​Beka: Gjykata Speciale në shkolla, përgatitje për një verdikt skandaloz

Aktuale

​Beka: Gjykata Speciale në shkolla, përgatitje për një verdikt skandaloz

Më: 22 janar 2026 Në ora: 20:36
Basri Beka

Basri Beka nga “Organizata Shqiptaria” ka reaguar ashpër ndaj ligjëratës së mbajtur në gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë, ku është diskutuar për Gjykatën Speciale, duke e cilësuar këtë aktivitet si akt politik të mirëllogaritur dhe jo si iniciativë edukative.

Bëka ka pyetyt nëse po përgatitet terreni shoqëror, duke filluar nga shkollat dhe të rinjtë, për të normalizuar një vendim politikisht të porositur dhe historikisht shkatërrues.

Komenti i plotë:

Ajo që ndodhi në gjimnazin “Xhevdet Doda” nuk është incident, nuk është keqkuptim dhe nuk është aktivitet edukativ. Është akt politik i mirëllogaritur. Dhe reagimi i shkollës nuk e zbut skandalin – e ekspozon atë.

Tentativa për ta zhvendosur përgjegjësinë tek Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR) është alibi e dobët dhe fyese për inteligjencën publike. Një institucion arsimor publik nuk lejon ligjërata brenda mureve të veta pa e ditur saktë temën, përmbajtjen dhe qëllimin. Ose kemi paaftësi të rëndë institucionale, ose kemi mashtrim të qëllimshëm. Të dyja janë skandaloze.

Pyetja themelore po fshihet me vetëdije dhe duhet thënë troç:

kush e ka financuar këtë aktivitet?

A e ka financuar drejtpërdrejt apo përmes kanaleve të tërthorta vetë Gjykata Speciale këtë ligjëratë? Kush e ka paguar YIHR-in për ta futur narrativën e Dhomave të Specializuara në një shkollë të mesme? A ka pasur fonde, projekte apo marrëveshje bashkëpunimi me këtë gjykatë? Heshtja për këto pyetje nuk është neutrale – është komprometuese.

Dhe pyetja më e rëndë, që askush nuk guxon ta artikulojë publikisht:

a është ky një sinjal ogurzi për vendimin që po përgatitet nga Gjykata Speciale?

A po përgatitet terreni shoqëror, duke filluar nga shkollat dhe të rinjtë, për të normalizuar një vendim politikisht të porositur dhe historikisht shkatërrues? Historia tregon se propaganda gjithmonë i paraprin verdiktit.

Pretendimi se kjo ligjëratë ka qenë “neutrale” është mashtrim i hapur. Gjykata Speciale nuk është neutrale. Ajo është mekanizëm politik i ndërtuar për një qëllim të vetëm: rishkrimin e historisë së luftës çlirimtare dhe kriminalizimin e udhëheqjes së saj. Ta paraqesësh këtë gjykatë si “informim edukativ” për nxënës është indoktrinim i pastër, i paketuar me terminologji juridike.

Duhet thënë pa asnjë rezervë:

një dënim eventual i krerëve të UÇK-së do të ishte fatkeqësi kombëtare për popullin shqiptar.

Jo vetëm juridikisht, por historikisht, politikisht dhe moralisht. Pasojat e një vendimi të tillë do të jenë shkatërrimtare dhe plotësisht të krahasueshme me fatkeqësinë që shqiptarët përjetuan pas vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në vitin 1468. Atëherë u rrëzua mburoja që mbronte kombin. Sot rrezikon të rrëzohet legjitimiteti i vetë luftës për liri.

Shkollat nuk janë laboratorë për eksperimente politike. Nxënësit nuk janë audiencë për pastrimin e imazhit të një gjykate që po përgatit vendime skandaloze kundër UÇK-së. Kushdo që e lejon këtë mban përgjegjësi morale, institucionale dhe historike.

Kërkohet:

• transparencë e menjëhershme dhe e plotë për financimin dhe organizimin e kësaj ligjërate,

• përgjegjësi direkte nga drejtoria e shkollës dhe strukturat vendimmarrëse,

• ndalim i menjëhershëm i çdo aktiviteti të tillë në shkolla pa miratim institucional dhe debat publik.

Kosova nuk ka luksin e heshtjes.

Heshtja sot nuk është neutralitet.

Heshtja sot është bashkëfajësi historike.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat