LIVE: Nis rinumërimi i votave në këto tri komuna – KQZ jep detajet e fundit

Aktuale

LIVE: Nis rinumërimi i votave në këto tri komuna – KQZ jep detajet e fundit

Më: 12 tetor 2025 Në ora: 07:19 Përditësuar në ora: 10:10 më 12.10.2025
Kutitë e votimit në një qendër në Prishtinë

Voton Ramiz Lladrovci

Ramiz Lladrovci, kryetari aktual i komunës së Drenasit, ka hedhur votën e tij në shkollën “Xhevë Lladrovci” në Gllanasellë, që është edhe vendlindja e tij.

Për ta shfrytëzuar të drejtën e tij të votës, Lladrovci ishte i shoqëruar nga gruaja e tij dhe familjarët e tjerë.

Pasi hodhi votën, Lladrovci para medieve u bëri thirrje qytetarëve që të dalin të votojnë dhe uroi që zgjedhjet të shkojnë mirë, pa asnjë problem.

Sa i përket shoqërimit nga familja, ai tha se “votimet bëhen për të ardhmen e fëmijëve”, andaj i mori ata.

Hyseni: Qytetarët ta shfrytëzojnë fuqinë e votës

Kandidati i LDK-së për kryetar të Podujevës Ekrem Hyseni, e ka shfrytëzuar të drejtën e tij të votës.

Pasi votoi, Hyseni iu drejtua mediave. Ai deklaroi se dita e sotme është shumë e rëndësishme.

“Sot njerëzit mendojnë për të ardhmen e tyre, për fëmijet e tyre”, deklaroi ai.

Kandidati i LDK-së i ftoj qytetarët të shfrytëzojnë fuqinë e votës.

Uran Ismaili fton qytetarët e Prishtinës të dalin për të votuar

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili ka ftuar qytetarët që të dalin dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar.

Pas votimit në shkollën “Ismail Qemali”, me bashkëshorten dhe djalin, Ismaili tha se sot është “ditë e mirë për Prishtinën”.

Ismaili: Ditë e mirë për Prishtinën

“Sot është një ditë e mirë për Prishtinës në të cilën vendosim të gjithë për të ardhmen e saj për katër vitet e radhës...Ftoj të gjithë qytetarët që të dalin të gjithë pa dallim të votojnë, ta shfrytëzojnë këtë mundësi të madhe që e kemi, për t’i dhënë Prishtinës atë që e meriton si një kryeqytet që ka nevojë të jetë simbol për të gjithë ne”, tha Ismaili.

Qytetarët e Republikës së Kosovës ushtrojnë sot të drejtën kushtetuese të votës. Këto janë zgjedhjet e rregullta lokale, të cilat mbahen në 38 komuna të Kosovës.

Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, sipas të dhënave të KQZ-së është 2 milionë e 69 mijë e 98 votues. Prej tyre, nga jashtë Kosovës janë regjistruar për votim 43 mijë e 993 qytetarë me të drejtë vote.

Votimi përmes postës ka nisur më 17 shtator dhe ka përfunduar dje, më 11 tetor.

Numri i subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në këto zgjedhje është 93, prej të cilave: 32 parti politike, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar dhe që përfaqësojnë këto subjekte politike, është: 5.624 kandidatë, prej të cilëve 205 kandidatë për zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe 5.419 kandidatë për zgjedhjet për Kuvende Komunale.

Vendvotimet u hapen në orën 7:00 të mëngjesit dhe mbyllen në orën 19:00. Kjo periudhë llogaritet heshtje zgjedhore.

Votimi po ecën pa pengesa edhe në Rahovec dhe Malishevë

Sot, më 12 tetor 2025, ka nisur procesi i votimit për zgjedhjet lokale edhe në Komunën e Malishevës dhe Rahovecit.

Sipas raportimeve nga terreni, shumica e qendrave të votimit janë hapur në kohë dhe pa pengesa, duke shënuar kështu fillimin e procesit të votimit për qeverisjen e ardhshme lokale.

Në Malishevë, procesi duket se po zhvillohet i qetë dhe pa probleme, njësoj si edhe në Rahovec, ku deri tani nuk janë raportuar vonesa.

Atmosfera në të dy komunat sipas Komisionit Komunal të Zgjedhjeve, fillimisht po vlerësohet e qetë dhe demokratike, me prezencë të vëzhguesve dhe përfaqësuesve të subjekteve politike në shumicën e vendvotimeve.

Numri i përgjithshëm i votuesve në Malishevë është afër 59 mijë, me gjithsej 35 qendra të rregullta votimi dhe 74 vendvotime.

Ekziston edhe një qendër votimi me kusht, me gjithsej një vendvotim.

Ndërkaq, numri i përgjithshëm i votuesve në Rahovec është rreth 62 mijë, me gjithsej 34 qendra votimi dhe 77 vendvotime.

Gjithashtu, ka një qendër votimi me kusht, me gjithsej një vendvotim.

Voton kryeministri në detyrë, Albin Kurti

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka votuar në qendrën e votimit në Fakultetin Juridik në Prishtinë.

Ai ka votuar i vetëm, në njërën nga qendrat më të mëdha në kryeqytet.

Pas votimit, Kurti ka dhënë mesazhin e tij për këto zgjedhje.

“Sot është një ditë shumë e rëndësishme. Votojmë për të vendosur për katër vitet e ardhshme në komunat tona, për çerdhen, për shkollën, për ujin, për shëndetin, për shërbimet dhe për infrastrukturat në lagjet e qyteteve dhe fshatrave ku jetojmë,” ka deklaruar ai.

“Përveç se qytetarë të Republikës së Kosovës, jemi edhe banorë të komunës. Prandaj ftoj të gjithë qytetarët, pa dallim, që ta përdorin mundësinë, ta shfrytëzojnë të drejtën për t’u bërë hisedarë në zgjidhjen e problemeve që kanë për të plotësuar nevojat e tyre. Gëzuar!” ka shtuar Kurti.

Çeku: Dita e zgjedhjeve duhet të jetë festë për të gjithë

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Prishtinës, Hajrullah Çeku, ka votuar sot në kuadër të zgjedhjeve lokale. Me këtë rast, ai theksoi rëndësinë që dita e zgjedhjeve të shihet si një ditë feste për qytetarët.

"Besoj që kjo ditë do të jetë e tillë, pas një fushate të qetë dhe përgjithësisht konstruktive, e cila realisht u përmbyll në mënyrën më të mirë dhe më të bukur me fitoren e jashtëzakonshme të Shqipërisë mbrëmë në futboll", deklaroi Çeku.

Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që ta ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike deri në përmbylljen e procesit zgjedhor.

“Sot jemi këtu për ta ushtruar të drejtën tonë demokratike, të cilën duhet ta bëjnë të gjithë qytetarët pa dallim, deri në fund të ditës kur mbyllen të gjitha vendvotimet”, shtoi ai.

Akuza Serbisë për ndërhyrje në zgjedhje

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, akuzoi Serbinë për ndërhyrje të drejtpërdrejta në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Gjatë takimit me kryetarin e KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, më 9 tetor, ajo theksoi se Serbia po ndikon përmes “blerjes së votës, frikësimit dhe dhunës” - një praktikë që, sipas saj, është përsëritur ndër vite.

Akuza të ngjashme bëri edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.

Ai tha se Serbia po ndërhyn duke bërë vendime për vende pune dhe përfitime financiare.

Procesi i votimit në Drenas nis pa vonesa

Në komunën e Drenasit, procesi i votimit ka nisur me kohë në të gjitha qendrat, përfshirë edhe qendrën kryesore në shkollën “Rasim Kiçina”.

73 vendvotimet në 31 qendra janë të gatshme që nga ora 07:00 e mëngjesit.

Të drejtë vote në këtë komunë kanë rreth 58 mijë qytetarë.

Ata do të zgjedhin mes 7 kandidatëve për kryetar komune dhe 139 kandidatëve për asamblenë komunale, nga disa subjekte politike.

Haradinaj thirrje qytetarëve: Votoni dhe vendosni!

Pasi kreu obligimin e tij qytetar, Ramush Haradinaj u deklarua para mediave.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës të dalin dhe të votojnë pasi siç tha ai, këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme.

“E shfrytëzova të drejtën time dhe votova bashkë me nënën. Një pjesë e familje tonë votuam në Gllogjan. Anita dhe Gjini në Prishtinë. Ftoj të gjithë të dalin dhe të votojnë. Këto zgjedhje kanë shumë rëndësi. Sot është dita me i marrë vendimet, votoni dhe vendosni”.

Derisa Haradinaj nuk e zbuloi arsyen pse ka ndryshuar qendrën e votimit.

“Qenka ndjenjë e mirë me votu në vendlindje”, tha ai.

Lista Serbe kundërligjshëm mbledh qytetarët për të votuar në mënyrë të organizuar

Një numër i qytetarëve serbë janë grumbulluar në sheshin kryesore në Komunën e Mitrovicës së Veriut “Korzo” afër “Car Lazarit”.

Ata janë organizuar nga Lista Serbe dhe në mënyrë të organizuar dhe kundërligjshëm pritet të votojnë në mënyrë të organizuar.

Qytetarët e Republikës së Kosovës ushtrojnë sot të drejtën kushtetuese të votës. Këto janë zgjedhjet e rregullta lokale, të cilat mbahen në 38 komuna të Kosovës.

Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, sipas të dhënave të KQZ-së është 2 milionë e 69 mijë e 98 votues. Prej tyre, nga jashtë Kosovës janë regjistruar për votim 43 mijë e 993 qytetarë me të drejtë vote.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat