MASHTI me trajnim për Kurrikulën e re për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme

Aktuale

MASHTI me trajnim për Kurrikulën e re për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme

Më: 13 nëntor 2025 Në ora: 15:06
MASHTI me trajnim për Kurrikulën e re për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim me UNICEF-in, ka filluar procesin e trajnimit të trajnerëve për Kurrikulën e re për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme për fëmijët nga zero deri në gjashtë vjeç në Kosovë.

Sipas MASHTI-t, ky proces shënon përfundimin e një kapitulli dyvjeçar, me punë dhe përkushtim nga shumë akterë për zhvillimin dhe pilotimin e Kurrikulës, i kurorëzuar me aprovimin e saj.

“Njëkohësisht, ky është fillimi i një kapitulli të ri dhe të gjatë për zgjerimin e zbatimit të Kurrikulës, që fëmijët në edukimin e hershëm në nivel vendi të zhvillohen dhe mësojnë në një mjedis që mbështet lojën dhe eksplorimin e vazhdueshëm, si dhe një qasje edukative që bazohet në nevojat dhe interesat e fëmijëve, por që njeh po ashtu rolin dhe pjesëmarrjen aktive të prindërve në edukimin e tyre”, thotë MASHTI.

Trajnimi, i cili do të zgjasë pesë ditë, do të pasohet nga vlerësimi dhe përzgjedhja e trajnerëve të Kurrikulës, duke mundësuar nisjen e ndërtimit të kapaciteteve të edukatorëve në nivel të Kosovës për zbatimin cilësor të saj, dhe sigurimin e të drejtës së çdo fëmije për edukim cilësor dhe arritjen e potencialit të tij zhvillimor.

“Kjo punë u mundësua me mbështetjen financiare të Embassy of the Grand-Duchy of Luxembourg in Prishtina dhe në bashkëpunim me Qendra për Shërbime Humane dhe Zhvillim”, ka bërë të ditur MASHTI.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat