Ish-deputeti i LDK-së, Naser Rugova, ka reaguar duke shprehur shqetësimin e tij për situatën politike dhe institucionale në vend, të cilën e quan “labirint të paqartë” me pasoja serioze politike, ekonomike e sociale.
Ai kritikon atmosferën toksike, mungesën e dialogut dhe përçarjet, duke theksuar se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja. Rugova apelon që LDK-ja të marrë rolin prijës dhe të rikthehet te ideologjia e saj shtetndërtuese, duke u hapur për figura të reja e të fuqishme.
Ai kërkon reforma të menjëhershme brenda partisë dhe thekson se LDK ka potencial të mjaftueshëm pa nevojën për koalicione të panatyrshme.
Në fund, ai deklaron se nuk ka synim për asnjë post politik.
Postimi i plotë:
Vëndi ynë po vazhdon të rrëshqasë në një labirint institucional dhe politik tepër të pakjartë, me implikime serioze jo vetëm politike, financiare dhe sociale por edhe në pasiguri të madhe në funksionimin e shtetit.
Ambient politik toksik, mungesë dialogu politik, mostolerancë, urrejtje dhe përqarje absurde gati anakronike.
Është momenti i fundit që edhe “pushtetarët” edhe subjektet politike me traditë shtetndërtimi të reflektojnë.
Si duket po shkojmë në zgjedhje të reja. Roli dhe përgjegjësia e partisë që ideoj shtetësinë e Kosovës do duhej të ishte prijetar në daljen nga ky kaos politik, institucional e moral. Lidershipi i LDK- së duhet të jetë tepër vigjilent, unifikues, largpamës në mënyrë që të ketë peshën e mjaftueshme politike që të prijë në udhëheqjen e shtetit. Ti kthehet ideologjisë dhe filozofisë politike burimore, të ftoj të gjithë njerëzit me peshë politike, veprimtarët, njerzit që e duan LDK-në nga qarku akademik dhe kulturor dhe të hapet për njerëz të duhur që i kontribojnë rikthimit të pritur. Me urgjencë duhet reformë dhe ndryshime me takt në disa degë pas një analize të saktë, miradashëse dhe që e kërkon koha.
LDK ka mjaft potencial, nuk ka nevojë për koalicione të panatyrshme me askënd, prandaj është kohë reflektimi dhe veprimi me takt e racionalitet.
LDK e urtësisë, dijes, shtetndërtimit dhe besimit i duhet shumë Kosovës!
P.S. Nuk kam asnjë aspiratë për asnjë pozitë politike, ky apel është vetëm në interesin e fuqizimit dhe rikthimit të LDK-së si garancë e stabiitetit dhe prosperitetit të shtetit tonë.