Vrasja e Liridona Ademajt: Ja çfarë treguan dëshmitarët për Granit Plavën, Naim Murselin dhe natën kritike

Aktuale

Vrasja e Liridona Ademajt: Ja çfarë treguan dëshmitarët për Granit Plavën, Naim Murselin dhe natën kritike

Më: 6 tetor 2025 Në ora: 07:06 Përditësuar në ora: 18:08 më 06.10.2025
Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla dërgohen në sallën e gjyqit

​Rasti i Liridona Ademaj, dëshmitarët tregojnë për kontaktet me Granit Plavën dhe Naim Murselin

Pasditen e sotme ka vazhduar dëgjimi i dëshmitarëve në rastin e vrasjes së Liridona Ademaj ku të akuzuar janë Naim Murseli, Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava.

Në pjesën e dytë të seancës së sotme u dëgjua dëshmia e pronarit të pompës së derivateve ku ishin gjetur çelësat e veturës që e kishte marr me qira Granit Plava, Jeton Binaku, punëtori i kësaj pompe, Hasan Hasanaj dhe pronari i marketit ku kishte kërkuar ndihmë Naim Murseli menjëherë pasi kishte ndodhur rasti në natën kritike.

Naim Sadiku pronari i lokalit ku kishte kërkuar ndihmë Naim Murseli tregoi se në natën kritike ka qenë në market dhe kishte dëgjuar një zë duke qajtur dhe Naim Murselin me dy fëmijët për dore.

Ai tutje tha se ai e kishte njoftuar policinë për rastin, pasi Naim Murseli kishte thënë se nuk mundet pasi është i shqetësuar pasi janë plaçkitur.

Gjatë dhënies së dëshmisë së tij, Naim Sadiku tha se përmes telefonit të tij Naim Murseli kishte dal jashtë marketit dhe kishte biseduar me dikë për disa minuta.

Sadiku: Unë e njoftova policinë për rastin

“Në atë momente kam qenë në market e kam dëgjuar një zë sikur duke qajtë e kam parë ka ardhur ky ka pas dy fëmijët dhe ka thënë a mund të na ndihmoni se na kanë plaçkitur a mund të na thirrni policinë se na kanë plaçkitur në ato momente ka hyrë në market i kam thënë mere telefonin i thash merre thirre por tha nuk mundem se jam shumë i shqetësuar edhe ashtu dukej i shqetësuar pastaj i kam thirr unë policinë i thash ka ardhur një qytetar dhe po kërkon ndihmë dhe kanë kërkuar të bisedojnë me ankuesin por ky nuk ka pranuar se ka qenë i shqetësuar”, tha ai.

Pyetje karshi Sadikut parashtroi edhe vetë Naim Murseli i cili e quajti dëshmitar okularë Naim Sadikun.

Fillimisht i akuzuari, Naim Murseli e pyeti dëshmitarin Naim Sadiku se a nuk kishte pranuar të komunikoj me policinë pasi ishte i shqetësuar apo nuk mundet.

Më pas ai pyeti Sadikun se fëmijët a e kishin përmendur që nëna e tyre ishte vrarë.

Murseli: Fëmijët e përmendën se nëna e tyre është vrarë

“Meqë ju jeni njeriu i parë që i takuat fëmijët pasi ne jemi larguar nga vetura dhe me vrap kemi ikur për të drejtim të marketit. A iu kujtohet për ndonjë moment që fëmijët e kanë përmendur nënën e tyre që është vrarë apo gjak apo diçka të tillë“, pyeti i akuzuari.

Sadiku u shpreh se djali i madh kishte thënë vetëm se “bam” po jo diçka tjetër që lidhet me vrasjen.

Sadiku: Njëri nga fëmijët tha ‘bam’, axhi ka bërë

“Njëri nga fëmijët, i madhi ka thënë axhi ‘bam’ ka bërë nuk mujsha të bisedoj me ta”, tha ai.

Ndërsa, Naim Murseli pyeti atë “nëse i kujtohet se fëmijët që babi e ka mbajtur mamin apo diçka të tillë”.

Murseli: A ju kujtohet nëse fëmijët që babi e ka mbajtur mamin apo diçka

“A ju kujtohet nëse fëmijët që babi e ka mbajtur mamin apo diçka”, tha ai.

Dëshmitari mohoi një gjë të tillë.

Ndërsa, pronari i pompës së derivateve, Jeton Binaku tha se përveç Granit Plavës qe e njihte pasi ai furnizohej më naftë tek pompa e tij, Naim Murselin dhe Kushtrim Kokallën deklaroi se nuk i njeh.

Më pas, ai tregoi se si kishte qenë si ndërlidhës në mes të Granit Plavës dhe qiradhënësit të veturës dhe se të akuzuarin, Plava e kishte parë një ditë para se të ndodhte vrasja e Liridona Ademaj.

Binaku: Graniti më kërkoi t’ia marr veturën me qira tek pronari i ‘rent a car’

“Graniti ka ardhur tek pompa dhe më ka thënë se unë i kam disa myshteri dhe më tha a mund të ma marrësh një veturë me qira…një ditë para se me ndodh vrasja. Granitin e njoh se ka punuar me dru unë e njoh jam prej Prishtinës e kam hap atë pompë dhe këta kanë ardhur myshteri i kam naftë kanë marr tek unë veç Granitin tjerë nuk njoh unë dhe më ka pyetur se a mund ta thërras djalin e rent a car për një veturë me qira. Unë ia kam marr atë veturë me qira u ardhur e ka sjell prapë atë ditë që e kam marr unë në ora sjell në ora 16:00 ose 15;00..ditën që e kam marr e ka kthyer prapë dhe ka shkuar e ka marr vetë prapë në mbrëmje se unë atij djalit ia kam paguar se ky mi la lënë paratë e qeras…..tani Graniti ka shkuar e ka marr në mbrëmje vetë në të njëjtën ditë dhe kur jam zgjuar me hap pompën e kam parë veturën aty se ka qenë edhe një autolarje aty”, deklaroi ai.

Prokurorja e rastit, Javorka Përlinçeviq disa herë e ballafaqoi dëshmitarin, Binaku me deklaratat e tij që kishte dhënë në polici më 1 dhjetor 2023.

Pronari i pompës së derivateve gjatë dëshmisë së tij tha se Granit Plavën e kishte takuar dhe kishte biseduar me të në ditën kur ky i akuzuar ishte arrestuar.

Ai tha se me Plavën kishte biseduar për dy vrasjet që kishin ndodhur më 29 nëntor 2023, përfshirë edhe atë të Liridona Ademaj.

Binaku: Nuk është traditë me lanë shqiptari gruan e me ik

“Unë kam thënë, shqiptari me lënë gruan e me ik nuk e ka traditë. Unë për shembull me kanë me grua dhe fëmijë po të më ndodh, isha dalë vet me më vra mu, po këto janë llafe të kafeve”, tha ai.

Më pas dëshminë e tij vazhdoi ta jap punëtori i pompës se derivateve, Hasan Hasanaj i cili deklaroi se çelësat e veturës “Seat” ngjyrë të zezë janë lënë në pompë të derivateve dhe u është thënë se do të vijë t’i merr pronari i makinës.

Më pas i pyetur se si e dinte që atë veturë e kishte vozitur Granit Plava, Hasanaj tha se e kishte parë duke e vozitur.

Hasanaj: Çelësat e veturës kanë qenë tek pompa

“Vetura ka qenë më andej rrugës ku punojmë ne, unë jam kanë punëtorë çelësat i kanë lënë në pompë kanë thënë se vjen i merr renta”, tha ai.

Në seancën e sotme u dëgjua edhe dëshmia e ekspertit të mjekësisë ligjore, Naim Uka i cili tha se raporti i autopsisë tregon që Liridona Ademaj u vra nga një distancë 2-5 centimetra.

Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023, në fshatin Bërnicë në Prishtinë. Sipas Prokurorisë, ngjarja ishte inskenuar si grabitje dhe dyshohet se vrasja ishte e planifikuar, me Granit Plavën si ekzekutues dhe Naim Murselin si organizator.

​Seanca gjyqësore për vrasjen e Liridona Ademajt, dëshmon qiradhënësi i veturës

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar seanca gjyqësore ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademaj.

Në sesionin e paradites është dëgjuar eksperti i mjekësisë ligjore, Naim Uka i cili tha se e ndjera Liridona Ademaj u vra nga një distancë 2-5 centimetra.

Ndërsa, tani në pjesë e dytë të seancës se sotme do të dëgjohen Jeton Binaku Hasan Hasanaj dhe Naim Sadiku.

Seanca po vazhdon me dhënien e dëshmisë së Jeton Binakut, i cili ishte qiradhënësi i veturës.

Eksperti thotë se Liridona Ademaj u vra nga një distancë 2-5 centimetra

Gjatë dëshmisë së tij në seancën ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, eksperti mjeko-ligjor Naim Uka i cili ka kryer autopsinë e tani të ndjerës Liridona Ademaj, tha se distanca e qitjes ka qenë 2-5 centimetra.

“Gjatë ekzaminimit të plagës hyrëse kemi konstatuar përreth vrimës hyrëse prezencën e faktorëve plotësues të qitjes, të cilët kanë shkaktuar edhe djegien lëkurore me prezencë të grimcave të barutit dhe në bazë të këtyre provave mjeko-ligjore është konstatuar se distanca e qitjes sillet prej 2 deri në 5 cm. Përjashtohet mundësia e vrasjes me puthitje apo gjysmëputhitje për shkak të mungesës së stampimit të tytës së armës në indet e buta përreth vrimës hyrëse të plagës”, tha Uka, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ai shtoi se plaga është përshkruar se ka formë trekëndëshe, e cila është shoqëruar me thyerje të shumëfishta.

“Në raste të ngjashme kur mungojnë të dhënat preliminare nga vendi i ngjarjes gjatë kryerjes së autopsisë, kryhen edhe ekzaminimet e detajuara të shuplakave të duarve të të ndjerit/ndjerës. Edhe në këtë rast kemi kryer ekzaminimin e dy duarve të të ndjerës, në mënyrë që bazuar në prezencën apo mungesën e faktorëve plotësues të qitjes dhe njollave të gjakut, është eliminuar mundësia që e njëjta të ketë përdorur ndonjë armë apo të ketë shkaktuar vetëvrasje”, tha ai.

Po ashtu, Uka theksoi se gjatë ekzaminimit të jashtëm trupor, është konstatuar gjakderdhja e mbledhur.

“Bazuar në literaturën shkencore mjeko-ligjore dhe praktikat mjeko-ligjore, dëshmon se kjo gjakmbledhje është shkaktuar para apo gjatë vrasjes së tani të ndjerës. Përjashtohet çdo mundësi tjetër që kjo gjakderdhje të jetë shkaktuar pas vdekjes së të ndjerës”, shtoi ai.

I akuzuari Naim Murseli tha se sipas Prokurorisë ai ka mbajtur tani të ndjerën për të mos iu shmangur plumbit. Për këtë, ai e pyeti ekspertin nëse edhe raporti i tij e thotë një gjë të tillë.

Eksperti tha se nuk paragjykojnë pozitën apo situatat të cilat kanë mundur të jenë në momentin e vrasjes së tani të ndjerës.

“Mjeku ligjor e ka obligim të bëjë përshkrimin e qartë të çdo dëmtimi trupor, duke përshkruar karakteristikat në bazë të të cilave bëhet interpretimi i provave mjeko-ligjore për prokurorin e shtetit në fazat e hetimit dhe për kolegjin e trupit gjykues në fazën e gjykimit”, tha ai.

Murseli po ashtu e pyeti nëse është e vërtetë që lëndimi mund të jetë shkaktuar 59 minuta apo 10 sekonda para vdekjes.

Për këtë, Uka tha se ka mundur të shkaktohet deri në 3 orë para vdekjes.

Po ashtu, eksperti theksoi se nuk mund ta përjashtojë mundësinë e vetëlëndimit në tentativë për të ikur, por që kjo tha se nuk është detyrë e tij.

Seanca pritet të vazhdojë pasdite me dëgjimin e dëshmitarëve.

Mjeku ligjor jep dëshminë: Pjesë metalike të predhës u gjetën në kokën e Liridona Ademajt

Mjeku ligjor, Naim Uka, që ekzaminoi trupin e të ndjerës, Liridona Ademaj, po jep dëshminë e tij sot në seancën e cila nisi me 40 minuta vonesë për shkak të kompletimit të trupës gjykuese.

Uka tha para të pranishmëve, se pjesë metalike të predhës, viktimës i është gjetur në anën e majtë murore të kokës.

”Gjatë procedurës së mjekësisë, mjekoligjore është konstatuar vrima hyrëse në rajonin e djathtë muror të kokës, e shkaktuar nga veprimi dinamik i predhës së hedhur nga arma e zjarrit, e cila kishte drejtim nga djathtas majtas, nga përpara pjerrtas dhe pas, dhe nga poshtë pjerrtas lart”.

”Është e rëndësishme të ceket se pjesë metalike të kësaj predhe është gjetur në anën e majtë murore të kokës, e cila është dorëzuar si provë sipas zinxhirit të ruajtjes së provave të policisë hetuese”.

”Si rezultat i kësaj plage ka ardhur edhe gjakderdhja e brendshme dhe jashtme trurore, e cila është shkaku i vdekjes”.

Tutje ai tha se Liridona Ademaj, u vra në afërsi prej 2 deri në 5 centimetër nga dorasi.

”Gjatë ekzaminimit të plagës hyrëse, kemi konstatuar rreth vrimës hyrëse praninë e faktorëve plotësues të qitjes, të cilët kanë shkaktuar djegien e lëkurës me praninë e grimcave të barutit”.

”Në bazë të këtyre provave mjekoligjore është konstatuar se distanca e qitjes sillet nga 2-5 cm”.

​Nis seanca ndaj Naim Murselit dhe të akuzuarve të tjerë për vrasjen e Liridona Ademajt

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur seanca gjyqësore ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës - të akuzuar për përfshirje në vrasjen e Liridona Ademajt. Tashmë ka filluar të dëgjohet dëshmia e mjekut ligjor nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, Naim Uka. Më pas do të dëgjohen edhe Jeton Binaku, Hasan Hasanaj dhe Naim Sadiku.

Në sallën e gjyqit tashmë kanë arritur të akuzuarit, ndërsa të pranishëm janë edhe familjarët e të ndjerës, Liridona Ademaj.

Ndërkaq, në seancën e fundit u dëgjuan ekspertët e psikiatrisë, të cilët kishin kryer ekzaminimin psikiatrik ndaj të akuzuarit Naim Murseli dhe Granit Plavës. Ekspertët deklaruan në sallën e gjyqit se nga ekzaminimi i bërë nuk janë konstatuar çrregullime të shëndetit mendor te Naim Murselit, as në formë të përhershme e as të përkohshme.

Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023, në fshatin Bërnicë në Prishtinë. Sipas Prokurorisë, ngjarja ishte inskenuar si grabitje dhe dyshohet se vrasja ishte e planifikuar, me Granit Plavën si ekzekutues dhe Naim Murselin si organizator.

Naim Murseli i prangosur, nën masa të rrepta sigurie futet në sallën e Gjykimit

Sot do të mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të akuzuar për përfshirje në vrasjen e Liridona Ademajt.

Në këtë seancë pritet të dëgjohet raporti i autopsisë nga mjeku ligjor Naim Uka.

Ndryshe seanca e fundit u fokusua në dëgjimin e ekspertit të psikiatrisë, i cili kishte kryer ekzaminimin psikiatrik ndaj të akuzuarit Naim Murseli.

Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023, rreth orës 20:25, në rrugën “Dalip Alshiqi” në fshatin Bërnicë të Prishtinës.

Sipas Prokurorisë, ngjarja ishte inskenuar si grabitje dhe dyshohet se vrasja ishte e planifikuar, me Granit Plavën si ekzekutues dhe Naim Murselin si organizator.

Mbahet seanca ndaj të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt

Sot do të mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të akuzuar për përfshirje në vrasjen e Liridona Ademajt.

Ndryshe seanca e fundit u fokusua në dëgjimin e ekspertit të psikiatrisë, i cili kishte kryer ekzaminimin psikiatrik ndaj të akuzuarit Naim Murseli.

Eksperti kishte deklaruar në sallën e gjyqit se nga ekzaminimi i bërë nuk janë konstatuar çrregullime të shëndetit mendor te Naim Murseli, as në formë të përhershme e as të përkohshme. Ai tha se analizat janë kryer përmes dokumenteve të lëndës, bisedave të drejtpërdrejta me të akuzuarin, si dhe përmes vëzhgimit të sjelljes së tij gjatë ekzaminimit.

Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023, rreth orës 20:25, në rrugën “Dalip Alshiqi” në fshatin Bërnicë të Prishtinës.

Sipas Prokurorisë, ngjarja ishte inskenuar si grabitje dhe dyshohet se vrasja ishte e planifikuar, me Granit Plavën si ekzekutues dhe Naim Murselin si organizator.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat