Diskutime në VV, Kurti: Ky do të ishte kandidati i duhur për president

Aktuale

Diskutime në VV, Kurti: Ky do të ishte kandidati i duhur për president

Më: 1 mars 2026 Në ora: 07:34 Përditësuar në ora: 16:00 më 01.03.2026
Albin Kurti

Në mungesë konsensusi, LVV paralajmëron kandidat për president

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit kryeministër i Kosovës, Albin Kurti se vendi ka nevojë për një figurë unifikuese në krye të shtetit, ndërsa paralajmëroi se në mungesë të konsensusit, edhe LVV do të propozojë kandidatin e saj për president.

Kurti e nisi fjalimin në mbledhjen e këshillit të përgjithshëm të partisë, duke falënderuar të gjithë aktivistët për angazhimin e tyre në zgjedhje e fund vitit 2025, duke thënë se energjia dhe përkushtimi i tyre u dhanë edhe një rezultat që i jep mandatë për të vazhduar punën, reformën dhe qeverisjen e ndershme.

Kurti tha se duke pas kohën e shkurtër për zgjedhjen e presidentit, ka nis menjëherë angazhimin për tejkalimin e kësaj sfide, duke nis takimin me partitë partiake.

Kurti: Kandidati unifikues për president do të ishte nder

“Fillimisht ka qenë një pajtueshmëri se vendi ka nevojë për një figurë unifikuese, një figurë e tillë e pajtueshme për të gjithë do të ishte nga familja emblematike Jashari. Bindja ime ka qenë dhe vazhdon të mbetet se një figurë e profesor e personalitet si Murat Jashari do të gëzonte mbështetje nga të gjithë partiake, do të ishte nder për republikën, stabilitet për institucionin dhe siguri për kombin”, tha Kurti duke shtuar se rrethanat globale dhe kërcënimet nga fqinji ynë verior kërkojnë një moment reflektimi dhe një figurë që i bën ballë shtrëngatave me të cilat mund të përballet vendi ynë.

Sipas tij, ky do të ishte rast ideal, por megjithatë pas takimit të dytë që kishte me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, iu është thënë se presidenti duhet të vijë nga PDK.

Kurti: Nëse partitë duan që secila ta ketë kandidatin e vet, atëherë edhe LVV do ta kemi

“Unë mendoj që kandidati mund të vijë nga cilido subjekt, qoftë nga PDK, LDK, apo Lëvizja Vetëvendosje por në fund zgjedhjen për president nuk e garanton përkatësia partiake por vota në Kuvend. Nëse nuk arrijmë të gjejmë një figurë unifikuese që siguron mbështetjen e së paku 80 deputetëve, atëherë një nga opsionet e mbetura është që secili subjekt të propozojë kandidatin e vet partiak dhe të gjithë t’i nënshtrohen garës para Kuvendit, këtë e parasheh edhe Kushtetuta.... nëse subjektet pajtohen që ky të jetë rrugëtimi, pra gara e hapur ku secili subjekt ka kandidatin për president, atëherë edhe ne pajtohemi me këtë qasje dhe LVV do ta ketë kandidatin e saj për president. Si kryetar jam duke u angazhuar maksimalisht që ta tejkalojmë këtë proces dhe vendi mos të shkoj në zgjedhje të reja“, tha ai.

Kurti tha se nesër do të takojë edhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Ai përmendi një miliard euro investime në vit në ushtri, një miliard euro në prodhim dhe një miliard euro investime kapitale.

Sipas tij, vendi ynë do të bëhet eksportues i energjisë elektrike, pasi Termocentrali do të modernizohet. Ndërkaq Termocentrali Kosova A, do të rehabilitohet thellësisht. Derisa shtoi se kapacitetet e erës do të shtohen dy fish, ndërsa, ato diellore tetë fish.

Kurti përmendi edhe rritjen e shtesave për fëmijët dhe nënat lehona, super punën për gratë, mbështetjen e gjysheve që kujdesen për fëmijët kur të dy të rinjtë janë në punë. Kurse, paga minimale në Kosovë do të bëhet 500 euro nga muaji korrik.

Kurti: Paga e 13 në fund të muajit mars

“Buxheti në vlerë rreth 4 milardë euro e përfshinë edhe pagën e 13 për punëtorët e sektorit publik e cila do të shpërndahet në fund të këtij muaj që e nisëm sot“, tha ai.

Ai tha se gjatë këtij viti do të kenë edhe zgjedhjet e brendshme. 

Kurti në mbledhje tregon se kur shpërndahet rroga e 13-të për punëtorët e sektorit publik

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se përmbushja e zotimeve të mandatit të ri ka nisur me zbatimin e buxhetit të miratuar në Kuvend.

Duke folur në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti theksoi se buxheti është miratuar në lexim të dytë më 20 shkurt dhe kap vlerën rreth 4 miliardë euro.

“Punën përmes përmbushjes së zotimeve në këtë mandat të ri e nisim me buxhetin e miratuar në Kuvend në lexim të dytë më 20 shkurt”, u shpreh Kurti.

Ai bëri të ditur se në kuadër të këtij buxheti përfshihet edhe paga e 13-të për punëtorët e sektorit publik, e cila pritet të shpërndahet në fund të këtij muaji.

“Buxheti në vlerë rreth 4 miliardë euro përfshin edhe pagën e 13-të për punëtorët e sektorit publik, që do të shpërndahet në fund të këtij muaji që nisi sot”, deklaroi ai.

Sipas Kurtit, miratimi i buxhetit shënon hapin e parë konkret drejt realizimit të prioriteteve të qeverisë në mandatin e ri.

Kurti: Fitorja e LVV-së në zgjedhjet e 28 dhjetorit është një aksion që tejkaloi imagjinatën

Kryeministri dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka hapur mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë, duke falënderuar aktivistët dhe qytetarët që kontribuan në fitoren historike të LVV-së në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.

Ai e quajti këtë fitore një aksion që tejkaloi imagjinatën, duke e vlerësuar si një arritje rekord dhe historike për partinë dhe për vendin.

Në fjalimin e tij, Kurti theksoi se fushata zgjedhore e Lëvizjes Vetëvendosje për këto zgjedhje ishte një nga më të veçantat, duke theksuar se jo vetëm Kosova dhe trojet shqiptare, por edhe rajoni e më gjerë ishin të impresionuar nga angazhimi i madh që solli këtë rezultat

“Është hera e parë që takohemi pas fitores rekord dhe historike dy muaj më parë në zgjedhjet parlamentare. Gëzuar edhe njëherë, urime për aksionin që tejkaloi imagjinatën,” tha Kurti, duke shprehur mirënjohjen për të gjithë ata që morën pjesë në fushatën e fitores.

Ai theksoi se kjo fitore nuk erdhi thjesht si rezultat i një gare politike, por si një lëvizje vitale që përfshiu mijëra vullnetarë, aktivistë dhe simpatizantë nga të gjitha pjesët e Kosovës, si dhe nga mërgata.

Kurti vuri në dukje se angazhimi, përkushtimi dhe durimi i këtyre individëve ishin forca më e madhe që e mundësuan këtë sukses.

“Energjia, përkushtimi dhe durimi i tyre ishin forca jonë më e madhe. Pa këtë angazhim asgjë nuk do të ishte e mundur, me këtë angazhim gjithçka u mundësua,” tha ai, duke përmendur gjithashtu zgjedhjet e vitit 2019 dhe duke krahasuar këtë moment historik me një shprehje të njohur të LVV-së.

“Kujtojmë momentin historik të 6 tetorit 2019, kur populli na dha një votë bindëse për ndryshim në zgjedhjet e parakohshme. Dhe siç thamë: doli zogu nga kafazi dhe nuk kthehet më. Ishte dita kur vendi tregoi se rruga për punë, drejtësi dhe përkushtim ndaj qytetarëve dhe shtetit nuk mund të kthehet pas,” theksoi Kurti, duke vazhduar me fitoren e vitit 2021 dhe duke e shpjeguar si një moment kur lëvizja e LVV-së filloi të shtrijë krahët e saj për të marrë një mandat të fuqishëm në vitin 2025.

Fjalimi i Kurtit u mbyll me një apel për mësime të mëdha nga vitet që kaluan dhe me optimizëm për vitin 2026 dhe periudhën e ardhshme, duke e cilësuar këtë fitoren si një themel të fortë për të ardhmen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Kosovës.

Kurti: Murat Jashari do të ishte zgjidhja e duhur për president

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka deklaruar se Murat Jashari, i cili vjen nga familja emblematike Jashari, do të ishte zgjedhja e duhur në momentin e duhur për president të vendit.

Ai kështu u shpreh teksa po mban fjalën në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, që po mbahet në këto momente, ku po flet për çështjen e presidentit të vendit.

“Pas formimit të qeverisë kemi filluar angazhimin intensiv për këtë proces, pasi kanë mbetur edhe shumë pak ditë për ta zgjedhur presidentin/presidenten. Jam shumë i vetëdijshëm që Lëvizja Vetëvendosje e vetme nuk i ka numrat, nuk i ka 80 vota. Për këtë kam ftuar në takim dy liderët e partive opozitare. Takimet kanë qenë konstruktive. Fillimisht ka qenë një pajtueshmëri që vendi ka nevojë për një figurë unifikuese. Një figurë e tillë e padiskutueshme sigurisht që do të ishte një kandidat nga familja emblematike Jashari. Bindja ime ka qenë dhe vazhdon të mbetet që një figurë si e profesorit Murat Jashari do të kishte mbështetjen e të gjitha partive politike”, tha Kurti.

Nis mbledhja e VV-së

Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka nisur sot mbledhjen, ku pritet të diskutohet edhe çështja e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës.

Pjesëmarrësit po shqyrtojnë opsionet e partisë dhe strategjitë për kandidatin që do të propozohet.

Detaje të mëtejshme priten gjatë zhvillimit të mbledhjes.

Mblidhet VV-ja, diskutohet edhe për Presidentin

Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje do të mblidhet sot, ku pritet të diskutohet edhe çështja e zgjedhjes së Presidentit.

Kështu bëri të ditur shefi i kësaj partie, njëherësh kryeministri i Kosovës Albin Kurti, pas një takimi që pati dje me kreun e Partisë Demokratike, Bedri Hamzën.

Kurti deklaroi se pritet të ketë edhe një propozim nga ky subjekt për shef të shtetit.

“Ne do ta kemi mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje nesër. Natyrisht që mbledhjen e nesërme nuk e kemi thirrur enkas për çështjen e Presidentit të Republikës. E kemi thirrur para se gjithash, për shkak se është obligim statutor i yni kronologjik që t’i kemi katër mbledhje në vit, pra çdo tre muaj, dhe sidomos për shkak se sivjet, 2026-a është vit zgjedhor në Lëvizjen Vetëvendosje”, deklaroi Kurti para mediave.

“Tash na duhen përgatitje të reja në LVV, por natyrisht që do ta diskutojmë edhe këtë çështje. Dhe duket që, kur s’ka mundësi për marrëveshje politike, kur s’ka mundësi për propozim konsensual, atëherë do të kemi propozime partiake që do të merren vesh shpejt”, theksoi ai.

“Ne nuk jemi përcaktuar për emër të veçantë. Ju e dini që Vetëvendosja është subjekt jo veçse i gjerë e i madh, por është më i madhi në Kosovën e pasluftës dhe besoj që nuk është vështirësia aty. Vështirësia do të jetë në hapat që na presin në vijim dhe uroj për një garë sa më demokratike, të hapur, dhe natyrisht sa më parë ta kalojmë edhe këtë sfidë”, shtoi kreu i LVV-së.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat