Durmishi: Kemi shpallur thirrjen për aplikim për transportin publik, qëllimi të bashkohet më fort Mitrovica e Jugut me Veriun

Aktuale

Durmishi: Kemi shpallur thirrjen për aplikim për transportin publik, qëllimi të bashkohet më fort Mitrovica e Jugut me Veriun

Më: 17 dhjetor 2025 Në ora: 10:58
Hysen Durmishi

Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka njoftuar për një hap të ri drejt përmirësimit të transportit publik dhe forcimit të lidhjeve ndërmjet qyteteve në veri dhe jug të vendit, me theks të veçantë në Mitrovicë.

Durmishi thotë se është shpallur thirrja për aplikim për transportin publik të subvencionuar, me synimin që të lehtësohet lëvizja e qytetarëve dhe të forcohet bashkëpunimi e integrimi ndërmjet Mitrovicës së Jugut dhe asaj të Veriut, si dhe komunave përreth.

Në kuadër të këtij projekti, do të funksionalizohen linja të reja autobusi nga Mitrovica e Jugut drejt Leposaviqit deri në Jarinjë, drejt Zubin Potokut deri në Bërnjak, si dhe drejt Kroi i Vitakut, Zhazhës, Bistricës dhe Cerajës. Po ashtu, janë planifikuar linja nga Mitrovica e Jugut për në Banjskë dhe fshatrat e tjera të Zveçanit, si dhe anasjelltas.

Ministri në detyrë ka theksuar se ky projekt synon të sigurojë lëvizje të lirë për qytetarët, të afrojë komunitetet dhe të kontribuojë në bashkimin e qyteteve dhe njerëzve, duke e bërë transportin publik më të qasshëm dhe funksional për të gjithë.

Postimi i plotë:

Te dashur qytetarë,

Lajmet e mira për Republikën, e sidomos për Mitrovicën, nuk kanë të ndalur. Sot kemi shpallur thirrjen për aplikim për transportin publik që do ta subvencionojmë, me qëllim që të lidhim edhe më shumë njerëzit dhe ta bashkojmë edhe më fort Jugun me Veriun.

Do të ketë linja autobusi nga Mitrovica e Jugut për në Leposaviq e deri në Jarinjë, për në Zubin Potok e deri në Bërnjak, nga Jugu i Mitrovicës për te Kroi i Vitakut dhe në Zhazhë, Bistricë e Cerajë, si dhe nga Mitrovica e Jugut për në Banjskë dhe fshatrat e tjera të Zveçanit, dhe anasjelltas.

Lëvizje e lirë, bashkim i qyteteve, bashkim i njerëzve.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat