Fetoshi: “Nata e tmerrit” në Mitrovicë mbetet krim pa aktakuzë edhe pas 26 vjetësh

Aktuale

Fetoshi: “Nata e tmerrit” në Mitrovicë mbetet krim pa aktakuzë edhe pas 26 vjetësh

Më: 3 shkurt 2026 Në ora: 16:26
Arben Fetoshi

Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Arben Fetoshi, ka deklaruar se ngjarjet e 3 dhe 4 shkurtit 2000 në veri të Mitrovicës përbëjnë një krim të organizuar të spastrimit etnik, i cili edhe pas 26 vjetësh mbetet pa aktakuzë dhe pa përgjegjësi penale.

Në një reagim përvjetor, Fetoshi tha se ajo që dëshmitarët e përshkruajnë si “nata e tmerrit” ishte një operacion i planifikuar, i maskuar si “huliganizëm”, ku shqiptarët u sulmuan brenda shtëpive të tyre me bomba, snajperë dhe armë automatike, nën vëzhgimin e Policisë së UNMIK-ut dhe trupave franceze të KFOR-it.

Sipas tij, gjatë kësaj nate u vranë 10 qytetarë shqiptarë, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar, u plagosën 25 të tjerë dhe 93 persona u keqtrajtuan fizikisht, ndërsa qëllimi ishte i qartë: dëbimi i shqiptarëve nga veriu i qytetit, nën thirrjet “asnjë shqiptar në veri”.

Fetoshi theksoi se spastrimi etnik në Mitrovicë erdhi pas dështimit të operacionit “Patkoi” dhe kapitullimit të Serbisë në qershor të vitit 1999, duke e cilësuar atë si hakmarrje dhe strategji të re politike të regjimit të Millosheviqit. Ai vlerësoi se dëbimi i rreth 12 mijë shqiptarëve drejt jugut të qytetit, në prani të forcave ndërkombëtare, ishte pjesë e një skenari për “sekjuritizimin” e veriut dhe shndërrimin e tij në zonë të veçantë sigurie.

Sipas drejtorit të Institutit “Octopus”, kjo qasje u shfrytëzua nga Serbia për konsolidimin, armatosjen dhe institucionalizimin e strukturave ilegale, të cilat më vonë u shndërruan në struktura hibride për sabotimin e Kosovës. Ai e lidhi drejtpërdrejt “natën e tmerrit” me zhvillimet e mëvonshme të sigurisë, përfshirë sulmin e armatosur në Banjskë më 2023 dhe sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit më 2024.

Duke folur për aspektin e drejtësisë, Fetoshi tha se masakra e Mitrovicës është një krim i dokumentuar me qindra dëshmi dhe pamje, por pa asnjë të dënuar. Ai përmendi procesin gjyqësor ndaj Oliver Ivanoviqit dhe disa të tjerëve, si i vetmi rast që ka përfshirë ngjarjet e shkurtit 2000, por që, sipas tij, nuk çoi në identifikimin e përgjegjësve. Procesi përfundoi pa epilog, veçanërisht pas vrasjes së Ivanoviqit në janar 2018.

Fetoshi rikujtoi gjithashtu se Kryeministri Albin Kurti, me rastin e 25-vjetorit të ngjarjeve, i kishte dërguar një letër zyrtare Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, duke kërkuar hetim të plotë dhe gjithëpërfshirës, por pa asnjë përgjigje konkrete.

“Përkujtimet dhe thirrjet për drejtësi vazhdojnë të mbyten në pellgun e të panjohurës”, tha Fetoshi, duke shtuar se mesazhi i “natës së tmerrit” në Mitrovicë mbetet ende kërcënues për aq kohë sa autorët janë të pandëshkuar dhe krimi pa përgjigje.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat