Dëshmia e masakrës së Likoshanit dhe Qirezit regjistrohet zyrtarisht në arkivin shtetëror

Aktuale

Dëshmia e masakrës së Likoshanit dhe Qirezit regjistrohet zyrtarisht në arkivin shtetëror

Nga: A.SH Më: 28 shkurt 2026 Në ora: 15:26
Sheremet Sejdiu

Kryeministri Albin Kurti njoftoi se dëshmia e Bacë Sheremet Sejdiut, i cili 28 vite më parë gjeti katër djemtë e tij të vrarë në masakrën e Likoshanit dhe Qirezit, është regjistruar zyrtarisht nga Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë (IKKL).

Kurti theksoi se dokumentimi i këtyre krimeve është detyrë shtetërore dhe garanci që e vërteta për krimet e luftës dhe gjenocidin e kryer nga Serbia të mos harrohet, duke riafirmuar angazhimin për drejtësi dhe paqe të qëndrueshme.

Postimi i Kurtit:

Bacë Sheremet Sejdiu, 28 vite më parë, i gjeti katër djemtë e tij të vrarë në shtëpi, pas masakrës që forcat serbe kryen në Likoshan dhe Qirez.

Dëshmia e tij tashmë është regjistruar zyrtarisht nga Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë (IKKL). Ajo është pjesë e arkivit shtetëror, e historisë sonë kolektive dhe e së vërtetës që i takon Republikës.

Dokumentimi është përgjegjësi shtetërore, por edhe garanci, që e vërteta për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin e kryer nga Serbia në Kosovë të mos zbehet me kalimin e viteve.

Në nderim të viktimave të Likoshanit dhe Qirezit, dhe të sakrificës së popullit tonë, riafirmojmë zotimin institucional të Republikës së Kosovës për të mos harruar. Dokumentimi sistematik dhe ndjekja e drejtësisë për këto krime të rënda janë parakusht për paqen e qëndrueshme.

 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat