Skandal i madh zgjedhor: 15 kryesues dhe 43 komisionerë të ndaluar në Malishevë për hajni me vota

Aktuale

Skandal i madh zgjedhor: 15 kryesues dhe 43 komisionerë të ndaluar në Malishevë për hajni me vota

Më: 28 janar 2026 Në ora: 09:53 Përditësuar në ora: 16:05 më 28.01.2026
Foto ilustrim

Pula: Kandidatët që iu shtuan votat do të jenë objekt i hetimeve

Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula ka thënë se çdo kandidat për deputetë që iu kanë shtuar votat me manipulime, do të jetë objekt i hetimeve.

Në konferencën për media të Prokurorisë Themelore në Gjakovë dhe Policisë së Kosovës, Pula tha se varësisht nga deklarimet dhe provat do të merren vendimet për pozitën e kandidatëve për deputetë në raport me përfshirjen e tyre për vjedhje të votave.  

“Kandidatëve që iu kanë shtuar votat do të jenë objekt i hetimeve, pavarësisht cilësisë çfarë do të ta trajtojmë, varësisht nga intervistat që na vijnë, deklarimeve të komisionerëve, kryesuesve, ngase duhet të sigurojmë prova që vërtetë ka qenë i shtyrë nga një deputet që t’ju shtohen votat dhe mënyrës se si ju kanë shtuar votat”, tha ajo.

“Nuk do të amnistohet asnjë person pavarësisht funksionit çfarë e ka, vetëm të kemi prova të mjaftueshme”, vazhdoi Pula.

58 persona janë ndaluar në Malishevë për manipulim votash sot, prej tyre 15 kryesues e 43 komisionerë. 3 kryesues dhe 7 komisionerë kanë mbetur ende pa u intervistuar, por që sipas Prokurorisë Themelore në Gjakovë janë mbledhur të gjitha provat kryesore të rastit. Aksioni paraprak ishte në Prizren që rezultoi me arrestimin e 109 të dyshuarve, ndërkaq pritet që institucionet të ndërmarrin veprime konkrete në çdo komunë.

​Hetim për manipulim me vota në Malishevë, ndalohen 15 kryesues të KQZ-së

Pesëmbëdhjetë kryesues të KQZ-së janë ndaluar për 48-orë në dyshimin për dallavere me vota në Komunën e Malishevës.

Kryeprokurori në Prokurorinë Themelore më Gjakovë, Enis Gashi, tha se të mërkurën janë intervistuar edhe 43 komisioner për të cilët ende nuk është marrë ndonjë vendim, pasi janë në vlerësim e sipër.

Ai tha se varësisht prej rezultatit të hetimit dhe provave do të zgjerohet hetimi edhe te kandidatët për deputetë.

Manipulimi i votave: Intervistohen disa nga komisionerët e ndaluar në Malishevë

Rreth 68 komisionerë nga komuna e Malishevës janë ftuar të intervistohen në polici nën dyshimin për falsifikim të rezultateve zgjedhore në këtë qytet.

Raportohet se një pjesë e komisionerëve veçse e kanë përfunduar intervistimin.

Po ashtu, një pjesë tjetër e të ftuarve për intervistim nuk janë paraqitur, pasi mësohet se të njëjtit gjenden jashtë Kosovës.

Aksion policor për manipulim votash në Malishevë, Prokuroria me konferencë

Prokuroria Themelore në Gjakovë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do të mbajë sot konferencë për media lidhur me aksionin për dyshimet mbi falsifikimin e rezultateve zgjedhore në Malishevë.

Konferenca do të mbahet në orën 15:00, ndërkaq informacione mbi rastin do të japë kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Enis Gashi. Sipas informacioneve fillestare, organet e rendit kanë filluar me intervistimin e të dyshuarve të përfshirë në raste të manipulimit me vota në këtë komunë. 

Aksioni i ndërmarrë nga institucionet vendore nuk është i pari i kësaj natyre, pasi paraprakisht u arrestuan 109 persona për manipulim me vota.

“Bëhet fjalë për kandidatë deri mbi 6 mijë vota të falsifikuara, bëhet fjalë edhe për situata kur vetëm në një vendvotim, numri i manipuluar ka shkuar deri në 2, 444 vota, vetëm praktikisht në një klasë janë manipuluar, 2,444 vota, përderisa mund ta them se në regjionin tonë ato që janë numëruar nga subjektet politike në QKN është vetëm një klasë që ka dalë e pa keqpërdorur. Për ta pasur edhe më të qartë po flasim për Komunën e  Prizrenit që janë shtuar hiq më pak se 40, 497 vota dhe janë hequr hiq më pas se 27, 520 vota. Pra diferenca totale e keqpërdorimeve është 68, 017 vota, po flasim për një organizim, po flasim për dashje direkte për ta përmbytur rezultatin e po flasim edhe për përmbytje të vullnetit të qytetarëve”, kishte thënë kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu në konferencë për media pas operacionit policor lidhur me keqpërdorimin e votave në këtë komunë para 5 dite.

----------

Prokuroria Themelore e Gjakovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës po zhvillon një aksion në Malishevë në lidhje me dyshimet për manipulim të votave të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Zëdhënësi i prokurorisë, Drin Domi ka konfirmuar se operacioni është ndërmarrë nën dyshimet për falsifikim të rezultateve të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Të premten, Prokuroria Themelore e Prizrenit realizoi aksion lidhur me dyshimet për falsifikim të rezultateve zgjedhore, që përfundoi me 109 të arrestuar.

Kujotjmë, se shkak i manipulimeve me vota, i gjithë procesi ka shkruar në rinumërim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat