Takimi në Bruksel, Andin Hoti jep detaje: Kërkesat tona ishin të qarta dhe të drejtpërdrejta
Andin Hoti ka njoftuar se është mbajtur takimi i parë themelues i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur, pas gati tre vitesh refuzimesh nga pala serbe për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur të miratuar në Bruksel.
Ai tha se kërkesat e palës kosovare përfshijnë zbatimin e plotë të deklaratës, qasjen në arkivat e klasifikuara, përshpejtimin e punës në lokacionet prioritare si Batajnica dhe funksionimin e Grupit Punues të ndërmjetësuar nga ICRC.
Takimi u zhvillua nën udhëheqjen e Bashkimit Evropian, ndërsa Hoti shprehu pritjen që pala serbe të vijë në takimet e ardhshme me hapa konkretë dhe të matshëm.
Mbahen takimet e radhës të dialogut në Bruksel në nivel kryenegociatorësh, funksionalizohet Komisioni i Përbashkët për Personat e Zhdukur me Dhunë
Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mori pjesë në takimet e radhës të dialogut në Bruksel në nivel kryenegociatorësh. Tema kryesore e takimeve ishte funksionalizimi i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur me Dhunë.
Më poshtë, deklarimi i plotë për media i zëvendëskryeministrit Bislimi, pas përfundimit të takimeve:
Pyetje: Z. Bislimi takimet zgjatën prej orëve të pasdites, cili është rezultati i takimeve dhe a pati edhe takim të përbashkët?
Përgjigje: Pjesa më e madhe e kohës sot ka kaluar në takime bilaterale, domethënë fillimisht pala kosovare me Bashkimin Evropian dhe pastaj edhe pala serbe. Qëllimi ishte që të arrijmë dakordim që sot ta funksionalizojmë Komisionin e Përbashkët për jetësimin apo zbatimin e marrëveshjes për personat e pagjetur në mes të Kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq. Takimet ishin të suksesshme dhe në fund arritëm që përfundimisht ta jetësojmë këtë objektiv. Tani ka mbetur që në javët e ardhshme të takohen zëvendësat tanë dhe të përcaktojnë prioritetet e para për punën e Komisionit të Përbashkët.
Pyetje: A pati ndonjë temë tjetër në takime përpos temës për të pagjeturit?
Përgjigje: Kjo temë ka qenë tema kryesore. Natyrisht se në pika të shkurtra janë prekur edhe elemente të tjera ku priten lëvizje në të ardhmen pas formimit të qeverisë, mirëpo pjesa më e madhe e kohës i është kushtuar jetësimit të Komisionit për zbatimin e Marrëveshjes për Personat e Zhdukur me Dhunë.