Rubin për Qeverinë serbe: Gjithmonë janë përpjekur ta fajësojnë UÇK-në për krimet e tyre

Aktuale

Rubin për Qeverinë serbe: Gjithmonë janë përpjekur ta fajësojnë UÇK-në për krimet e tyre

Më: 15 shtator 2025 Në ora: 06:56 Përditësuar në ora: 10:23 më 15.09.2025
James Rubin para Dhomave të Specializuara, 15 shtator 2025.

Rubin flet për ndërveprimet me Thaçin

James Rubin, në deklaratën e lexuar në fillim të dëshmisë nga avokati kryesor i Hashim Thaçit, Lluka Mishetiq, tha se gjatë negociatave për paqen në Kosovë në vitin 1999, kishte ndërveprime të drejtpërdrejta me Thaçin dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së.

Rubin u angazhua nga sekretarja e atëhershme e Shtetit amerikan, Madeline Albright, për të mbështetur delegacionin shqiptar gjatë Konferencës së Rambujesë dhe më pas si i dërguar i posaçëm për të siguruar demobilizimin e UÇK-së.

Ai vuri në dukje se Thaçi kishte kufizime në autoritetin e tij, duke mos pasur mundësi të nënshkruante marrëveshjet pa miratimin e krahut ushtarak, dhe nuk merrte pjesë në bisedimet teknike.

Megjithatë, Rubin theksoi se që në fillim Thaçi kishte shprehur dëshirën për një Kosovë demokratike, pa dhunë ndëretnike dhe të mbështetur nga vlerat perëndimore.

Rubin gjithashtu sqaroi se në qershor të vitit 1999, sekretarja Albright u takua me Thaçin, Ibrahim Rugovën dhe Rexhep Qosjen, duke i inkurajuar ata që të krijonin një strukturë të përbashkët në terren për të ndërtuar administratën civile - një hap ky që Rubin e interpretoi si një referencë të tërthortë për qeverinë e përkohshme të Kosovës.

​Nis dëshminë James Rubin në Hagë

Ka nisur dëgjimi i dëshmitarit të parë të mbrojtjes në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

James Rubin, i cili gjatë luftës në Kosovë ishte ndihmëssekretar amerikan i Shtetit, do të paraqes dëshminë e tij në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Ky është dëshmitari i parë i mbrojtjes së Thaçit, e cila ka paraparë që në gjykatore t’i sjell rreth 11 dëshmitarë. Më pas, procesi gjyqësor do të vazhdojë me dëshmitarët e thirrur nga mbrojtja e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Bashkë me Thaçin dhe Krasniqin, po gjykohen edhe ish-kryekuvendari Kadri Veseli dhe ish-deputeti Rexhep Selimi. Avokatët e tyre nuk synojnë të paraqesin dëshmi mbrojtëse. Zyra e Prokurorit të Specializuar i ngarkon ata me krime të pretenduara të luftës. ZPS-ja ka thënë se ata ishin pjesë e “një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”.

Në anën tjetër, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Paraqitja e provave të mbrojtjes vjen katër muaj pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar përfundoi me dëshmitarët e saj dhe e mbylli çështjen. Prokuroria i pati sjell 125 dëshmitarë në sallë dhe është mbështetur në mbi 130 dëshmi ne shkrim.

Mbrojtja e katërshes së UÇK-së i mohon akuzat dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk ka pasur strukturë të organizuar komanduese.

Aktakuza ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ishte bërë publike vjeshtën e vitit 2020. Prej atëherë, ata qëndrojnë në qendrën e paraburgimit në Sheveningen të Hagës. Gjykimi ndaj tyre ka nisur në prill të vitit 2023.

Gjyqtarët në Speciale presin që mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së të paraqesë shkresat përfundimtare deri më 22 dhjetor të këtij viti.

Kur pritet të përfundojnë dëshmitë e mbrojtjes?

Paneli i gjyqtarëve i Dhomave të Specializuara parashikon që deri më 14 nëntor, ose një javë pas përfundimit të dëshmisë së fundit, të mbyllet rasti i mbrojtjes së Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit.

Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së pritet të jetë gati për të dorëzuar shkresat përfundimtare të gjykimit deri më 22 dhjetor të këtij viti.

Gjatë konferencës së fundit statusore, mbrojtja e Thaçit deklaroi se do t’i nevojiteshin 35.5 orë për dëshminë e dëshmitarëve të saj.

Mbrojtja e Krasniqit njoftoi se dy dëshmitarë do të dëshmojnë personalisht në gjykatë, ndërsa dy të tjerët do të paraqesin dëshminë me shkrim, e cila tashmë u është dorëzuar prokurorëve.

Bazuar në këtë planifikim, gjykatësi vlerësoi se për përfundimin e dëshmive do të duhen rreth 35 ditë pune - me pesë orë dëshmi në ditë - duke parashikuar përfundimin e tyre në dhjetor.

Ekipet mbrojtëse të Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit njoftuan, ndërkohë, se nuk do të paraqesin dëshmi mbrojtëse. / REL

Për çfarë akuzohen Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi?

Aktakuza u ngarkon atyre përgjegjësi për burgosje të paligjshme, torturë, vrasje, krime kundër njerëzimit, zhdukje me forcë dhe persekutim të qindra civilëve dhe personave që nuk morën pjesë në luftime.

Këto krime dyshohet se ndodhën midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 në vende të ndryshme të Kosovës, si dhe në veri të Shqipërisë.

Sipas aktakuzës, viktimat përfshinin persona të dyshuar se ishin kundër UÇK-së dhe më vonë Qeverisë së përkohshme të Kosovës - në mesin e tyre: anëtarë të komuniteteve serbe, rome dhe ashkali, katolikë, civilë të dyshuar për bashkëpunim me autoritetet serbe, si dhe shqiptarë që mbështetën parti të tjera ose nuk iu bashkuan UÇK-së.

Dhomat e Specializuara theksojnë se Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi mbajnë përgjegjësi penale personale për këto krime.

Të katër të akuzuarit e mohojnë fajësinë.

Mbrojtja thotë se aktakuza bazohet në një keqinterpretim selektiv të incidenteve.

​Ambasadori i Kosovës në Holandë: Çdo seancë monitorohet me kujdesin më të madh

Ambasadori i Kosovës në Holandë, Dren Doli deklaroi se të gjitha seancat gjyqësore janë monitoruar nga ambasada, siç tha ai, me kujdesin më të madh.

Kështu u shpreh ai para mediave, teksa ka arritur pranë Dhomave të Specializuara në Hagë.

Doli: Çdo seancë monitorohet nga ambasada me kujdesin më të madh

“E përcjellim çdo herë ose online, ose me prezencë fizike. Asnjëherë nuk është asnjë seancë e cila nuk monitorohet nga ambasada me kujdesin më të madh”, deklaroi ai para mediave.

Të dielën, rreth 10 mijë shqiptarë kanë mbajtur protestë masive në Hagë, qytetin holandez ku e ka selinë Gjykata Speciale.

Doli tha se protesta e djeshme e dërgoi mesazhin e duhur, ndërkohë që u pyet se pse dje ishte e pranishme policia pranë ambasadës.

Doli: Ambasada është shtëpia e kosovarëve, asnjëherë nuk kërkojmë mbrojtje nga populli i Kosovësn

“Nuk e di, ndoshta kanë pasur ndonjë informacion, jo absolutisht, ne asnjëherë nuk kërkojmë mbrojtje nga populli i Kosovës, ajo është ambasada e Kosovës, shtëpia e kosovarëve”, shtoi ai.

James Rubin, i cili gjatë luftës në Kosovë ishte ndihmëssekretar amerikan i Shtetit, pritet të nis sot dëshminë e tij në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Seanca në Dhomat e Specializuara të Kosovës - me seli në Hagë të Holandës - do të nis në orën 9:00, ndërkaq për publikun transmetohet me 45 minuta vonesë në faqen zyrtare të gjykatës. 

Kush është James Rubin?

James Rubin është një diplomat dhe ekspert i njohur amerikan me mbi 35 vjet përvojë në politikën e jashtme.

Aktualisht, ai shërben si Përfaqësues i Posaçëm dhe Koordinator në Qendrën për Angazhim Global të Departamentit të Shtetit të SHBA-së.

Rubin ka qenë këshilltar diplomatik i Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), ndihmëssekretar i Shtetit për Çështje Publike dhe zëdhënës i sekretares së Shtetit, Madeleine Albright.

Në vitin 1999, ai është angazhuar si negociator i posaçëm për të siguruar çmobilizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Përveç karrierës diplomatike, Rubin ka shërbyer si profesor dhe komentator në institucione prestigjioze si Oxford, Universiteti Columbia dhe Shkolla Ekonomike e Londrës, dhe është nderuar me çmime të larta për arritjet e tij profesionale.

Kush do të dëshmojë?

Sot, i pari që do të dalë në bankën e dëshmitarëve është James Rubin, ish-ndihmës i sekretarit amerikan të Shtetit, i thirrur nga mbrojtja e Hashim Thaçit për të dhënë versionin e tij mbi ngjarjet kyçe të luftës në Kosovë.

Javën e kaluar ai tha se ka shumë për të treguar mbi atë periudhë, ndërsa në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 11 prill 2023, Rubin theksoi se “UÇK-ja luajti rol vendimtar në marrëveshjet që u nënshkruan nga krerët e saj dhe në çmilitarizimin e premtuar prej tyre”.

Mbrojtja e të akuzuarve i tha Radios Evropa e Lirë se lista e atyre që do të dëshmojnë në anën e tyre, nisur nga 15 shtatori, është konfidenciale.

Në media, megjithatë, qarkulluan disa emra - në mesin e tyre: Wesley Clark, William Walker, Bernard Kouchner e të tjerë.

Të njëjtit u përmendën edhe në një listë që zbuloi mbrojtja në vitin 2022.

Sot në Speciale fillon paraqitja e provave e dëshmitari i parë nga mbrojtja

Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, në gjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, Mbrojtja e Hashim Thaçit do të fillojë me paraqitjen e provave dhe thirrjen e dëshmitarëve. Seanca pritet të jetë kryesisht publike.

Seanca do të fillojë në orën 9:00, përmes transmetimit me 45 minuta vonesë.

Në të njëjtën çështje gjyqësore, më 9 shtator 2025, Trupi Gjykues pranoi si prova disa aktekspertiza të

dorëzuara nga Mbrojtja e Viktimave dhe një provë materiale të dorëzuar nga Mbrojtja. 

Gjykatësit nuk pranuan një provë materiale tjetër që u kërkua të pranohej nga Mbrojtja. Kur u pyet lidhur me këtë provë gjatë pyetjeve nga pala kundërshtare, dëshmitari nuk ishte në gjendje të jepte asnjë kontekst për të, kështu që Trupi Gjykues e konstatoi jorelevante për dëshminë.

Më 8 shtator 2025, Trupi Gjykues hodhi poshtë kërkesën e Mbrojtjes së Selimit për të vendosur disa garanci gjatë pyetjeve të dëshmitarëve të thirrur nga ekipet e tjera të Mbrojtjes.

Këto përfshinin kufizimin e objektit të pyetjeve dhe moslejimin e palëve që pyetjet në cilësinë e palës jothirrëse të jenë në lidhje me veprimet dhe sjelljen e një të akuzuari që nuk e ka thirrur atë dëshmitar.

Në vendim, Trupi Gjykues shpjegoi se, kuadri i lejuar dhe kufizimet e pyetjeve nga palët jothirrëse janë të

përcaktuara në Rregulloren e Procedurës dhe Provave dhe në Urdhrin e Trupit Gjykues për Zhvillimin e Gjykimit.

Palët mund t’u bëjnë pyetje dëshmitarëve lidhur me temat e trajtuara nga pala thirrëse si dhe lidhur me besueshmërinë e dëshmitarit, dhe në përgjithësi janë të autorizuara t’u bëjnë pyetje dëshmitarëve për

aspekte që lidhen me argumentet e tyre, me kusht që dëshmitari të jetë në gjendje të japë dëshmi relevante për lëndën.

Çështja përfshin katër ish-zyrtarë të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. 

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore. 

Më 15 dhjetor 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake ia kaloi dosjen e çështjes Trupit Gjykues II. Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023. 

Më 15 prill 2025, ZPS-ja e mbylli çështjen e vet. Në vendimin e tij gojor më 16 korrik 2025, Trupi Gjykues hodhi poshtë mocionin e përbashkët të Mbrojtjes për rrëzimin e akuzave në bazë të rregullës 130 të Rregullores. 

Më 16 dhe 17 korrik 2025, Mbrojtësi i Viktimave paraqiti provat në gjykatë. Konferenca përgatitore për Mbrojtjen u mbajt më 19 gusht 2025, kurse paraqitja e provave nga Mbrojtja fillon më 15 shtator 2025, me synimin që të përfundojë më 14 nëntor 2025. Në këtë çështje gjyqësore janë 155 viktima pjesëmarrëse. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat