Elezi nga KQZ: Procesi i votimit ka nisur në të gjithë Kosovën
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka dhënë informacionet e para nga ora e parë e fillimit të procesit të votimit
Ai tha se në të gjitha qendrat e votimit në Kosovë tashmë ka nisur procesi i votimit.
Në këto zgjedhje do të garojnë gjithsej 38 komuna, me 2,067,998 votues në total. Numri i qendrave të votimit është 948, kurse numri i vendvotimeve 2625
Nga këto qendra, për votimit të rregullt përfshijnë 2571, kurse ato me kusht janë 38.
KQZ ka ftuar të gjithë qytetarët me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë të drejtën e votës.
Elezi njoftoi se përmes platformës elektronike në KQZ mund ta kontrollojnë qendrën e votimit. Mbledhja e ardhshme e KQZ-së do të mbahet në orën 11:30.
Voton Burim Berisha i Fushë Kosovës
Kryetari aktual i Fushë Kosovës, Burim Berisha ka hedhur votën e tij.
I njëjti, nuk ka kandiduar sërish për këtë post, derisa në vend të tij po kandidon Besnik Osmani nga radhët e LDK-së.
“Ndihem shumë mirë.
Kam kaluar jetën në institucione, dhe ka ardhur koha që brezi tjetër ta bëjë punën”, tha Berisha.
Voton qytetarja e parë në Fakultetin Filologjik: Pres ndryshimin
Ka votuar qytetarja e parë në Fakultetin Filologjik, qendra e votimit me numrin 906. Vahide Krasniqi, e cila edhe tre muaj arrin moshën e pensionit tha se pret ndryshimin në këto zgjedhje lokale.
"Presim ndryshimin, do të kisha pasur dëshirë të fitojë më i miri, cili e meriton, cili e meriton dhe punon më mirë… Prishtina, se unë jam punëtore, punojë në shëndetësi, kisha pasur dëshirë që në shëndetësi te përmirësohen kushtet, me i pas gjitha barnat mos me pas nevojë te blejë pacienti diçka", tha Krasniqi, transmeton KosovaPress.
Numri i përgjithshëm i votuesve brenda dhe jashtë Kosovës në Prishtinë është mbi 224 mijë.
Janë 54 qendra të votimit të rregullta, me 268 vendvotime dhe një qendër votimi me kusht.
Qendra e votimit, në Fakultetin Filologjik, është ndër më të qendrat më të mëdha në kryeqytet.
Sot votohet në 38 komuna të Kosovës. Janë zgjedhje të rregullta lokale, ku numri i përgjithshëm i qytetarëve me te drejtë vote është 2 milionë e 69 mijë e 68 votues.
Hapen të gjitha qendrat e votimit në Deçan
Të gjitha qendrat e votimit në komunën e Deçanit janë hapur me kohë. Kjo është konfirmuar për KosovaPress nga ushtruesi i detyrës së zyrtarit ekzekutiv i Komisionit Komunal të Zgjedhjeve, Fatmir Cacaj i cili tha se materiali sensitiv zgjedhor është shpërndarë me kohë.
“Të gjitha qendrat e votimit në Deçan janë hapur me kohë, edhe materiali sensitiv zgjedhor është shpërndarë me kohë”, tha ai.
Në garë për të parin e Deçanit janë Faton Selmanaj nga Lëvizja Vetëvendosje, Jetmir Prekalla nga Partia Demokratike e Kosovës, Jeton Mushkolaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Bashkim Ramosaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Natyra Kuçi nga Pastia Socialdemokrate, Shkumbin Demakuja nga Iniciativa Demokracia dhe Shefqet Tolaj nga Guxo.
Në komunën e Decanit të drejtë vote kanë 43 mijë e 759 qyetetarë prej tyre 41 mijë e 444 janë votues brenda në Kosovë dhe 2 mijë e 320 votues nga diaspora.
Votimi për zgjedhjet lokale të 12 tetorit në këtë komunë organizohet në 14 qendra të votimit me gjithsej 50 vendvotime të rregullta dhe 1 vendvotim me kusht.
Në zgjedhjet e kaluara lokale garën për të parin e Deçanit e fitoi Bashkim Ramosaj nga AAK.
Në Gjilan ka nisur me kohë procesi i votimit në qendrën “Abaz Ajeti”
Në Gjilan, konkretisht në qendrën e votimit në shkollën "Abaz Ajeti" ka nisur me kohë procesi zgjedhor, në orën 07:00.
Në këtë shkollë janë paraqitur qytetarët e parë te cilët po shfrytëzojnë të drejtën e tyre për votë.
Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në komunën e Gjilanit janë të regjistruar 109 mijë e 920 votues. Mbi 107 janë votues brenda Kosovës dhe 2 mije e 66 jashtë vendit.
Për këtë proces janë hapur 37 qendra të rregullta votimi me gjithsej 133 vendvotime, si dhe një qendër votimi me kushte, ku do të mund të votojnë personat që për arsye të ndryshme nuk janë në listat e rregullta të qendrave të tyre
Në Mitrovicë të Veriut u hapën vendvotimet
Vendvotimet në Shkollën Teknike në Mitrovicën e Veriut u hapën në orën 7:00 dhe votuesit e parë tashmë kanë hedhur votën e tyre.
Një banore e Mitrovicës së Veriut, e cila ka votuar, tha shkurt për Radion Evropa e Lirë se dëshiron ndryshime, para së gjithash zëvendësimin e kryetarëve shqiptarë.
Kjo komunë, ashtu si edhe tri të tjerat të banuara me shumicë shqiptare në veri - Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi - u udhëhoqën nga kryetarë shqiptarë nga viti 2023.
Vendvotimet hapur nga ora 7:00 deri në 19:00
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se vendvotimet në të gjitha komunat e Kosovës do të jenë të hapura nga ora 7:00 deri në 19:00.
Sipas të dhënave të KQZ-së, në mbarë vendin janë organizuar 938 qendra votimi me gjithsej 2.625 vendvotime.
Për qytetarët që votojnë nga jashtë vendit, është mundësuar votimi me postë - proces që ka nisur më 17 shtator dhe ka përfunduar më 11 tetor.
Voton kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka ushtruar të drejtën e tij të votës.
Ai ishte ndër të parët që iu drejtua kutive të votimit, duke votuar në orën 07:00, në qendrën e votimit “Lidhja e Prizrenit”, në Pejë.
Ai ftoi të gjithë qytetarët e Kosovës që të dalin në votim dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.
“Zgjedhje për të cilat KQZ-ja ka punuar që gjashtë muaj. Kemi bërë përgatitje të shumta, ndryshime në proces sipas ligjit. Në këto zgjedhje kemi përmirësuar platformën. Kemi mbështetjen e Britanisë në ndërtimin e platformën, sa i përket qendrave komunale të gjitha përgatitjet janë bërë”.
“Presim që nesër të fillojë numërimi në të gjitha komunat”.
Peja gati për votim
Në qendrën e votimit në shkollën fillore “Lidhja e Prizrenit”, në Pejë gjithçka është gati për të nis procesi zgjedhor për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Në këtë qendër votimi pas pak pritet të votojë kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi.
Menaxherja e kësaj qendre, Mejteme Kolica-Shatri tha se materiali sensitiv ka ardhur me kohë dhe tashmë pesë vendvotimet janë gati për tu zhvilluar votimi.
Ajo tha se në këtë qendër votimi kanë të drejtë vote 4 mijë e 84 votues.
Shatri: Numri i votuesve në Shkollën ‘Lidhja e Prizrenit’ në Pejë është 4084
“Sot çdo gjë ka filluar me kohë, materiali është marrë me kohë klasat janë të përgatitura për të filluar punën..5 klasa janë në dispozicion dhe janë të qasshme për te gjithë qytetarët prej këtij momenti. Numri i votuesve në Shkollën tonë ‘Lidhja e Prizrenit’ në Pejë është 4084”, tha ajo.
Si shqetësim ajo ngriti mungesën e tavolinës informuese dhe mos angazhimi i punëtorit teknik.
Shatri: Mangësi është tavolina informuese
“Mangësi është tavolina, por nuk është hera e parë vitin e fundit nuk ka qenë në muajin shkurt dhe tani prapë tavolina informuese mungon qysh ka qenë përpara…si shqetësim e kemi se i patëm angazhuar dhe i kemi dërguar të dhënat pasi i kanë kërkuar për punëtorë teknik dhe menaxherin e shkollës një ditë para fillimit të zgjedhjeve marrin informacion që punëtorët teknik nuk do të marrin pjesë është dashur me qenë se këtu është në pyetje pastërtia fikja e rrymës çështje teknike dhe punëtori teknik besoj qe kishte me qenë në dispozicion edhe pse janë kërkuar qe të largohen nga ditë mos të marrin pjesë vullnetarisht ka ardhur punëtori teknik”, tha ajo.
Në zgjedhjet e rregullta lokale të 12 tetorit në qytetin e Pejës të drejtë vote kanë 122 mijë e 99 votues, prej tyre 120 mijë e 204 janë votues brenda Kosovës dhe 1897 votues jashtë Kosovës.
Kjo komunë ka gjithsej 30 qendra të votimit me gjithsej 139 vendvotime dhe 1 qendër e votimit me kusht.
Sa qytetarë kanë të drejtë vote në shtatë komunat kryesore të Kosovës?
Qytetarët e Kosovës sot iu drejtohen kutive të votimit për t’i zgjedhur udhëheqësit e pushtetit lokal, kryetarët e komunave dhe asambletë komunale.
Numri i përgjithshëm i votuesve brenda dhe jashtë Kosovës është 2 milionë e 69 mijë e 98 persona.
Në Prishtinë, të drejtë vote kanë 224 mijë e 53 qytetarë.
Në Prizren, të drejtë vote kanë 191 mijë e 752 qytetarë, derisa në Pejë mundësi për ta hedhur “kokrrën” e tyre do të kenë 122 mijë e 99 persona.
E në Ferizaj, 125 mijë e 865 qytetarë do të vendosin se kush do t’i udhëheqë ata për katër vjetët e ardhshme, kurse 124 mijë e 909 qytetarë do të jenë në Gjakovë.
Për pushtetin e tyre lokal, do të kenë mundësi të vendosin 109 mijë e 920.
Në Mitrovicën e Jugut të drejtë vote kanë 86 mijë e 883 qytetarë, kurse në atë veriore 17 mijë e 667 qytetarë.