Presidentja Vjosa Osmani ka ndarë mirënjohje për Diar, Anik dhe Rajana Terziun, të cilët gjetën një portofol me para dhe e dorëzuan në polici, duke treguar, siç thekson ajo, ndershmëri dhe përgjegjësi qytetare.
Në postimin e saj, Osmani i ka cilësuar tre fëmijët “heronj të vegjël” dhe shembull frymëzues për fëmijët e tjerë në mbarë vendin.
Takimi me ta u zhvillua sot, në Ditën Botërore të Fëmijëve.
Postimi i plotë
Sot, në Ditën Botërore të Fëmijëve, pata kënaqësinë t'i pres në takim tre heronjtë e vegjël që na dhanë një shembull të jashtëzakonshëm ndershmërie: Diar Terziun, Anik Terziun dhe Rajana Terziun. Ata gjetën një portofol me para dhe e dorëzuan në polici, duke treguar vlera të larta morale.
Atyre ju ndava mirënjohje për aktin e ndershmërisë dhe përgjegjësisë qytetare, duke u shndërruar në shembull frymëzues për të gjithë fëmijët e vendit.