​Nderohet jeta dhe vepra e Nexhat Dacit: Një jetë në shërbim të institucioneve dhe demokracisë

Aktuale

​Nderohet jeta dhe vepra e Nexhat Dacit: Një jetë në shërbim të institucioneve dhe demokracisë

Më: 2 janar 2026 Në ora: 08:41 Përditësuar në ora: 13:50 më 02.01.2026
Akademik Nexhat Daci

​Nderohet jeta dhe vepra e Nexhat Dacit

Në akademinë përkujtimore për ish-kryetrarin e Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci u nderua jeta, vepra dhe kontributi i tij që kishte dhënë për ndërtimin e shtetit të Kosovës.

Nga krerët e shtetit kontributi i tij në formimin e institucioneve të Kosovës u vlerësua lart, me ç’rast u tha se gjurmë të pashlyeshme, me maturinë dhe qetësinë e tij karakteristike.

Gjatë fjalimit të saj, presidentja Vjosa Osmani tha se duke qenë qenë në shërbim të kauzës për liri dhe pavarësi, për akademik Nexhat Dacin, historia flet me një respekt të jashtëzakonshëm.

Kontributin e tij në formimin e institucioneve të Kosovës, Osmani e vlerësoi si të qetë por të thellë.

Osmani vlerëson lart jetën dhe veprën e Nexhat Dacit

“I përket kategorisë së njerëzve për të cilët historia flet me respekt të jashtëzakonshëm. Jemi mbledhur për t’ia thënë lamtumirën akademikut, Nexhat Dacit, burrë shtetas, dijetar dhe intelektual i përkushtuar me dije të thellë, integritet personal dhe përkushtim të palëkundur, ai i shërbeu Kosovës si kryetar kuvendi, UD i presidentit, deputet akademik dhe drejtues i institucioneve shkencore duke lënë gjurmë të pashlyeshme në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe zhvillimin e mendimit shkencor në vendin tonë... Në periudhat më të rënda për popullin tonë, ai u rreshtua me vendosmëri në shërbim të kauzës për liri dhe pavarësi duke qenë bashkëpunëtor i afërt i presidentit historik Ibrahim Rugova në këtë kauzë. Kontributi i tij në formimin e institucioneve të Kosovës ishte i qetë por i thellë, si kryetar Kuvendi, ai e kuptonte se demokracia nuk ishte vetëm procedurë por edhe kulturë, jo vetëm rregull por edhe respekt. Ai besonte në dialog, ligj, argument dhe në forcën e institucioneve që e mbijetojnë secilin individ”, tha Osmani.

Ndërkohë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se me maturinë e qetësinë e tij karakteristike, Daci dha shembull se si duhet kuvenduar dhe si duhej zhvilluar beteja politike nga foltorja dhe ulëset e Kuvendit.

Kurti: Me maturinë dhe qetësinë e tij karakteristike, Daci dha shembull se si duhej kuvenduar

“Në ditën e dytë të këtij Viti të Ri, sot me dy janar një rast morti na ka bërë bashkë këtu në sallën e seancave plenare të Kuvendit. Në një periudhë të ndërmjetme për institucionin legjislativ të Republikës sonë, teksa legjislatura e kaluar është shpërndarë, ndërkaq e reja ende nuk është zgjedhur dhe konsoliduar, ky mort na bëri të bashkohemi këtu në kuvendin e Republikës... Vdekja e Dacit na ka mbledhur sepse karriera e tij politike është lidhur ngushtë me këtë vend dhe këtë institucion. Në Kosovën që sapo ishte çliruar 1999, kur po viheshin themelet e një rendi të ri politik e vleror drejt demokracisë, e ku më së pari po ndryshonin rregullat e të folurit në publik, Nexhat Daci e pati për detyrë ta drejtonte diskutimin në kuvendin e Kosovës nga pozita e kryetarit. Me maturinë dhe qetësinë e tij karakteristike, ai dha shembull se si duhej kuvenduar në këtë kuvend dhe si duhej zhvilluar betejat politike nga foltorja dhe ulëset e këtij kuvendi”, tha Kurti.

Ndërsa, kryetari në detyrë i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha tha se falë angazhimit të tij, rezistenca paqësore në vend mori kuptim të thellë dhe u shndërrua në një projekt të qëndrueshëm politik dhe moral për Kosovën.

Basha: Falë angazhimit të tij rezistenca paqësore mori kuptim të thellë

“Sot jemi mbledhur për të nderuar jetën, veprën e akademikut dhe ish kryetarit Nexhat Daci, një personalitet i rrallë që bashkoi dijen me shtetin, mendimin akademik me përgjegjësinë publike, urtësinë personale me interesin e përgjithshëm të Republikës sonë.. Daci e ndërtoi jetën e tij mbi themelet e palëkundura, me dije të thellë dhe përkushtim të jashtëzakonshëm për interesat e popullit që ai i takonte.. Për akademikun Daci, dija ishte akademi e shenjtë publike dhe shtylla e vetme që duhej të planifikohej zhvillimi i shtetit dhe shoqërisë sonë. Si kuadër dhe intelektual i hershëm, gjatë periudhës së represionit ai kontribuoi në ndërtimin dhe zhvillimin e strukturave paralele veçanërisht në fushën e arsimit, falë angazhimit të tij rezistenca paqësore mori kuptim të thellë dhe u shndërrua në një projekt të qëndrueshëm politik dhe moral për Kosovën”, tha Basha.

Në emër të familjes para atyre që kishin ardhur për ta nderuar jetën dhe veprën e tij, foli e bija e akademikut të njdere, Majlinda Daci. Ajo shprehu mirënjohje për respektin dhe fjalët e mira që iu kushtuan sot ish-kryetarit të Kuvendit, Nexhat Daci.

Ajo tha se prania e të gjithëve është një dëshmi e dashurisë dhe vlerësimit që ai ka gëzuar gjatë gjithë jetës së tij.

Daci: Prania juaj këtu është dëshmi e dashurisë dhe vlerësimit që ai ka gëzuar gjatë gjithë jetës së tij

“Në emër të familjes shprehim falënderimin dhe mirënjohjen më të thellë, për respektin, nderimin dhe fjalët e mira që sot iu janë kushtuar babit tonë. Prania juaj këtu është dëshmi e dashurisë dhe vlerësimit që ai ka gëzuar gjatë gjithë jetës së tij. Sot nuk jemi mbledhur vetëm për të kujtuar një akademik, profesor apo udhëheqës institucional, sot e kujtojmë një njeri që jetën e tij e jetoi me dinjitet, sakrificë dhe shërbim të pandërprerë ndaj dijës, vendit dhe njerëzve. Babi qysh herët që nga mosha 4 vjeçare jeta ia vuri mbi supe barrën e rëndë të rritjes pa prindër, ishte një fillim i vështirë, por për babin kjo mungesë u shndërrua forcë, dhimbja në karakter, e vështirësia në vullnet të palëkundur për të ecur përpara. Nga ajo fëmijëri e vështirë ai ndërtoi themelet e një jete të jashtëzakonshme. Qysh herët ai ishte i përcaktuar të jetoj dhe punoj për Kosovën”, u shpreh Daci.

Përveç akademisë përkujtimore, sot janë mbajtur edhe homazhe në hollin e Kuvendit të Kosovës. Në ora 13:40 në nderime shtetërore do të varroset Nexhat Daci në varrezat e Dragodanit në Prishtinë. Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës iku nga kjo jetë në moshën 81-vjeçare.

Kuvendi nderon Dacin, njëri nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë

Pas homazheve në hollin e Kuvendit të Kosovës, në sallën plenare po mbahet Akademi Përkujtimore në nderim të ish-kryetarit të Kuvendit, akademikut Nexhat Daci.

Familjarë, aktorë politikë dhe përfaqësues të institucioneve janë mbledhur për të nderuar jetën dhe veprën e tij, para se ta përcjellin për në banesën e tij të fundit.

Presidentja Vjosa Osmani tha se sot nuk po i jepet lamtumira vetëm një njeriu, por një epoke të maturisë, dijes dhe përgjegjësisë.

"Jemi mbledhur për t’ia dhënë lamtumirën akademik Nexhat Dacit, burrështetas, intelektual i shquar. Ai i shërbeu Kosovës si kryetar i Kuvendit, ushtrues detyre i Presidentit, akademik dhe deputet, duke lënë gjurmë të pashlyeshme. Në periudha të vështira, ai u rreshtua në shërbim të kauzës për liri dhe pavarësi, duke qenë bashkëpunëtor i dr. Ibrahim Rugovës. Si kryetar Kuvendi, ai kuptonte se demokracia nuk është vetëm procedurë, por edhe kulturë. Ai besonte në dialog, ligj dhe argument. Nuk pranoi kurrë kompromise në dëm të Kosovës. Nexhat Daci nuk ishte vetëm burrështetas, por edhe një njeri i dijes," tha Osmani.

Kryetari në detyrë i Kuvendit, Dimal Basha, e kujtoi Dacin si një personalitet të rrallë, i cili kontribuoi në themelimin e standardeve më të larta universitare dhe shkencore dhe dha kontribut jetik në vitet e para pas luftës.

"Në emër të Kuvendit jemi mbledhur për të nderuar jetën dhe veprën e Nexhat Dacit. Ai ishte shembull i intelektualit që e kuptoi arsimin dhe shkencën si mjet thelbësor të emancipimit shoqëror. Maturia dhe pjekuria e tij politike ndihmuan në tejkalimin e sfidave të para pas luftës," shtoi Basha.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kujtoi kontributin e Dacit në themelimin e institucioneve të Kosovës së re: "Në ditën e dytë të këtij viti të ri, vdekja e profesor Nexhat Dacit, ish-kryetar i Kuvendit, na ka bërë bashkë. Ai vdiq më 1 janar 2026, në moshën 81 vjeçare. Gjatë gjithë paradites shumë njerëz kanë bërë homazhe para se të mblidhemi në këtë akademi. Karriera e tij politike është e lidhur ngushtë me këtë institucion. Në Kosovën që sapo ishte çliruar, ai e drejtoi diskutimin në Kuvend dhe dha shembullin se si duhej të zhvillohej puna parlamentare. Si deputet, më 17 shkurt 2008, ishte njëri nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë. Përtej angazhimit politik, Nexhat Daci kishte hyrë në jetën politike nga bota akademike."

Kurti nderon ish-kryeparlamentarin Nexhat Daci

Kryeministri në detyrë vendit, Albin Kurti, ka bërë homazhe sot në Kuvendin e Kosovës për nder të jetës dhe veprës së ish-kryetarit të Kuvendit, Nexhat Daci, i cili vdiq të enjten në moshën 81-vjeçare.

Kurti së bashku me anëtarë të kabinetit të tij, kanë bërë homazhe pranë arkivolit të ish-kryetarit të Kuvendit.

Kryeministri në detyrë ka shkruar edhe në librin e zisë, ai ka shprehur ngushëllimet e tij për familjen Daci, miqtë dhe bashkëpunëtorët.

Në hollin e Kuvendit, në homazhe kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të shumtë të institucioneve, personalitete nga jeta politike e akademike, si dhe qytetarë që kanë ardhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit akademik Nexhat Dacit.

Presidentja Osmani nderon ish-kryekuvendarin Nexhat Daci

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka bërë homazhe sot në Kuvendin e Kosovës për nder të ish-kryetarit të Kuvendit, Nexhat Daci, i cili vdiq të enjten në moshën 81-vjeçare.

Presidentja Osmani, së bashku me zotëriun e parë, Prindon Sadriu, kanë bërë homazhe pranë arkivolit të ish-kryetarit të Kuvendit.

Osmani ka shkruar edhe në librin e zisë, ku ka shprehur ngushëllimet e saj për familjen Daci, miqtë dhe bashkëpunëtorët.

Në hollin e Kuvendit, në homazhe kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të shumtë të institucioneve, personalitete nga jeta politike e akademike, si dhe qytetarë që kanë ardhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit akademik Nexhat Dacit.

Nisin homazhet shtetërore për Nexhat Dacin në Kuvendin e Kosovës

Kanë filluar homazhet për ish-kryeparlamentarin, Nexhat Daci, të cilat po mbahen në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Në homazhe po marrin pjesë familjarë, përfaqësues institucionalë, bashkëpunëtorë dhe qytetarë, të cilët po i bëjnë nderimet e fundit të ndjerit.

Sipas agjendës zyrtare të ceremonisë mortore, aktivitetet do të vazhdojnë me Akademinë Përkujtimore, e cila do të mbahet nga ora 12:00 deri në 12:45 në Sallën Plenare të Kuvendit të Kosovës.

Ndërkohë, ceremonia e varrimit me nderime shtetërore do të zhvillohet nga ora 13:40 deri në 14:20, në Varrezat e Dragodanit.

Me ceremoni shtetërore, Kosova sot nderon Nexhat Dacin, ish-kryetarin e Kuvendit dhe akademikun e shquar

Në shenjë respekti për trashëgiminë e tij akademike, politike dhe institucionale, sot, në Kuvendin e Kosovës do të organizohen ceremonitë mortore për ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, i cili të enjten në mëngjes ndërroi jetë në moshën 81-vjeçare.

Fillimisht bëhen homazhet nga ora 09:00 deri në 11:45 në hollin e Kuvendit të Kosovës.

Ndërsa më pas do të mbahet akademia përkujtimore në orën 12:00 në Sallën Plenare të Kuvendit të Kosovës, njofton zyra për informim e Kuvendit.

Ceremonia e varrimit do të zhvillohet nga ora 13:40, me nderime shtetërore, në varrezat e qytetit, në lagjen Arbëria.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat