Shabani: Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut konfirmuan disa gjëra

Aktuale

Shabani: Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut konfirmuan disa gjëra

Nga: A.SH Më: 20 tetor 2025 Në ora: 10:35
Foto ilustrim

Njohësi i politikës, Amir Shabani, ka thënë se zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut treguan se VMRO-DPMNE ruan dhe forcon mbështetjen tek votuesit maqedonas, ndërsa mesazhet etnocentrike të BDI-së pësuan humbje.

Kurse, sipas tij, në bllokun shqiptar, zhgënjim i madh u regjistrua për BDI-në, veçanërisht në komunën e Çairit, ku Izet Mexhiti mundi Bujar Osmanin.

Shkrimi i plotë:

Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut konfirmuan disa gjëra:

• VMRO-DPMNE e ruan dhe rrit besimin tek qytetarët/votuesit maqedonas;

• VLEN-i e theu bindshëm narrativën e BDI-së për mungesë legjitimiteti;

• mesazhet etnocentrike nga maja e BDI-së pësuan humbje në një skenë të hapur;

• LSDM-së i duhet më shumë kohë për konsolidim të konsiderueshëm; dh

• qytetarët u japin shans projekteve, jo politizimeve të përditshme dhe folklorizmave.

Në bllokun shqiptar, ka zhgënjim të madh në BDI (AKI), veçanërisht nga humbja në komunën e Çairit ku dallimi ishte drastik dhe mbrëmja e djeshme për BDI-në në Çair ishte lëshimi i perdeve dhe fikja e dritave. Izet Mexhiti e mposhti kundërkandidatin e tij Bujar Osmani, duke i uruar njëkohësisht liderit të BDI-së, Ali Ahmetit pensionim të mbarë.

Nga ana tjetër, Bujar Osmani në mënyrë demokratike, përmes rrjeteve sociale e uroi kundërshtarin e tij Izet Mexhiti për fitoren e tij, duke vlerësuar se dita e zgjedhjeve ishte e suksesshme, por ai nuk ndan të njëjtin mendim për rrjedhën e fushatës.

Gjëja më e rëndësishme është se në këto zgjedhje, politikat e etnocentrizmit, nacionalizmit dhe temave artificiale për shqiponjat, lepujt, lakej e kasnecë, si dhe tema që janë të parëndësishme për qytetarët – janë mposhtur dhe nuk tërheqin vëmendje. Qytetari zgjedh mundësinë e zhvillimit ekonomik, social, arsimor dhe materializimin e të gjitha projekteve që ai mund t'i përjetojë në përditshmërinë e tij.

Pra, nëse në zgjedhjet parlamentare është biseduar për ndryshim të qeverisë, në zgjedhjet lokale bisedohet për programin, projektet dhe decentralizimin – si shtyllë kyçe e Marrëveshjes së Ohrit, e jo në këto zgjedhje të bisedohet për referendum, legjitimitet, për të cilën edhe e morën përgjigjen pala opozitare.

Çështja e reformave duhet me doemos të ngritet në opozitë me ide, programe dhe figura të reja politike dhe një mundësi të tillë e kishin për gjatë pesëmbëdhjetë muajve, sidomos opozita shqiptare. Mirëpo në vend të reformës, sipas tyre, më e arsyeshme ishte ndryshimi nga njëri koncept në tjetrin dhe koalicionimi me ideologji të përziera, sesa ofertat dhe projektet konkrete të cilat mund të jena zgjedhja dhe zgjidhja e duhur për qytetarët.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat