Shfaqja e grafiteve me emrin e Mladiqit/ Reagimi i fortë i Refik Hasanit ndaj gjuhës së urrejtjes

Aktuale

Shfaqja e grafiteve me emrin e Mladiqit/ Reagimi i fortë i Refik Hasanit ndaj gjuhës së urrejtjes

Nga: Bota sot Më: 6 shtator 2025 Në ora: 19:18
Grafitet ne Bujanoc

Veprimtari nga Bujanoci, Refik Hasani, ka reaguar ashpër pas shfaqjes së grafiteve në qendrën e Bujanocit me emrin e kriminelit të luftës, Ratko Mladiq. 

Sipas Hasanit, ky akt nuk është i izoluar.

Ai kujton se vetëm një vit më parë ishte thyer billboard-i i Komandantit të UÇPMB-së, Ridvan Qazimi – Lleshi, ndërsa në dy vitet e fundit janë shtuar ndjeshëm rastet e grafiteve me përmbajtje të ngjashme, përfshirë edhe thirrje direkte si “Vdekje shqiptarëve”.

Reagimi i plotë:

Përmes grafiteve në Bujanoc me emrin e Ratko Mladiqit, paraqitet urrejtje, provokim dhe kërcënim ndaj shqiptarëve.

Reagim publik, me rastin e shfaqjes së grafiteve në qendrën e Bujanocit me emrin e kriminelit të luftës, të dënuar për gjenocid në Srebrenicë të Bosnjë e Hercegovinës, Ratko MLADIQ.

Sot, në qendrën e Bujanocit janë shfaqur të shkruara grafite në alfabetin cirilik, ku 4 C lexohen si shkronja S. Së bashku me kryqin, në vazhdim është hasur i shkruar si grafit emri dhe mbiemri i kriminelit të luftës, të dënuar për gjenocid në Srebrenicë të Bosnjë e Hercegovinës, Ratko MLADIQ.

Kujtoj opinionin e gjerë se kjo është vazhdimësi, pasi vitin e kaluar ishte thyer në qendër të Bujanocit billboard-i i Komandantit të UÇPMB-së, Ridvan QAZIMI-LLESHI, dhe vetëm këto dy vitet e fundit janë në shtim e sipër, pasi janë shfaqur edhe me mbishkrimin “Vdekje shqiptarëve”.

Radhazi, në Shtëpinë e Shëndetit në qendër të Bujanocit, si dhe në Preshevë dhe Medvegjë, fare nuk janë ndalur së shkruari grafite e pankarta me mbishkrime ku shprehet gjuha e urrejtjes, provokim, frikësim dhe përcillet mesazh kërcënimi ndaj shqiptarëve në Bujanoc, Preshevë e Medvegjë.

Jo vetëm që kanë marrë hov mbishkrimet me pankarta e grafite dhe janë krijuar si dukuri në rritje, por janë shndërruar në përditshmëri.

Përmes grafiteve në Bujanoc me emrin e Ratko MLADIQ, paraqitet urrejtje, provokim dhe kërcënim – është për të mbjellë frikë, nën tendenca të vazhdueshme për shpërngulje, asimilim, pastrim etnik dhe diskriminim.

U bëjmë thirrje instancave më të larta të BE-së dhe mekanizmave të OKB-së që të shtojnë prezencën, monitorimin dhe angazhimin, pasi shfaqja e grafiteve sot në qendër të Bujanocit është dëshmi se, përveç pasivizimit përmes pastrimit etnik dhe diskriminimit, kemi edhe diskriminim në të gjitha segmentet e jetës. Kjo krahinë shqiptare, si rajoni më i pazhvilluar në gjithë Evropën, tregon se statusi i saj politik nuk është zgjidhur ende.

Gjithashtu, përmes këtij reagimi publik, i bëjmë thirrje Tiranës dhe Prishtinës zyrtare të reagojnë zyrtarisht duke dënuar këto akte, ndërsa Republika e Serbisë, zyrtarisht, do të duhej t’i dënojë këto akte, ku përmes mbishkrimeve shprehet gjuha e urrejtjes, provokimi, frikësimi dhe kërcënimi ndaj shqiptarëve në Bujanoc, Preshevë e Medvegjë.

Image
Grafitet ne Bujanoc
comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat