LVV përmbyllë fushatën, Kurti premton nga 1 miliard për ushtri e prodhim

Aktuale

LVV përmbyllë fushatën, Kurti premton nga 1 miliard për ushtri e prodhim

Më: 27 dhjetor 2025 Në ora: 19:48 Përditësuar në ora: 20:06 më 27.12.2025
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, kandidati për kryeministër Albin Kurti në Prishtinë

Kurti: Ekonomia vazhdon fuqizimin me VV-në

Lëvizja Vetëvendosje ka mbyllur sonte fushatën e saj elektorale, prej nga u bë thirrje qytetarëve që në zgjedhjet e 28 dhjetorit të votojnë për numrin 116.

Kandidati për kryeministër Albin Kurti përmendi arritjet nën qeverisjen e tij të deritanishme duke thënë se ekonomia shënoi rritje nga 7 në 11 miliardë euro, ndërsa për vitin e ardhshëm parashihet të arrijë në 12 miliardë euro.

Ai theksoi se qeveria aktuale ka rritur ekonominë me rreth 1 miliard euro çdo vit, tri herë më shpejt se qeveritë e kaluara, ndërsa punësimi është rritur pesë herë më shpejt.

Kurti: Ekonomia vazhdon fuqizimin me VV-në

“Ata para neve, në vitin 2018, kurrfarë krize nuk ka pasur. Rritja ekonomike më pak se 4 për qind në 3.7 për qind, ndërsa në vitin 2012 vetëm për shkak të krizës iu pat rënë rritja ekonomike në 1.7 për qind, e merreni me mend ne e kemi gjetur ekonominë e Kosovës me 7 miliardë, sivjet është 11 miliardë e vitin e ardhshëm 12 miliardë. Për çdo vit e kemi rritur ekonominë nga një miliard. Atyre para neve u janë dashur tri vjet për një miliard kur vjen puna te rritja ekonomike, ne jemi trefish më të shpejtë se ata. Kur vjen puna te punësimi jemi pesëfish më shumë më të shpejtë se ata. Kjo rritje e punësimit ka qenë 85 mijë gjithsej apo 24% më i lartë se në vitin 2021”, tha Kurti.

Kurti po ashtu deklaroi se do të ndahet një miliard euro për ushtrinë e Kosovës dhe do të ketë fabrikë municioni.

Kurti: 1 miliard euro për ushtrinë

“Në mandatin e ardhshëm do t’i ndajmë një miliard euro për prodhimtarinë, shteti do të jetë garanci hipotekë për investimet, të cilat do t’i bëjnë qytetarët e Republikës, qasja jonë është shumë e thjeshtë, kush punon fiton, kush fiton investon, kush investon punëson dhe kush punëson fiton edhe më shumë, prandaj një miliard euro për prodhimtarinë. Një miliard euro garanci për kredi në banka kurrë më ndërmarrësit e Kosovës nuk do të kenë nevojë që në bankat e Kosovës ta lënë hipotekë tokën stërgjyshore apo pasurit e pa luajtshme... Një miliard për ushtrinë, e kemi dyfishuar numrin e ushtarëve, por gjithashtu i kemi shtuar edhe sytë në qiell - kemi tri lloje të dronëve ndërsa droni i katërt do të jetë Made in Kosova”, tha ai.

Kurti përmbylli tubimin duke u bërë thirrje qytetarëve që nesër të dalin dhe të mbështesin Vetëvendosjen për një të ardhme më të mirë dhe të qëndrueshme për Kosovën. 

LVV përmbyllë fushatën, Kurti premton nga 1 miliard për ushtri e prodhim

Lëvizja Vetëvendosje ka përmbyllur fushatën elektorale për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, në Prishtinë. Nga kryeqyteti, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, kandidati për kryeministër Albin Kurti tha se me qeverisjen e tyre territorit ia shtuan integritetin, institucioneve ua kthyen besimin, shtetit ia shtuan sovranitetin.

Ai tha se nga 1 janari paga minimale do të bëhet 425 euro e nga 1 korriku 500 euro e që tha se gratë kudo që do të punësohen në sektorin privat do ta marrin pagën minimale për 6 muaj, njëtë sikurse tha se do ta marrin edhe nënat lehona, 6 muaj nga 500 euro.

Premtoi dyfishim të shtesave për fëmijë, ndërsa tha se do t’i  ndajnë 1 miliard euro për prodhimtarinë. Sipas tij, shteti do të jetë garanci, hipotekë për investimet të cilat do t’i bëjnë qytetarët e Republikës.

Ai tha se 1 miliard euro do të jenë edhe për ushtrinë. “E kemi dyfishuar numrin e ushtarëve, e çizmeve në tokë, por gjithashtu i kemi shtuar edhe sytë në qiell. Kemi 3 lloj dronësh e droni i katërt do të jetë Made in Kosova, prodhuar në vendin tonë. Ata para nesh i shitnin fabrikat për skrap e me ne do të kemi edhe fabrikë të municionit për ushtrinë tonë”, deklaroi Kurti.

Kandidati i LVV-së për kryeministër tha se me të në krye të qeverisë, asnjë vit nuk do të ngelet më pak se 1 miliard për investime kapitale.

Kurti premtoi rritje të buxhetit për barna esenciale, kontroll të plotë shëndetësor për të gjithë qytetarët. Ndërkohë tha se mandati i ardhshëm do të jetë mandat i energjisë. “Do ta modernizojmë Termocentralin Kosova B e do ta rehabilitojmë Termocentralin Kosova A”, derisa premtoi edhe investime në Trepçë.

Kreu i Vetëvendosjes tha se do të krijohet Prokuroria e re Speciale kundër krimit të organizuar e korrupsionit.

“Ne fatkeqësisht drejtësinë nuk e kemi të drejtë, drejtësinë edhe më tutje e kemi si të shtrembër e duhet ta drejtojmë. Andaj në mandatin e ardhshëm do t’i kemi jo vetëm katër vjet të hekurudhave, por edhe të drejtimit të drejtësisë. Jovetëm lokomotivën dhe vagonët t’i vendosim në binarë, por edhe drejtësinë ta vendosim në binarë. Për lokomotivat e kemi hekurudhën, për drejtësinë e kemi vetingun, Prokurorinë e re Speciale kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe Byronë e konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme”, deklaroi Kurti në mbyllje të fushatës.

Ai u bëri thirrje të gjithëve të dalin nesër për ta ushtruar të drejtën e tyre të votës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat