Tasholli: UÇK-ja nuk është flamur partie, është themel i lirisë sonë

Aktuale

Tasholli: UÇK-ja nuk është flamur partie, është themel i lirisë sonë

Më: 17 shkurt 2026 Në ora: 15:03
Foto nga vendngjarja

Mijëra qytetarë nga gjithë Kosova, janë mbledhur në Prishtinë në këtë përvjetor të 18 të pavarësisë, për t’i dhënë mbështetje ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Ismail Tasholli nga “Liria ka emër”, ishte i pari që i hapi fjalimet në marshin “Drejtësi, jo politikë”. Ai tha se kur vjen fjala për UÇK-në, aty nuk ka ndarje, nuk ka poste.

“Aty jemi krejt bashkë. Njëjtë, aty jemi bijtë e bijat e një historie që na ka bashkuar në momentet më të vështira. Ushtra Çlirimtare nuk është flamur partie, është themel i lirisë sonë, dhe për atë themel nuk flasim me dallime, por me një zemër, prej zemrës.”, tha para mijëra marshuesve ai.

Tasholi tha se në çdo fshat e qytet ku kanë shkuar , një fjalë ka qenë mbi të gjitha, UÇK.

“Ka qenë fjala e nderit, fjala që na ka bashkuar, fjala që i ka mbushur sytë me lot e zemrat me krenari. Nuk ka pasur shtëpi, nuk ka pasur asnjë shesh ku nuk e kemi parë emrin e Ushtrisë Çlirimtare. E kemi parë me sytë tanë sa shumë e do ky popull UÇK-në si simbol, si sakrificë, si themel i lirisë, si pjesë e identitetit tonë”, tha ai.

Tasholli shtoi se thirrjet për drejtësi nuk janë kundër askujt.

“Thirrjet tona për drejtësi e jo politike nuk janë kundër askujt. Janë për dinjitetin tonë kolektiv. Ne nuk mund të pranojmë që proceset që zhvillohen në emër të popullit të Kosovës të përdoren për të barazuar agresorin me viktimën apo për të mjegulluar karakterin çlirimtar të luftës tonë”, tha ai 

Fjalë mbajti edhe Vasfije Krasniqi, e mbijetuara e dhunës seksuale në Kosovë. Mes emocionesh tha se liria nuk erdhi vetvetiu, por me gjak e sakrificë. “Na flasim për drejtësi dhe krimet që kreu Serbia në Kosovë, ne jemi të gjithë këtu për t’i liruar ata nga Haga. Nëse doni me ditë çka e bashkon popullin shqiptar është cenimi i lirisë dhe padrejtësia. Faleminderit gjithë juve që i shërbyet atdheu kur më së shumti kishte nevojë. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, ata duhet të lirohen , ata e mbrojtën popullin e vetë si gjithë Ushtria Çlirimtare”, tha ajo.

Mbushet sheshi Skënderbeu, nis marshi “Drejtësi, jo politikë”

Flamuj kombëtar, të Kosovës e të Ushtrisë Çlirimtare, po valojnë nëpër sheshet e Prishtinës derisa njëzëri po brohoritet për tri shkronjat “UÇK”, në marshin “Drejtësi, jo politikë”. Aty janë edhe pjesëtarë të familjeve të ish-krerëve të UÇK-së e, presidentja e shtetit e liderë politik nga Kosova e vendet e rajonit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat