AAK vlerëson pozitivisht ecurinë e procesit zgjedhor, parregullsitë i raporton në KQZ

Aktuale

AAK vlerëson pozitivisht ecurinë e procesit zgjedhor, parregullsitë i raporton në KQZ

Më: 9 nëntor 2025 Në ora: 17:01
Besnik Tahiri

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka vlerësuar pozitivisht procesin zgjedhor për kryetar në 18 komuna të Kosovës, teksa parregullsitë e mundshme i ka raportuar në Komisionin Qendror Zgjedhor, raporton KosovaPress.

Në një konferencë për media, anëtari i kryesisë së kësaj partie Besnik Tahiri ka thënë se në komunat ku garon AAK-ja ka ankesa mbi votimin e personave me aftësi të kufizuara, të cilat i kanë raportuar në KQZ.

Tahiri: Në orët e fundit kemi vërejtur defilim të zyrtarëve me funksione shtetërore

“Nga të dhënat që kemi nga shtabet tonë zgjedhore mbarëvajtja e procesit zgjedhor deri më tani ka kaluar mirë pa ndonjë ekses të theksuar. Ajo që kemi parë është një dalje e vogël në krahasim me raundin e parë të zgjedhjeve diku rreth 21 për qind. Nga komunat ka pasur disa ankesa lidhur me votimin e personave me aftësi të kufizuara që i kemi raportuar në KQZ. Në orët e fundit po ashtu keni vërejtur një defilim të zyrtarëve që kanë funksione shtetërore, të cilët në një formë apo tjetër kanë kaluar në qytete të ndryshme, e cila me një formë apo tjetër ka ndikim”, tha Tahiri.

Tahiri ftoi qytetarët të dalin e të votojnë për të dhënë kontributin e tyre në demokraci.

Tahiri: Ditë feste për AAK-në

“Kërkesa jonë është e thjeshtë kjo është një ditë feste për AAK-në, është një festë e madhe, një fuqizim dhe rikthim i fuqishëm i Aleancës, mos ta prishim në këtë orë një festë shumë të rëndësishme. I ftojmë të gjithë qytetarët të japin kontributin e tyre në demokraci, sepse dalja në zgjedhje është momenti i gjykimit për secilin prej nesh”, tha Tahiri.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar garon në Gjakovë, Junik, Rahovec, Suharekë dhe Klinë. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat