Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka falënderuar qytetarët për mbështetjen e dhënë në zgjedhjet e fundit, pas përfundimit të procesit të numërimit të votave.
Në një postim publik, Bajrami ka bërë të ditur se LDK ka marrë gjithsej 126 mijë e 102 vota, ndërsa 57 mijë e 153 prej tyre kanë qenë vota personale për të, duke e bërë atë për herë të shtatë deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Ajo ka theksuar se votat për të nuk i sheh vetëm si shifra, por si mirënjohje për punën e bërë ndër vite dhe si përgjegjësi të madhe për të vazhduar me përkushtim, ndershmëri dhe guxim. Bajrami ka rikujtuar angazhimin e saj kundër korrupsionit, për transparencë, llogaridhënie, mbrojtjen e interesit publik, forcimin e shtetit të së drejtës, drejtësinë sociale dhe barazinë.
Deputetja e LDK-së ka theksuar se dorëzimi i partisë nuk është opsion, pavarësisht rezultatit zgjedhor. Sipas saj, rezultati i 28 dhjetorit duhet të shërbejë si përgjegjësi, mësim dhe reflektim për secilin brenda LDK-së.
Postimi i plotë:
Të dashur qytetarë të Kosovës,
Tani, kur procesi i numërimit të votave ka përfunduar, më lejoni të falënderoj 126 102 votuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Nga këta, plot 57 153 më kanë dhënë besimin me votë mua, duke më bërë për herë të shtatë deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ju jam mirënjohëse secilit prej jush.
Votat për mua nuk janë vetëm shifër, për mua janë mirënjohje e thellë për punën që kam bërë gjatë këtyre viteve, por mbi të gjitha janë përgjegjësi e madhe që më shtyn të vazhdoj me të njëjtin përkushtim, ndershmëri dhe guxim.
Gjatë mandateve të kaluara kam punuar pa u ndalur: kundër korrupsionit, për transparencë dhe llogaridhënie, për mbrojtjen e interesit publik, për forcimin e shtetit të së drejtës, për drejtësi sociale dhe barazi, aq sa kam pasur hapësirë dhe kapacitet. Por lufta nuk ka mbaruar. Sot, më shumë se kurrë, propaganda, korrupsioni dhe përpjekjet për rrënimin e demokracisë po sulmojnë themelet e shtetit tonë. Kundër tyre do të vazhdoj të jem zëri i juaj, pa kompromis dhe pa frikë. Do të punoj çdo ditë për të vërtetën, sepse vetëm e vërteta na çliron, na bashkon dhe na çon përpara.
Por dua ta bëj të qartë për secilin se vetëm një gjë nuk është opsion: dorëzimi i LDK-së. Pavarësisht rezultatit, pavarësisht rrethanave, LDK ka ndërtuar dhe ndërton çdo ditë standarde, edhe kur fiton, edhe kur nuk arrin rezultatin për të cilin ka punuar dhe ka synuar. Rezultati i 28 dhjetorit është përgjegjësi për secilin prej nesh, mësim për secilin prej nesh dhe reflektim për secilin prej nesh. Nuk ka rrugë tjetër përveç ringritjes dhe rikthimit të LDK-së, duke vendosur gjithmonë LDK-në para individit dhe Kosovën para çdo partie.
E kam shkruar dhe po e përsëris edhe një herë: së bashku nuk do të ndalemi, LDK duhet dhe do të rikthehet e para, me punë, me besim dhe me ekip.
Faleminderit!