“28 dhjetori, referendum për sovranitetin e Kosovës”- Veprimtari shqiptaro-amerikan me reagim të ashpër ndaj Haradinajt

Aktuale

“28 dhjetori, referendum për sovranitetin e Kosovës”- Veprimtari shqiptaro-amerikan me reagim të ashpër ndaj Haradinajt

Nga: M.L. Më: 24 nëntor 2025 Në ora: 09:23
Albin Kurti e Ramush Haradinaj

Veprimtari shqiptaro-amerikan, Hafiz Shala i është drejtuar me një reagim të ashpër kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, duke kritikuar zhvillimet e fundit politike në vend dhe duke e akuzuar se ai dhe disa figura të tjera të skenës politike po bashkëpunojnë me Listën Serbe dhe me kriminelin e shpallur Millan Radoiqiq.

Ai thotë se “as vjedhja e shtetit e as bashkëpunimi me Listën serboshqipfolëse” nuk mund të justifikohen, ndërsa pretendon se disa ish-zyrtarë kanë pasur marrëdhënie politike e biznesore me Radoiqiqin, duke e konsideruar si akt të dorëzimit të veriut nën ndikimin serb.

Sipas tij, edhe ish-krerë të shtetit e kanë pritur në zyrat e tyre Radoiqiqin, ndërsa disa figura politike që vetëquhen “krahu i luftës” – kanë bashkëpunuar me persona të përfshirë në krime ndaj shqiptarëve.

Veprimtari thekson se të njëjtët individë tash kërkojnë rikthimin e situatës në “pikën zero”, ndërsa kundërshtojnë ashpër kryeministrin Albin Kurti, të cilin e cilëson si çlirimtar definitiv të Mitrovicës.

Veprimtari ka paralajmëruar rëndësinë e datës 28 dhjetor, të cilën e quan “referendum për sovranitetin e Dardanisë”, duke shtuar se çdo hap që do t’i jepte më shumë hapësirë ndikimit serb do të ishte “shkelje mbi gjakun e heronjve dhe martirëve”.

Në përmbyllje, veprimtari u ka bërë thirrje liderëve politikë, përfshirë Ramush Haradinajn, për më shumë unitet kombëtar dhe mbrojtje të sovranitetit të vendit në një periudhë që ai e cilëson vendimtare për të ardhmen e Kosovës.

Postimi i plotë:

As me e vjedhë shtetin e as me bashkëpunue me Listën serboshqipfolëse dhe kryetarin aktual të saj, kriminelin Millan Radojqiq, me të cilin kishte marrëdhënie biznesore e politike. Si kryeministër ishte i pranishëm dhe i mirëseardhur, të cilin në një mënyrë ia dorëzoi veriun në cilësinë e majorit të pjesës veriore. Edhe ish-presidenti po ashtu e ka pasë në zyre. Merreni me mend, krahu i ashtuquajtur i luftës (përjashto Ramushin, i cili ka luftue), t’i afrojnë një kriminel e terrorist i cili personalisht ka vra shqiptarë. Por, kur ia dhanë tërë atë pushtet në veri, ai u siguronte vizita “pa pengesa në veri”.

Prandaj, edhe skuthat e LDK-së e dëshirojnë kthimin në pikën zero, pasi asnjë problem nuk e kanë Listën serboshqipfolëse, bash hiq nuk e kanë problem, por problemin kryesor e kanë Albin Kurtin, çlirimtarin definitiv të pjesës veriore. Aty këtyre hajduto-kriminelëve po u djeg miratimi i formimit të Byros për justifikimin e pasurisë së jashtëligjshme. Albin Kurti nuk e themelon Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ani pse e ka pranuar Marrëveshjen e Ohrit, ku sipas renditjes së obligimeve, njohja nga Serbia është para themelimit të këtij asociacioni.

Sipas kësaj, ka tendenca që Kurtit mundësisht t’ia eliminojnë mundësinë e ardhjes në postin e kryeministrit, ndoshta, duke na preferuar – mos të them imponuar – ndonjë president ose kryeministër “postjer”, i cili çdo mëngjes i duhet me shkue në ambasada me i marrë postat ditore, dhe kur t’i klasifikojë, fillon t’i zbatojë, e në mbrëmje t’u raportojë ato, e kështu me radhë.

Shteti nuk udhëhiqet me “kërpesh”.

Prandaj, më 28 dhjetor mbahet Referendumi për sovranitetin e Dardanisë ose nën monitorimin dhe kufizimin nga shteti i Serbisë. Nëse pranohet kjo e fundit, po shkelni mbi gjakun e popullit shqiptar, duke i injoruar heronjtë e martirët. Zoti do t’iu mallkojë e dënojë, gjeneratat e reja do t’ju mallkojnë, sepse i latë nën kontrollin dhe diktatin e xhelatit shekullor – Serbisë.

Askush nuk mendon se nuk duhet të bashkëpunohet posaçërisht me SHBA-të, por jo ta përjetojmë fatin e Ukrainës, e cila edhe pas atyre humbjeve në njerëz, po detyrohet ta pranojë një marrëveshje e cila, sikur ajo e para, nuk i siguroi asgjë kur i dorëzoi armët bërthamore, dhe e njëjta gjë do t’i ndodhë pas sa dekadash.

Në këtë rast SHBA-të u fuqizuan, çka është mirë për neve, sepse po mbetet fuqi superiore në botë të cilës duhet t’i përkulet edhe Evropa e pafuqishme, ndërsa në një mënyrë Kinën po e ndajnë nga Rusia, nëse dëshiron t’u shpëtojë sanksioneve ekonomike.

Pra, SHBA-të po mbeten shpresa dhe fuqia botërore për tërë njerëzimin.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat