Eugen Cakolli nga KDI ka vlerësuar se votat me kusht kanë ndikuar drejtpërdrejt në lëkundjen e ndarjes së mandateve, duke favorizuar PDK-në ndaj LDK-së.
Sipas tij, balanca mes LVV-së, PDK-së dhe LDK-së mbetet shumë e brishtë, me dallime prej vetëm disa qindra votash në nivel kombëtar. Me rreth 14 mijë vota me postë ende pa u numëruar, mandati i fundit i secilës parti mbetet në lojë, ndërsa ndryshimi më i mundshëm pritet në raportin PDK–LDK.
Postimi i Cakollit:
Votat me kusht ishin faktori që e lëkundi ndarjen e mandateve, pasi në këtë segment PDK performoi dukshëm më mirë se LDK (gati dyfish më shumë vota), ndërsa LVV ishte pak mbi përqindje e saj në votë vendore. Rrjedhimisht, balanca e mandateve mbetet shumë e brishtë.
Dallimi mes koeficientëve më të ndjeshëm për ndarjen e mandateve (LVV 57 – PDK 23 – LDK 15) është vetëm rreth 10 pikë mes secilës, çka në terma praktikë përkthehet në vetëm disa qindra vota neto diferencë në nivel kombëtar, që e kanë bërë dallimin mes mandateve.
Me rreth 14 mijë vota me postë ende për t’u numëruar, mandati i fundit i të trija këtyre partive mbetet ende në lojë. Brenda këtij konfigurimi, gjasat më reale për ndryshim janë në raportin PDK ↔ LDK, veçanërisht nëse trendi i deritanishëm i votave me postë vazhdon, çka potencialisht mund t’ia rikthejë LDK-së mandatin e 15-të nga PDK-ja, e cila do të zbriste në 22 mandate sërish.
Në anën tjetër, LVV e ka të vështirë të arrijë mandatin e 58-të, përveç nëse realizon një performancë edhe më të lartë se ajo paraprake – konkretisht, një nivel rreth ose mbi 80%, krahasuar me rreth 72% sa kishte deri më tani në votat me postë.