Ish-diplomati amerikan Christopher Hill, e ka përfunduar dëshminë e tij në Hagë.
Gjatë dy ditëve, ai ishte i ftuar nga mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi.
Hill iu përgjigj pyetjeve të parashtruar nga avokatët, prokurorët dhe gjykatësit.
Ndërkaq, sot në seancë pritet të paraqitet edhe dëshmitari i mbrojtur.
Seanca e radhës pritet të nisë me fillim nga ora 15:15.
Hill flet për komentet e Millosheviqit për Thaçin
Christopher Hill sërish u pyet nga avokati i Thaçit, lidhur me takimin me Sllobodan Millosheviqit, kur ai kishte thënë se Thaçi “ishte person që torturon dhe vret njerëz”.
Ai përsëriti qëndrimin se nuk kishte asgjë që sugjeronte se Thaçi ishte përfshirë në shkelje në të drejtat e njeriut.
Sa i përket dy takimeve me Millosheviqit, Hill tha se udhëheqësin serb e shqetësonte fakti që “ne po anonim më shumë më shumë nga UÇK-ja se LDK-ja”.
Hill: Thaçi nuk ishte vendimmarrës
I fundit nga trupi gjykues që i parashtroi pyetje Hillit ishte gjykatës Christoph Barthe. Ai kërkoi nga Hilli të shpjegonte se si ishte e mundur që Thaçi, që Hill tha se nuk e dinte nëse ishte themelues i UÇK-së, të merrte një rol kaq të madh në Rambuje dhe më pas në Qeverinë e përkohshme të Kosovës.
Hill tha se për këtë s’ka shpejgim, por mendon se Thaçi s’ishte vendimmarrës.
“S’kam shpjegim, por kam mendime. Në nga to është mbase nuk ishte aq i fuqishëm sa shikohej nga jashtë. Sepse çdo vendim që merrte ai vinte si rezultat i shumë konsultimeve pararendëse. Përshtypja ime është që ai ishte një bashkëbisedues i besueshëm, por nuk ishte vendimmarrës. Kjo përshtypje bënte kuptim kur ai na tha se nuk mund të pajtohej lidhur me atë që ishte bërë në Rambuje, dhe shembull na tha që nëse pajtohej pa u konsultuar kur të kthehej do ta vrisnin. Një vendimmarrës nuk e bën një koment të kësaj natyre. Unë e kam kuptuar se ai ishte i besuar për të mbledhur informacione. Atij i besohej të parashtronte argumentet e UÇK-së, por nuk ishte i besuar në vendimmarrje, nuk i ishte lënë në dorë vendimmarrja”, tha Hill. / REL
Hill pyetet për madhësinë e UÇK-së
Gjykatësi Geynor lexoi një dokument, ku një burim i mbrojtur kishte pretenduar se UÇK-ja kishte 30 mijë ushtarë dhe po aq armë.
Në dokumentin e shkruar nga Burns, tha gjykatësi, SHBA-ja vlerësonte se UÇK-ja kishte 22 mijë anëtarë, kishte zona dhe secila prej tyre kishte pesë brigada dhe pesë batalione me 140-150 persona.
Hill tha se nuk e di se si është mbledhur ky informacion dhe nuk i kujtohej nëse inteligjenca amerikane e kishte konfirmuar një shifër të tillë.
Por, tha se për të nuk ishte e rëndësishme se sa brigada e batalione kishte UÇK-ja.
“Megjithatë, lidhur me vazhdimin e negociatave, situata nuk ndryshonte për mua, sepse ne na duhej UÇK-ja si pjesë e negociatave pavarësisht se sa brigada kishin. Ne donim që të mos e linin mënjan LDK-në, se ajo nuk kishte rëndësi, siç thoshin disa”, tha Hill.
Sipas këtyre shifrave, Hill tha se UÇK-ja del të ketë qenë një forcë e madhe, “por kjo nuk më interesonte”, pasi sipas tij, për negociata ai dëshironte që të kishte një grup përfshirës, “nga UÇK-ja, LDK-ja dhe të pavarurit dhe për të gjetur një zgjidhje”. / REL
Hill: Përshtypja ime është që Thaçi nuk mund të lëvizte gjërat brenda UÇK-së
Gjykatësi Gaynor e pyeti Hillin nëse pajtohej që UÇK-ja mund të përshkruhej si një lëvizje çlirimtare e armatosur.
Ai tha se po, megjithatë shtoi se UÇK-ja kishte grupe që vepronin “sipas kokës së tyre”.
Kur u pyet të bënte dallimin mes një udhëheqësi politik dhe ushtarak në kuadër të një lëvizjeje të tillë, Hill tha se Thaçi nuk i dukej se mund të “lëvizte gjërat brenda UÇK-së”.
“Udhëheqësi politik është një person që luan një rol të ministrit të Jashtëm, nëse mund ta them kështu, dhe nuk është përgjegjës për punët e brendshme. Përshtypja ime është që nëse shikoni historikun e Thaçit, formimin e tij, nuk ka asgjë që sugjeron se mund të lëvizte gjërat brenda UÇK-së. Por, në pikëpamjen e jashtme ai e kuptonte se si funksiononte bota dhe e kuptonte që është e rëndësishme që SHBA-ja të ishte në anën e tyre”, tha ai. / REL
Hill: UÇK-ja dëshironte të tregonte se ishte përgjegjëse për Kosovën
Gjykatësi Fergal Gaynor e pyeti Hillin për një kabllogram të 3 nëntorit 1998, të shkruar nga ish-diplomati amerikan Sean Burns, ku jepeshin detaje për strukturën e UÇK-së, përfshirë drejtorinë politike dhe shtabin e përgjithshëm.
Hill tha se ai nuk pajtohej me këtë përshkrim të Burns, dhe se i dukej e ekzagjeruar. Ai tha se ka gjasa që këto informacione Burns i ka marrë nga burimet e UÇK-së.
"Sean ishte më i prirë se unë të besonte se ekzistonte një objekt që kishte linjën hierarkike të komunikimit, që njihej ndryshe si UÇK-ja dhe termi komisar është term perëndimor. Megjithatë, ai mendonte se ekzistonte një strukturë e mirëorganizuar. Unë nuk ndaja të njëjtin mendim. Unë e respektoj shumë Seanin, por mendoj se kjo ishte një orvatje për të prërshkruar një organizatë dhe mendoj se e kishte ekzagjeruar pak përshkrimin e kësaj organizate", tha Hill.
Ai tha se këto informacione nuk synonin të thoshin të vërtetën, por të kishin ndikim.
“Ishte përpjekje për të na bindur ne dhe për të na thënë se kjo është një organizatë dhe një ushtri e mirëorganizuar. Unë nuk e shihja njësoj si ai. Dhe të jem i sinqertë nuk pajtohem me këtë deklaratë dhe ai kam thënë”, tha Hill.
Sipas Hillit, ata nuk kishin parë një organizatë të strukturuar mirë, sipas standardeve perëndimore.
“UÇK-ja donte të tregonte se ne jemi përgjegjës për Kosovën, jo LDK-ja. Nën dy, nëse na duhen aleatë në një betejë kandër Serbisë, atëherë duhet të themi se kemi një ushtri të mirë në terren dhe emri i saj është UÇK. Dhe, meqë kemi ushtri dhe kontroll politike, e vetmja që mungonte ishte forca ajrore. Shpesh na thoshin se duhet të përfshiheshim në fushatën bombarduese. Kjo është shkruar për këtë pasur ndikim jo për të informuar”, tha Hill. / REL
Hill: Millosheviqi mendonte se po hiqnim dorë nga Rugova për UÇK-në
Christopher Hill u pyet pse ish-udhëheqësi i Serbisë, Sllobodan Millosheviq, përmendi me emër Hashim Thaçit gjatë takimit të tyre.
“Millosheviqi mendonte se ne po largoheshim nga [Ibrahim] Rugova dhe mendonte se ishte gabim i rëndë sepse mendonte se atij i duhej të merrej me UÇK-në, që kishte qëndrim të ashpër. Rugova asnjëherë nuk kërkoi më pak se pavarësia, por pranoi se nuk ishte i interesuar për luftën e armatosur”, tha Hill.
Sipas Hillit, Millosheviq ishte i shqetësuar se “ne do ta mënjanonim Rugovën dhe të zgjidhnim UÇK-në si partneren tonë. Pse shqetësohej për këtë, nuk jam i sigurt”.
Ai tha se ndjesi të tillë kishin edhe të tjerët dhe kishte edhe brenda SHBA-së që mendonin se duhej komunikuar më shumë me UÇK-në. / REL
Hill: Isha i kënaqur që i gjithë delegacioni i Kosovës u pajtuan me marrëveshjen në Rambuje
I dërguari i SHBA-së për Kosovën në kohën e luftës, Christopher Hill, u pyet për procesin e Rambujesë. Ai tha se gjatë bisedimeve ai ishte optimist se Rambujeja do të funksiononte.
Ai tha se morën sinjale nga shtabi i përgjithshëm i UÇK-së se e përkrahnin marrëveshjen, por tregoi se kishin shqetësime se çfarë do të ndodhte në Serbi, pasi nuk e nënshkroi marrëveshjen.
“Shqiptarët u kthyen në Kosovë për të gjetur paqe, pas Rambujesë serbët u kthyen në Serbi për t’u përgatitur për luftë”, tha ai.
Kur u pyet se kush e nënshkroi marrëveshjen, Hill tha se nuk i kujtohej.
“Ajo çfarë më kujtohet është se i gjithë delegacioni i Kosovës ishte dakord për marrëveshjen dhe ishin pozitivë për nënshkrimin në Paris. Isha shumë i kënaqur, që ata s’kishin pasur qasje të njëjtë, në atë moment ishin në një mendje, ishin bashkë”, tha ai.
Hill u pyet nëse Italia kishte ngurruar për marrëveshjen, pasi Serbia nuk e kishte nënshkruar. Hill tha se marrëveshja ishte mesazh për serbët se “kjo do të ndodhë dhe është mirë që të bëheni pjesë e procesit”.
Sipas tij, ky proces hodhi poshtë idenë e Sllobodan Millosheviqit që "shqiptarët nuk pajtohen për asgjë".
“Ky ishte një mesazh i kundërt me atë se çfarë po thoshte Millosheviqi. Ne, po i thoshim Milloshevqit që ai e kishe gabim se e arritëm marrëveshjen, por t'i do të bësh mirë që të mendosh se cila do të jetë lëvizja e radhës e Serbisë”, u shpreh Hill. / REL
Hill: Italianët ishin më skeptikë ndaj sjelljes së UÇK-së
Gjykatësi Guenael Mettraux shfaqi një kabllogram ku ministri i atëhershëm i Jashtëm i Italisë, Roberto Dini, ishte ankuar për “komunikatën numër 31 të UÇK-së”. Sipas kabllogramit, ai e lexoi këtë komunikatë gjatë takimit në Rambuje dhe kërkoi shpjegim ku thuhej se UÇK-ja nuk mbështeste përpjekjet e Rambujesë.
Hill tha se “italianët ishin më skeptikë ndaj sjelljes së UÇK-së”.
Në kabllogramin e lexuar, citohej Thaçi të ketë thënë se çfarëdo marrëveshje që do të arrihej në Rambuje, UÇK-ja do të ishte e obliguar ta zbatonte në terren. “Unë e garantoj këtë unë e kam kompetencën ta bëjë këtë”, thuhej në kabllogram.
Hill tha se ministri italian i shprehu shqetësime te sekretarja e Shtetit, Albright.
Më pas Hill tha se bisedoi me Thaçin që të shmangej situata, pasi “kjo nuk na ndihmonte fare.
“Në thelb UÇK-ja po përpiqej të krijonte probleme mes neve dhe anëtarëve të tjerë të grupit të kontaktit. Unë ju thash UÇK-së mos insistoni më shumë seç duhet, ne jemi të interesuar të kemi raporte të mira me aleatët tanë, në këtë rast Italinë”, tha Hill, duke shtuar se kërkoi nga Thaçi përkushtim të plotë për procesin e bisedimeve. / REL
Hill: Demaçi nuk ishte një person me të cilin mund të bashkëpunohej
Trupi gjykues e pyeti Hillin për Adem Demaçin. Sipas diplomatit amerikan në pension, Demaçi ishte një person që kishte qëndrime të ashpra ndaj Serbisë dhe “një lloj mllefi” pasi kishte qenë i burgosur.
“Ai nuk ishte një person me të cilin mund të bashkëpunoje, të punoje në një dokument. Kishte opinione shumë të forta. Por, në aspektin e bashkëpunimit ishte i vështirë dhe ne nuk ishim të interesuar ta promovonim atë si person”, tha Hill.
I pyetur nëse ishte kundër që Demaçi të bëhej pjesë e ekipit për në Rambuje, Hill tha se nuk ishte në favor që ai të merrte rol udhëheqës.
“Në mungesë të komandës, kishte luftë mes njerëzve për pozicione. Ai mendonte se kishte vuajtur më shumë dhe mendonte se i takonte një rol udhëheqës. Unë nuk doja që ai të ishte personi që ta konsolidonte këtë rol. Ishte shqetësim”, tha ai.