​“Ishte si oficer ndërlidhës”, Clark flet për takimet me Thaçin

Aktuale

​“Ishte si oficer ndërlidhës”, Clark flet për takimet me Thaçin

Më: 18 nëntor 2025 Në ora: 16:27
Ish-komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s për Evropën, gjenerali Wesley Clark

Ish-komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s për Evropën, gjenerali Wesley Clark gjatë dëshmisë së tij në gjykatoren e Hagës tha se kanë ekzistuar përpjekjet e të gjithë që të merrnin informacione nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK). Por, ai shtoi se këto informacione nuk i ka marr nga Hashim Thaçi, por më shumë informacione janë nxjerr nga nivele të ulëta.

Gjenerali në pension, Clark është dëshmitari i fundit i mbrojtjes së Hashim Thaçit, i cili dëshminë e tij pranë Dhomave të Specializuara e ka nisur qysh dje.

Clark: Nga Thaçi nuk mora asnjë informacion

“Ka qenë data 26 maj kur ne po merreshim me çështjen e malit e Pashtrikut nuk vihet në dyshim që të gjithë po përpiqeshim të merrnim informacion nga UÇK duhet të merrnim informacion sa më shumë që të mundemi nga terreni dhe gradualisht kemi marr më shumë informacione po merrnin nga të gjitha burimet e mundshme...Nuk kam marr asnjë gjë nga zotëri Thaçi cili siç e dini pretendohet të ketë qenë përgjegjës tek unë nuk ka ardhur është nxjerr nga nivele më të ulëta nga njerëzit në bisedat jo formale dhe kam marr përshtypjen e forcave të mija speciale që ishin në Kukës”, tha ai.

Në pyetjen e ZPS-së se a është e vërtet se hera e fundit dhe e vetme që dëshmitari, Wesley Clark e ka takuar Hashim Thaçin ishte në vitin 1999, Clark konfirmoi atë duke theksuar se takimi në fjalë kishte ndodhur në bazën ajrore.

Clark: Thaçi mund të ketë ardhur në zyrën time

“Po mund të ketë ardhur në zyrën time më kujtohet në mënyrë të vagullt, por nuk jam kthyer atje nuk jam i sigurt që e kam në letrat e mijë që janë të klasifikuara duhet të shkoj t’i shkoj t’i konsultoj ato dokumente”, tha ai.

Prokurori i ZPS-së gjatë marrjes në pyetje të Clark ia kujtoi këtij të fundit deklaratën për takimin me Hashim Thaçin në prill të 1999 për të kërkuar ndihmën e tij në identifikimin e objektivave për bombardimet e NATO-s.

Më pas gjenerali amerikan konfirmoi se ky takim ishte mbajtur në selinë e tij, dhe se siç u shpreh ai mendonte se Thaçi ishte si oficer ndërlidhës.

Clark për Thaçin: Ishte si oficer ndërlidhës

“Jam i sigurt se është mbajtur në selinë time.... Ai ishte si oficer ndërlidhës. E kuptova se ai po kërkonte para dhe mbështetje nga diaspora shqiptare”, tha ai.

Teksa prokurori, Halling po vazhdon me pyetje karshi gjeneralit amerikan ai lexoi edhe një raport informimi të ish-ministrit të Jashtëm britanik, Robin Cook, lidhur me operacionet e NATO-s.

Sipas këtij raporti thuhej se shteti britanik kishte marr nga UÇK-ja në dy javë e fundit disa raporte, por që nuk synonin t’i furnizonin me armë UÇK-në.

Për këtë Clark shprehu sigurinë e tij se ka pas deklarata të tilla nga dikush që UÇK kishte trokitur për ndihmë.

Gjenerali amerikan, Wesley Clark deklaron se nuk mund të konfirmojë nëse ndonjë vend anëtari i NATO-s i kishte dhënë armë UÇK-së pas nënshkrimit të marrëveshjes së Rambujesë në fillim të vitit 1999.

Procesi i paraqitjes së provave nga mbrojtja ka filluar më 15 shtator, me dëshminë e ish-ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin. Më pas ka dëshmuar Paul Williams, ish-këshilltar ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje.

Më 22 shtator dëshmoi edhe John Stewart Duncan, ish-këshilltar politik i gjeneralit Clark në NATO, i cili e përmbylli dëshminë një ditë më vonë. Ndërkaq, më 30 shtator ka filluar dëshminë James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë Bernard Kouchner, i cili ka mbyllur paraqitjen më 2 tetor.

Dhomat e Specializuara kanë njoftuar se 14 nëntori shënon përfundimin e fazës së mbrojtjes.

Parashtresat përfundimtare, si dhe deklarimet për ndikimin e krimeve të pretenduara te viktimat, pritet të dorëzohen deri më 22 dhjetor 2025.

Në mbështetje të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë mbajtur katër protesta në Prishtinë, Hagë, Tiranë dhe e fundit ka qenë në Strasburg.

Ndërsa, më 5 nëntor janë bërë 5 vite prej kur katërshja e UÇK-së ndodhen në paraburgim. Ish-krerët e UÇK-së akuzohen për krime të pretenduara të luftës për çka janë deklaruar të pafajshëm.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat