​Rasti i Liridona Ademaj, dëshmitarët tregojnë për kontaktet me Granit Plavën dhe Naim Murselin

Aktuale

​Rasti i Liridona Ademaj, dëshmitarët tregojnë për kontaktet me Granit Plavën dhe Naim Murselin

Më: 6 tetor 2025 Në ora: 18:04
Foto nga seanca gjyqësore

Pasditen e sotme ka vazhduar dëgjimi i dëshmitarëve në rastin e vrasjes së Liridona Ademaj ku të akuzuar janë Naim Murseli, Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava.

Në pjesën e dytë të seancës së sotme u dëgjua dëshmia e pronarit të pompës së derivateve ku ishin gjetur çelësat e veturës që e kishte marr me qira Granit Plava, Jeton Binaku, punëtori i kësaj pompe, Hasan Hasanaj dhe pronari i marketit ku kishte kërkuar ndihmë Naim Murseli menjëherë pasi kishte ndodhur rasti në natën kritike.

Naim Sadiku pronari i lokalit ku kishte kërkuar ndihmë Naim Murseli tregoi se në natën kritike ka qenë në market dhe kishte dëgjuar një zë duke qajtur dhe Naim Murselin me dy fëmijët për dore.

Ai tutje tha se ai e kishte njoftuar policinë për rastin, pasi Naim Murseli kishte thënë se nuk mundet pasi është i shqetësuar pasi janë plaçkitur.

Gjatë dhënies së dëshmisë së tij, Naim Sadiku tha se përmes telefonit të tij Naim Murseli kishte dal jashtë marketit dhe kishte biseduar me dikë për disa minuta.

Sadiku: Unë e njoftova policinë për rastin

“Në atë momente kam qenë në market e kam dëgjuar një zë sikur duke qajtë e kam parë ka ardhur ky ka pas dy fëmijët dhe ka thënë a mund të na ndihmoni se na kanë plaçkitur a mund të na thirrni policinë se na kanë plaçkitur në ato momente ka hyrë në market i kam thënë mere telefonin i thash merre thirre por tha nuk mundem se jam shumë i shqetësuar edhe ashtu dukej i shqetësuar pastaj i kam thirr unë policinë i thash ka ardhur një qytetar dhe po kërkon ndihmë dhe kanë kërkuar të bisedojnë me ankuesin por ky nuk ka pranuar se ka qenë i shqetësuar”, tha ai.

Pyetje karshi Sadikut parashtroi edhe vetë Naim Murseli i cili e quajti dëshmitar okularë Naim Sadikun.

Fillimisht i akuzuari, Naim Murseli e pyeti dëshmitarin Naim Sadiku se a nuk kishte pranuar të komunikoj me policinë pasi ishte i shqetësuar apo nuk mundet.

Më pas ai pyeti Sadikun se fëmijët a e kishin përmendur që nëna e tyre ishte vrarë.

Murseli: Fëmijët e përmendën se nëna e tyre është vrarë

“Meqë ju jeni njeriu i parë që i takuat fëmijët pasi ne jemi larguar nga vetura dhe me vrap kemi ikur për të drejtim të marketit. A iu kujtohet për ndonjë moment që fëmijët e kanë përmendur nënën e tyre që është vrarë apo gjak apo diçka të tillë“, pyeti i akuzuari.

Sadiku u shpreh se djali i madh kishte thënë vetëm se “bam” po jo diçka tjetër që lidhet me vrasjen.

Sadiku: Njëri nga fëmijët tha ‘bam’, axhi ka bërë

“Njëri nga fëmijët, i madhi ka thënë axhi ‘bam’ ka bërë nuk mujsha të bisedoj me ta”, tha ai.

Ndërsa, Naim Murseli pyeti atë “nëse i kujtohet se fëmijët që babi e ka mbajtur mamin apo diçka të tillë”.

Murseli: A ju kujtohet nëse fëmijët që babi e ka mbajtur mamin apo diçka

“A ju kujtohet nëse fëmijët që babi e ka mbajtur mamin apo diçka”, tha ai.

Dëshmitari mohoi një gjë të tillë.

Ndërsa, pronari i pompës së derivateve, Jeton Binaku tha se përveç Granit Plavës qe e njihte pasi ai furnizohej më naftë tek pompa e tij, Naim Murselin dhe Kushtrim Kokallën deklaroi se nuk i njeh.

Më pas, ai tregoi se si kishte qenë si ndërlidhës në mes të Granit Plavës dhe qiradhënësit të veturës dhe se të akuzuarin, Plava e kishte parë një ditë para se të ndodhte vrasja e Liridona Ademaj.

Binaku: Graniti më kërkoi t’ia marr veturën me qira tek pronari i ‘rent a car’

“Graniti ka ardhur tek pompa dhe më ka thënë se unë i kam disa myshteri dhe më tha a mund të ma marrësh një veturë me qira…një ditë para se me ndodh vrasja. Granitin e njoh se ka punuar me dru unë e njoh jam prej Prishtinës e kam hap atë pompë dhe këta kanë ardhur myshteri i kam naftë kanë marr tek unë veç Granitin tjerë nuk njoh unë dhe më ka pyetur se a mund ta thërras djalin e rent a car për një veturë me qira. Unë ia kam marr atë veturë me qira u ardhur e ka sjell prapë atë ditë që e kam marr unë në ora sjell në ora 16:00 ose 15;00..ditën që e kam marr e ka kthyer prapë dhe ka shkuar e ka marr vetë prapë në mbrëmje se unë atij djalit ia kam paguar se ky mi la lënë paratë e qeras…..tani Graniti ka shkuar e ka marr në mbrëmje vetë në të njëjtën ditë dhe kur jam zgjuar me hap pompën e kam parë veturën aty se ka qenë edhe një autolarje aty”, deklaroi ai.

Prokurorja e rastit, Javorka Përlinçeviq disa herë e ballafaqoi dëshmitarin, Binaku me deklaratat e tij që kishte dhënë në polici më 1 dhjetor 2023.

Pronari i pompës së derivateve gjatë dëshmisë së tij tha se Granit Plavën e kishte takuar dhe kishte biseduar me të në ditën kur ky i akuzuar ishte arrestuar.

Ai tha se me Plavën kishte biseduar për dy vrasjet që kishin ndodhur më 29 nëntor 2023, përfshirë edhe atë të Liridona Ademaj.

Binaku: Nuk është traditë me lanë shqiptari gruan e me ik

“Unë kam thënë, shqiptari me lënë gruan e me ik nuk e ka traditë. Unë për shembull me kanë me grua dhe fëmijë po të më ndodh, isha dalë vet me më vra mu, po këto janë llafe të kafeve”, tha ai.

Më pas dëshminë e tij vazhdoi ta jap punëtori i pompës se derivateve, Hasan Hasanaj i cili deklaroi se çelësat e veturës “Seat” ngjyrë të zezë janë lënë në pompë të derivateve dhe u është thënë se do të vijë t’i merr pronari i makinës.

Më pas i pyetur se si e dinte që atë veturë e kishte vozitur Granit Plava, Hasanaj tha se e kishte parë duke e vozitur.

Hasanaj: Çelësat e veturës kanë qenë tek pompa

“Vetura ka qenë më andej rrugës ku punojmë ne, unë jam kanë punëtorë çelësat i kanë lënë në pompë kanë thënë se vjen i merr renta”, tha ai.

Në seancën e sotme u dëgjua edhe dëshmia e ekspertit të mjekësisë ligjore, Naim Uka i cili tha se raporti i autopsisë tregon që Liridona Ademaj u vra nga një distancë 2-5 centimetra.

Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023, në fshatin Bërnicë në Prishtinë. Sipas Prokurorisë, ngjarja ishte inskenuar si grabitje dhe dyshohet se vrasja ishte e planifikuar, me Granit Plavën si ekzekutues dhe Naim Murselin si organizator.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat