Përfundon numërimi i votave: VV fituese e padiskutueshme – ja si do të duket legjislatura e re

Aktuale

Përfundon numërimi i votave: VV fituese e padiskutueshme – ja si do të duket legjislatura e re

Më: 28 dhjetor 2025 Në ora: 08:13 Përditësuar në ora: 15:08 më 08.01.2026
Kuvendi i Kosovës

KQZ e gatshme të shpallë rezultatin përfundimtar pas numërimit të mbi 3,000 pakove nga votimi me postë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka njoftuar se gjatë ditës së sotme në Kosovë pritet të arrijnë 3,185 pako me fletëvotime nga diaspora, të tërhequra më 2 dhe 5 janar nga Paris (1,962), Berlin (633), Hagë (61), Podgoricë (125) dhe Otavë (404).

Sipas KQZ-së, këto pako do të përfshihen fillimisht në procesin e vlerësimit dhe verifikimit për të siguruar që fletëvotimet janë dërguar nga votuesit e regjistruar jashtë Kosovës. Vetëm fletëvotimet e aprovuara do të numërohen, dhe numërimi i tyre planifikohet të fillojë sonte rreth orës 19:00.

Numërimi i këtyre fletëvotimeve shënon përfundimin e procesit të numërimit të të gjitha fletëvotimeve nga zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se pas përfundimit të këtij numërimi, Komisioni është gati të shpallë rezultatin përfundimtar.

Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, palët kanë të drejtë të parashtrojnë ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) brenda 48 orëve nga supozimi i një shkeljeje gjatë procesit të numërimit.

Numërohen të gjitha votat në Kosovë, priten 3.185 pako nga votimi me postë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar numërimin e të gjitha votave që janë sjellë dhe numëruar brenda territorit të Kosovës për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.

Sipas të dhënave zyrtare, janë numëruar 2.836 nga 2.836 vendvotime, apo 100 për qind e tyre.

Rezultatet e publikuara tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 51.01 për qind të votave, duke siguruar 57 ulëse në Kuvend.

Partia Demokratike e Kosovës renditet e dyta me 20.24 për qind dhe 22 ulëse, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë 13.26 për qind të votave dhe 15 ulëse. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka siguruar 5.50 për qind të votave dhe 6 ulëse, dhe Lista Serbe 4.50 për qind dhe 9 ulëse.

Sipas rezultateve për kandidatët, në Lëvizjen Vetëvendosje kandidati më i votuar është Albin Kurti me 401,241 vota, i ndjekur nga Glauk Konjufca me 316,057 vota dhe Albuleena Haxhiu me 172,706 vota.

Në Partinë Demokratike e Kosovës, tre kandidatët më të votuar janë Bedri Hamza me 161,570 vota, Arian Tahiri me 71,487 vota dhe Përparim Gruda me 65,881 vota.

Në Lidhjen Demokratike të Kosovës, më së shumti vota kanë marrë Lumir Abdixhiku me 88,230 vota, Hykmete Bajrami me 56,966 vota dhe Ukë Rugova me 49,414 vota.

Në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, tre kandidatët më të votuar janë Ramush Haradinaj me 43,855 vota, Daut Haradinaj me 26,497 vota dhe Besnik Tahiri me 26,323 vota

Megjithatë, procesi zgjedhor ende nuk është përmbyllur plotësisht, pasi kanë mbetur edhe 3,185 pako me fletëvotime nga votimi me postë, të cilat ende nuk janë sjellë në Kosovë dhe pritet të numërohen në fazën e radhës.

Sipas njoftimit të KQZ-së, në fazën e radhës të numërimit do të përfshihen fletëvotimet e tërhequra nga kutitë postare jashtë Kosovës më 2 dhe 5 janar 2026, të cilat deri më tani janë sjellë në Kosovë.

“Më 2 janar, nga gjithsej 9 kuti postare në qytetet Pragë, Londër, Paris, Zagreb, Stokholm, Stamboll, New York, Kanbera dhe Kopenhagë, janë tërhequr 8,180 pako me fletëvotime. Ndërkaq, më 5 janar, nga 13 kuti postare në Tiranë, Berlin, Vjenë, Bernë, Bruksel, Hagë, Podgoricë, Oslo, Shkup, Otavë, Ljublanë, Romë dhe Prishtinë, janë tërhequr 11,867 pako të tjera”, thuhet në njoftim.

Nata vendimtare në QNR: Numërimi i votave me postë në fazën finale

Procesi i numërimit të fletëvotimeve me postë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po hy në fazën e fundit.

Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga radhët e Vetëvendosjes, Alban Krasniqi, njoftoi përmes një postimi në Facebook se kanë mbetur edhe 3,250 zarfe me fletëvotime, të cilat pritet të arrijnë nesër pasdite për t’u përfshirë në procesin përfundimtar të numërimit.

Krasniqi vlerësoi punën e mbi 120 zyrtarëve të KQZ-së të angazhuar në QNR, të cilët kanë punuar çdo ditë nga ora 08:00 deri në ora 24:00 për pranimin, vlerësimin dhe numërimin e fletëvotimeve. 

Postimi i plotë:

Procesi i numërimit të fletëvotimeve me postë në QNR po shkon drejt fundit. Kanë mbetur 3250 zarfe me fletëvotime të cilat pritet të arrijnë nesër pasdite për ta përmbyllur procesin e numërimit.

Është momenti ti falënderojmë mbi 120 zyrtarë të angazhuar nga KQZ në QNR gjatë procesit të pranimit, vlerësimit dhe numërimit, çdo ditë pune nga ora 8 e mëngjesit deri në ora 24:00.

Natyrisht krejt ky operacion është zhvilluar nën udhëheqjen e stafit të sekretariatit të KQZ që me profesionalizmin e tyre kanë shkëlqyer në këtë proces zgjedhor.

Numërohen 99.82% të votave, kaq ulëse në Kuvend sigurojnë partitë politike

Nga: H.O.

Nga 99.882% të votave që janë numëruar deri më tani, Komisioni Qendror Zgjedhor ka njoftuar numrin e ulëseve që do të zënë secila parti.

Nga këto statistika, Vetëvendosje dominon me rezultat duke marrë gati trefshin e partisë së dytë, apo gjithsej 57 ulëse.

PDK-ja si parti e dytë me 22 ulëse;

LDK-ja me 15 ulëse,

AAK-ja me 6 ulëse,

Lista Serbe 9 ulëse, dhe Nisma që nuk kalon pragun.

KQZ: 99.58% e votave të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje dominon

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deri më tani ka numëruar 99,58% për qind të votave.

Sipas këtyre të dhënave, Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të mbajë pozitat e para me një total prej 50.95% të votave, që përkthehet në 481,627 vota.

Partia Demokratike e Kosovës mban vendin e dytë, duke siguruar 20.27% të votave, që përfaqësojnë 191,612 qytetarë të Kosovës që e mbështetën këtë forcë politike.

Image

 

Lidhja Demokratike e Kosovës renditet e treta me 13.27% të votave, përkatësisht 125,420 vota. Ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka arritur 5.51% të votave, duke siguruar 52,045 vota nga qytetarët e Kosovës.

Cakolli e sqaron situatën me votat e Nismës: Nuk i shpërndahen askujt, s’llogariten fare

Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim ka sqaruar situatën me votat e Nismës.

Ai ka thënë se ato vota nuk do t’i shpërndahen askujt, por sipas tij, thjesht nuk llogariten fare.

“Votat e Nismës as nuk i shpërndahen ndonjë partie, as nuk i shkojnë të parës as të dytës, ato thjesht nuk llogariten fare. Kur bëhet ndarja e ulëseve, merren vetëm partitë shqiptare të cilat e kanë kaluar pragun”.

“Pra, merret totali i votave të vlefshme të Lëvizjes Vetëvendosje, PDK-së, LDK-së dhe AAK-së. Këto dhe votat e partive të tjera të cilat nuk e kanë kaluar pragun, thjesht nuk llogariten fare kur bëhet ndarja”, ka thënë Cakolli.

KQZ: Ende s’janë sjellë në Kosovë 3185 pako me fletëvotime nga votimi me postë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se në QNR po vazhdon numërimi i pjesës së dytë të fletëvotimeve që i takojnë votimit jashtë Kosovës, respektivisht votimit përmes postës.

KQZ thotë se janë aprovuar 16 mijë pako me fletëvotime.

“Në vazhdim të procesit të numërimit do të përfshihen fletëvotimet nga votimi përmes postës të tërhequra më 2 dhe 5 janar 2026 nga kutitë postare jashtë Kosovës dhe që deri më tani janë sjellur në Kosovë. Më 2 janar, nga 9 kutitë postare në Pragë, Londër, Paris, Zagreb, Stokholm, Stamboll, Neë York, Kanbera dhe Kopenhagë, janë tërhequr 8,180 pako të tjera me fletëvotime, ndërkaq më 5 janar, nga 13 kutitë postare, në: Tiranë, Berlin, Vjenë, Bernë, Bruksel, Hagë, Podgoricë, Oslo, Shkup, Otavë, Ljublanë, Romë dhe Prishtinë, janë tërhequr 11,867 pako me fletëvotime. Deri më tani, pjesa më e madhe e këtyre pakove janë sjellur në Kosovë dhe i janë nënshtrur verifikimit dhe vlerësimit. Prej tyre, janë aprovuar rreth 16 mijë dhe ato janë duke u numëruar.”

KQZ shton se ende nuk janë sjellur në Kosovë edhe 3 mijë e 185 fletëvotime që janë tërhequr më 2 janar dhe 5 janar në Paris, Berlin, Hagë, Podgoricë dhe Otavë.

“Ende nuk janë sjellur në Kosovë edhe 3,185 pako me fletëvotime, që janë tërhequr më 2 dhe 5 janar nga kutitë postare në Paris (1,962), Berlin (633), Hagë (61), Podgoricë (125), dhe Otavë (404).”

Numërohen 99.29 për qind të votave

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deri më tani ka numëruar 99.29 për qind të votave.

Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të kryesojë me 50.90% apo 480,157 vota.

Partia Demokratike e Kosovës vazhdon të jetë e dyta, me 20.28% apo 191,328 Vota. Lidhja Demokratike e Kosovës e treta me 13.27% apo 125,198 Vota duke u pasuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 5.51% apo 52,010 Vota

Përditësohen rezultatet zgjedhore, LDK-ja e rikthen sërish një ulëse në Kuvend

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përditësuar të dhënat e fundit nga numërimi i votave për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) i është rikthyer sërish një mandat në Kuvendin e Kosovës.

Sipas rezultateve të përditësuara, me 98.70 për qind të vendvotimeve të numëruara (2,799 nga 2,836), LDK ka arritur në 13.28 për qind të votave, që përkthehen në 15 mandate deputetësh.

Në bazë të të dhënave aktuale, Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të kryesojë me 50.81 për qind të votave dhe 57 mandate, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 20.35 për qind dhe 22 mandate.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka siguruar 5.52 për qind dhe 6 mandate, ndërsa Lista Serbe ka 4.55 për qind të votave dhe 9 mandate.

Deputeti që hyn në parlament nga rezultatet e tanishme është Fadil Haderxhonaj i LDK’së. Ndërsa deputeti nga PDK që e humb ulësen në kuvend është Bekim Haxhiu.

Ndryshe, është duke vazhduar numërimi i votave me postë, ku deri tani janë numëruar 73,79%.

Numërohen mbi 75% e fletëvotimeve nga diaspora, LVV kryeson bindshëm

Nga: A.M.

Gjatë ditës së djeshme, Komisioni Qendron i Zgjedhjeve ka filluar numërimin e pjesës së dytë të fletëvotimeve që i takojnë votimit jashtë Kosovës, respektivisht votimit përmes postës.

Ky proces është duke vazhduar dhe është thuajse në përfundimit, pasi deri tani janë numëruar 75,17% e votave.

Më saktë, nga gjithsej 145 kurti janë numëruar 109 prej tyre.

Më poshtë, "Bota sot" u sjell rezultatet e partive kryesore:

Lëvizja VETËVENDOSJE! – LVV - 73.52% apo 23,707 Vota

Lidhja Demokratike e Kosovës – LDK - 9.96% apo 3,213 Vota

Partia Demokratike e Kosovës – PDK - 8.91% apo 2,872 Vota

AAK – Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës - 3.75% apo 1,208 Vota

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat