti, pas paraqitjes në Gjykatë për t’u përballur me Faton Klinakun e Nuredin Selmanin që e kërcënuan me jetë.
Në një postim në facebook Kryeziu ka shkruar se paraqitja e sotme e Kurtit në Gjykatë nuk është standard i dyfishtë, kjo pasi kryeministri ka qenë i gatshëm të jap dëshminë e tij edhe para Prokurorisë Speciale në lidhje me rastin e rezervave shtetërore.
“Paraqitja e kryeministrit Kurti në Gjykatë për rastin e kanosjes ndaj tij nuk është kurrfarë standardi i dyfishtë në raport me ftesën nga Prokuroria Speciale.
Sa i përket ftesës së Prokurorisë Speciale, kryeministri Kurti asnjëherë nuk ka refuzuar që të japë dëshminë e tij. Përkundrazi, ai ka shprehur gatishmërinë e plotë për të bashkëpunuar me drejtësinë dhe për të respektuar parimin e transparencës dhe llogaridhënies, duke kërkuar që intervistimi të zhvillohet në zyrën e tij, një praktikë kjo që ka ndodhur edhe më parë”, ka theksuar ai.
Ndërkaq në lidhje me rastin e kanosjes, Kryeziu ka thënë se zyrtarët hetues të autorizuar nga Prokuroria e kanë intervistuar kryeministrin Kurti pikërisht në zyrën e tij më 10 qershor 2025. Sot ai u paraqit në gjykatë si palë e dëmtuar.