​“Zgjedhjet nacionale kurdo...”, çfarë mesazhi dha Osmani sot

Aktuale

​“Zgjedhjet nacionale kurdo...”, çfarë mesazhi dha Osmani sot

Më: 9 nëntor 2025 Në ora: 13:13
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e shoqëruar nga bashkëshorti i saj, ushtroi të drejtën e saj kushtetuese për të votuar.

Pasi votoi në Fakultetin Teknik të Universitetit të Prishtinës ajo tha se qytetarët sot vendosin jo vetëm se kush do t’i udhëheqë komunat ku ata jetojnë, por edhe për një të ardhme më të mirë për ta.

Presidentja Osmani shpreh besimin që edhe ky proces i sotëm zgjedhor do të jetë i lirë dhe demokratik.

Osmani: Shpresoj që secili prej qytetarëve me të drejtë vote do ta shfrytëzoj këtë të drejtë

“Është ditë po aq e rëndësishme sa rundi i parë i zgjedhjeve, sepse qytetarët tanë sot përfundimisht vendosin jo vetëm se kush do t’i udhëheqë komunat ku ata jetojnë, por në të njëjtën kohë vendosin për një të ardhme më të mirë, për fëmijët tanë, vendosin për shumë mundësi për komunat ku ata jetojnë. Rrjedhimisht, shpresoj që secili prej qytetarëve me të drejtë vote do ta shfrytëzoj këtë të drejtë dhe do të dal sot në votime. Kosova sot ka demokracinë më të fortë elektorale në rajon dhe kjo është pikërisht për shkak të pjesëmarrjes së qytetarëve tanë në votime për shkak të rregullsisë së proceseve zgjedhore dhe për shkak se gjithnjë organizojmë zgjedhje të lira e demokratike. Jam besimplotë se edhe dita e sotme do të jetë e tillë. Pra, do të organizohen zgjedhje të lira e demokratike ku secili qytetar do ta shfrytëzoj të drejtën e vetë kushtetuese për të vendosur për komunën ku jeton, për shërbimet të cilat i ofrohen dhe për mundësinë më të mira për të gjithë“, u shpreh ajo.

E para e vendit e pyetur për ndikimin që rezultati i këtij procesi zgjedhor lokal mund të ketë në atë nacional, ajo tha se këto janë procese të ndara dhe se zgjedhjet lokale nuk kanë ndikim në proceset në nivel nacional.

Ajo tha se nëse do të ketë zgjedhje nacional varet nga partitë politike që përfaqësohen në Kuvendin e Kosovës.

Osmani: Zgjedhjet nacionale kurdo që do t’i kemi ato do jenë gur mbi kalanë tonë të demokracisë

“Këto janë procese komplet të ndara. Natyrisht që zgjedhjet komunale nuk kanë ndikim në proceset në nivel nacional në të cilat po kalojmë. Proceset në nivel nacional anë duke u zhvilluar në përputhje të plotë me Kushtetutën e vendit dhe do të shohim në ditët në vijim se çfarë do të ndodh. Megjithatë, çka është me rëndësi është që Kosova çdo palë zgjedhje tregon maturi, tregon se respektohet qytetari, tregon se respektohet e drejta e votës. Prandaj, jo vetëm që këto rezultate në zgjedhjet lokale apo vetë organizimi i tyre nuk kanë ndërlidhmëri me zgjedhjet nacionale, edhe zgjedhjet nacionale kurdo që do t’i kemi ato sepse kjo do të varet nga partitë politike që përfaqësohen tani në Kuvend jam e bindur se do të jeni edhe një gur më shumë mbi këtë kalanë e demokracisë që e kemi ndërtuar përgjatë shumë viteve. Jam shumë krenare me qytetarët e Kosovës që janë kontribuesi kryesor të demokracisë në vend”, deklaroi Osmani.

Rundi i dytë i zgjedhjeve lokale po mbahet në 18 komuna.

Numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në këto 18 komuna është 1,316,672 votues.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat