Driton Tali rikujton 6 dhjetorin 2007: Dështimi i negociatave ishte fitore historike për Kosovën

Aktuale

Driton Tali rikujton 6 dhjetorin 2007: Dështimi i negociatave ishte fitore historike për Kosovën

Nga: A.SH Më: 6 dhjetor 2025 Në ora: 15:44
Driton Tali

Analisti politik, Driton Tali, ka kujtuar 6 dhjetorin e vitit 2007 si një nga datat më të rëndësishme për historinë e Kosovës. Në një shkrim publik, ai tha se atë ditë Trojka ndërkombëtare (BE–SHBA–Rusi) konfirmoi zyrtarisht dështimin e negociatave për statusin final të Kosovës, duke hapur rrugën për shpalljen e pavarësisë.

Tali thekson se ky dështim ishte në fakt fitore, sepse sipas tij “Serbia nuk do ta njihte kurrë Kosovën” dhe pavarësia do të duhej të shpallej njëanshëm me përkrahjen e aleatëve. Ai kujton se kishte kritikuar ashpër procesin e negociatave, duke e cilësuar ekipin kosovar të papërgatitur dhe të gatshëm për lëshime të panevojshme.

Në shkrimin e tij, Tali rrëfen edhe një moment personal me një diplomat britanik që e kishte informuar paraprakisht për rezultatin e negociatave, duke e uruar si “fitore” për Kosovën.

Ai shton se shpallja e pavarësisë u shty deri më 17 shkurt 2008 vetëm për arsye teknike, pasi sapo ishin mbajtur zgjedhjet dhe pritej konstituimi i Kuvendit.

Shkrimi i plotë:

6 Dhjetori, kjo datë historike për Kosovën!

Si sot, para 18 vitesh, e pata festuar "dështimin" e negociatave për Statusin Final të Kosovës.

Rreth tri javë më herët, gjatë debateve zgjedhore (2007), në TV21, në një debat zgjedhor (ku isha bashkë me Xhavit Halitin dhe Numan Baliqin), pata deklaruar se "Serbia nuk e njeh Kosovën dhe Shpalljen e Pavarësisë do ta bëjmë njëanshëm, edhe ate shumë shpejt, me bekimin e miqve tanë". Në disa prej mediave të kohës mora kritika se po e “keqpërdorja çështjen për nevoja politike zgjedhore", madje edhe duke pretenduar se Rusia, nën presionin e aleatëve tanë, paskësh pranuar kompromis… Bile disa individë të përfshirë drejtpërdrejt në ato negociata, të cilët ende shihnin ëndrra “me sy çelë”, deklaronin publikisht se "pas gjithë atyre kompromiseve të dhimbshme, Serbia do ta njihte Kosovën". Bile, bile edhe propozonin skenarin se kush duhej të ishte prezent në “aktin final” – duke riprodhuar “Ballkonin e 28 Nëntorit 1912”.

Sidoqoftë, meqë kjo datë historike pothuajse nuk përmendet fare, sa për freskim të memories po e rikujtoj se më 6 dhjetor 2007, Trojka (Bashkimi Evropian – SHBA – Rusia) konfirmoi zyrtarisht se negociatat për statusin e Kosovës kishin dështuar plotësisht.

Dialogu nën udhëheqjen e Martti Ahtisarit kishte filluar zyrtarisht më 20 shkurt 2006, ndërsa takimet e para u mbajtën më 21–22 shkurt. Dhe zgjati deri më 6 dhjetor 2007, kur Trojka i paraqiti raportin final OKB-së, ku thuhej:

“Kosova dhe Serbia nuk arritën marrëveshje për statusin final.”

Më kujtohet se një mik imi britanik (diplomat në Kosovë), një natë para shpalljes së raportit – më 5 dhjetor – më ftoi për kafe dhe ma dha lajmin paraprakisht, bashkë me urimin. Natyrisht, ajo kafe më pas u shndërrua në një aheng të vogël me raki.

Arsyeja ishte e qartë: unë kisha qenë shumë i zëshëm kundër mënyrës si zhvilloheshin negociatat, sepse Grupi ynë ishte i papërgatitur, bënte lëshime të panevojshme para kohe dhe, sa herë përballeshin me kritika, justifikoheshin me “kështu na kanë këshilluar ekspertët e huaj”. Ndërsa unë këtë e përshkruaja si “janë hy dhondër me … të huaj”.

Më kujtohet edhe një episod tjetër: njërit prej anëtarëve të Grupit Negociator, që konsiderohej si “më i lexuari”, i pata bërë pyetjen, ashtu në një ndejë miqësore, nëse kishte lexuar ndonjë gjë për Teorinë e Lojës, dhe posaçërisht për Shellingun (i cili një vit më për kishte fituar Nobel për “Teorinë e Lojës dhe konfliktin strategjik”). Nga mënyra si më shikoi (nga grimaza), kuptova se jo vetëm që s’e kishte lexuar, por “as kurrë nuk kishte dëgjuar!”

Sidoqoftë — se e zgjata shumë — më 6 dhjetor 2007, Kosova mori zyrtarisht dritën jeshile për ta shpallur Pavarësinë.

Pse u shty deri më 17 shkurt 2008? Arsyet ishin thjesht teknike dhe organizative: sapo kishim mbajtur zgjedhjet dhe duhej kohë që Kuvendi të konstituohej.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat