Ish-komandanti i UÇK-së dhe veterani i luftës në Slloveni, Hafir Hoxha, ka reaguar ashpër ndaj disa individëve që, sipas tij, përdorin emrin e “komandantëve” për pushtet dhe ndikim brenda partive politike.
Hoxha thotë se këta persona kanë krijuar rreth të mbyllur servilësh dhe po manipulojnë opinionin me “trimëri të rrejshme”, duke larguar nga skena luftëtarët e vërtetë. Sipas tij, ata shtrembërojnë historinë e luftës për interesa personale dhe dëmtojnë figurën e dëshmorëve.
Shkrimi i plotë:
Veterani i luftës 1991 në Slloveni , 1998/99 UÇK
Ende shohim individë që në emër të “komandantëve” janë futur thellë ( zapues) në partitë politike dhe kanë ngulfatur udhëheqësit e tyre me narrativa të pavërteta për “trimëritë” e veta. Këta njerëz shpesh krijojnë një rreth të mbyllur rreth vetes dhe nuk lejojnë të afrohen luftëtarë të tjerë të vërtetë – nga frika se e vërteta do t’i zbulojë gënjeshtrat dhe paaftësitë e tyre.
Në vend të luftëtarëve të ndershëm, ata afër vetes mbajnë servilë e gënjeshtarë, të cilët i përdorin për të forcuar pozitën e tyre politike. Këta individë manipulojnë opinionin, rrisin rolin e tyre në luftë dhe ndërkohë e gërryejnë vazhdimisht vlerën e dëshmorëve dhe të sakrificës së vërtetë të UÇK-së. Shpesh, për interesa personale, ata i zmadhojnë apo shtrembërojnë ngjarjet historike – duke e dëmtuar kujtesën kolektive dhe të vërtetën e luftës sonë.
Kjo është një dukuri e rrezikshme, sepse:
• deformon historinë e UÇK-së,
• zhvesh nga merita luftëtarët e vërtetë,
• krijon kulturë servilizmi e manipulimi në parti,
• dhe i dëmton proceset demokratike e zhvillimin e vendit.