LIVE: Në Speciale vazhdon gjykimi në rastin ‘Administrimi i drejtësisë’

Aktuale

LIVE: Në Speciale vazhdon gjykimi në rastin ‘Administrimi i drejtësisë’

Më: 2 mars 2026 Në ora: 09:01 Përditësuar në ora: 14:15 më 02.03.2026
Hashim Thaçi

​Mbrojtja e Thaçit përfundon pyetjet për dëshmitarin e parë në rastin për pengimin e drejtësisë

Avokatja e Hashim Thaçit, Sophie Menegon ka përfunduar pyetjet për dëshmitarin e parë të ftuar nga Prokuroria në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit për pengim të drejtësisë.

Pas pushimit të drekës, me pyetje për këtë dëshmitar do të vazhdojnë ekipet tjera të mbrojtjes.

Përveç për Rrustem Mustafën, Bislim Zyrapin, avokatja e Thaçit, Sophie Menegon e ka pyetur pjesëtarin e ZPS-së i cili po dëshmon në këtë rast, edhe për Sylejman Selimin, Shukri Bujën, Nuredin Ibishin dhe Sokol Bashotën.

Edhe për Selimin, Bujën, Ibishin dhe Bashotën, dëshmitari pohoi se vet e kanë bërë publike që janë ftuar për të dëshmuar. Për të gjithë këta, dëshmitari i parë në këtë rast tha se nuk janë vendosur masa mbrojtëse për dëshmi sepse, siç tha ai, ishin figura publike.

Këto janë regjistruar si prova në këtë proces gjyqësor.

Nesër planifikohet të fillojë dëgjimi i dëshmitarit tjetër me kodin 8.

Pesëshja e akuzuar për pengim të drejtësisë janë deklaruar të pafajshëm para trupit gjykues.

Edhe avokatët mbrojtës kanë kundërshtuar këto pretendime, ku kanë thënë se provat e Prokurorisë nuk dëshmojnë kryerjen e veprave penale për çka akuzohen.

Hashim Thaçi dhe të tjerët akuzohen nën pretendimet se gjatë vizitave më 2023 në Hagë, të njëjtit i kanë dhënë udhëzime dhe informacione konfidenciale dëshmitarëve për gjyqin për krime lufte.

​Dëshmitari pyetet përse nuk i ishin vendosur masa mbrojtëse ‘Remit’ gjatë dëshmisë në Speciale

Dëshmitari i parë në rastin “Thaçi 2”, i cili është staf i Zyrës së Prokurorit të Specializuar po vazhdon dëshminë e tij nën masa mbrojtëse.

Avokatja e Hashim Thaçit, Sophie Menegon e ka pyetur dëshmitarin me kodin 7 se pse gjatë dëshmisë së Rrustem Mustafës në çështjen e ndaj ish-krerëve të UÇK-së, nuk i ishin vendosur masa mbrojtëse.

Dëshmia e tij ka nisur të premten, në ditën edhe kur ka filluar gjyqi për këtë rast.

Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi janë të pranishëm në sallën e gjyqit.

Avokatja e pyet dëshmitarin se pse nuk i ishin vendosur masa mbrojtëse Remit gjatë dëshmisë

Avokatja: Rrustem Mustafa, ai ka dhënë dëshminë në çështjen 06 në korrik të vitit 2023, pas një marrëveshje për pranimin e faktit midis palëve, sipas deklaratës tuaj P168, ai nuk ka patur masa mbrojtëse. Është e saktë?

Dëshmitari: E saktë.

Avokatja: E dini pse nuk ka pasur masa mbrojtëse për të?

Dëshmitari: Sot në mëngjes e shpjegova se si prokurori e vendos lidhur me masat mbrojtëse, nëse personi është publik dhe i njohur, nëse personi ka dhënë dëshmi më parë në seanca publike në mënyrë të hapur, në gjykata ndërkombëtare, në Tribunal Ndërkombëtar apo gjykata ndërkombëtare, për zotëri Mustafa, ai ka dëshmuar më parë në mënyrë të hapur dhe është person shumë i njohur dhe figurë e njohur në Kosovë”, u përgjigj dëshmitari i parë në këtë rast.

Para trupit gjykues, Menegon ka shfaqur edhe një dokument, ku u tha se në vitin 2018, Arianit Koci në cilësinë e avokatit të Rrustem Mustafës kishte njoftuar se ai do të intervistohej vullnetarisht nga prokuroria.

Avokatja e Thaçit pyet dëshmitarin: A është e vërtetë që Mustafa

Avokatja: A është e saktë që në këtë artikull thuhet që më 6 dhjetor 2018, zotëri Mustafa përmes avokatit të tij që do të merrej vullnetarisht në Hagë për intervistë, a është informacion i saktë ky?

Dëshmitari: I saktë”, tha ai.

Këtë dokument avokatja e Thaçit kërkoi që të regjistrohet si provë gjyqësore, për çka pati kundërshti nga Prokuroria.

Më tej, në gjykatore dëshmitari tha se Mustafa u morr në pyetje në cilësinë e dëshmitarit të dyshuar.

Pesëshja e akuzuar për pengim të drejtësisë janë deklaruar të pafajshëm para trupit gjykues.

Edhe avokatët mbrojtës kanë kundërshtuar këto pretendime, ku kanë thënë se provat e Prokurorisë nuk dëshmojnë kryerjen e veprave penale për çka akuzohen.

Hashim Thaçi dhe të tjerët akuzohen nën pretendimet se gjatë vizitave më 2023 në Hagë, të njëjtit i kanë dhënë udhëzime dhe informacione konfidenciale dëshmitarëve për gjyqin për krime lufte. 

Mbrojtja e Thaçit në Hagë: Dëshmitarët e kanë bërë vetë publike ftesën për dëshmi

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, mbrojtja e Hashim Thaçit nisi të hënën të marrë në pyetje dëshmitarin e parë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), në gjykimin ndaj Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit për pengim të drejtësisë.

Dëshmitari, i cili kishte nisur dëshminë më 27 shkurt si i ftuari i parë i Prokurorisë në këtë rast, u mor në pyetje nga avokatja e Thaçit, Sophie Menegon. Në gjykatore u bë e ditur se ai është pjesë e stafit të Prokurorisë.

Seanca, që nisi në orën 9:30, herë pas here kaloi në pjesë të mbyllura për publikun.

Gjatë seancës, Menegon u fokusua në procedurat që lidhen me dëshmitarët në rastin tjetër ndaj Thaçit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, duke argumentuar se disa prej tyre e kanë bërë vetë publike faktin se janë ftuar për të dëshmuar.

Si shembull ajo përmendi Rrustem Mustafën, i njohur si Remi, për të cilin tha se kishte deklaruar vetë në media se ishte ftuar për të dëshmuar në Hagë.

Dëshmitari i Prokurorisë tha se Remi nuk ishte vendosur nën masa mbrojtëse, pasi është figurë publike dhe ka folur më herët publikisht për këto çështje.

Në seancën e 27 shkurtit, i pyetur për procedurat, ai kishte thënë se dëshmitarët zakonisht udhëtojnë për në Hagë 7–10 ditë para datës së dëshmisë, për t’u përgatitur duke analizuar deklaratat e mëhershme dhe materiale të tjera. Sipas tij, dëshmitarët kanë të drejtë të korrigjojnë ose ndryshojnë dëshminë e tyre.

Sipas aktakuzës, për disa muaj gjatë vitit 2023, të akuzuarit kanë ndërhyrë në çështjen gjyqësore ndaj Thaçit dhe tre ish-eprorëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Në seancën paraprake, Thaçi, Smakaj, Kilaj, Fazliu dhe Kuçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi ta.

Në deklaratën hyrëse, Prokuroria ka thënë se Thaçi ka udhëhequr tri grupe në përpjekje për të ndikuar dëshmitarë të caktuar në rastin e parë kundër tij.

Ajo ka deklaruar se posedon dëshmi, përfshirë audio-incizime të realizuara në qendrën e paraburgimit në Hagë, ku pretendohet se Thaçi udhëzon të akuzuarit që të ndikojnë që dëshmitarë të caktuar, përfshirë edhe të mbrojtur, të ndryshojnë dëshminë e tyre.

Prokuroria ka thënë gjithashtu se te disa nga të akuzuarit janë gjetur materiale që dyshohet se u janë dhënë nga Thaçi.

Thaçi, ish-president i Kosovës, akuzohet edhe për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, së bashku me tre ish-eprorë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Të katërtit i kanë mohuar akuzat.

Në këtë rast, nga java e kaluar, janë duke u zhvilluar deklaratat përmbyllëse, gjatë të cilave mbrojtja argumentoi se nuk ekzistojnë prova të mjaftueshme për krimet e pretenduara, ndërsa Prokuroria kërkoi që të katërtit të shpallen fajtorë.

Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues, i cili ka afat tre muaj për të marrë një vendim ose mund të kërkojë zgjatjen e këtij afati.

Njoftimi i sotëm vjen në ditën kur Kosova shënon 18-vjetorin e pavarësisë, ndërsa pritet edhe një protestë që do të adresojë, sipas organizatorëve, trajtimin e padinjitetshëm të të akuzuarve në Hagë.

​Dëshmitari i parë në rastin “Thaçi 2”: Kishim disa hetime për pengim të drejtësisë

Në Dhomat e Specializuara në Hagë po vazhdon të dëgjohet dëshmitari i parë në rastin ndaj Hashim Thaçi, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit.

Dëshmitari me numrin 7 në këtë çështje gjyqësore, i cili është staf i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, e ka nisur dëshminë e tij të premten nën masa mbrojtëse.

Ai në gjykatore tha se kanë pasur disa hetime për pengim të drejtësisë, raporton KosovaPress.

Dëshmitari: Kishim disa hetime për pengim të drejtësisë

“Kishim disa hetime për pengim të drejtësisë, unë nuk e dija se sa çështje në fakt do të materializoheshin për pengim të drejtësisë, si përfundim patëm vetëm tre çështje për pengim dhe unë nuk mund të ua specifikoj ju sa burime kemi pasur ne për çështjen 10, 12 apo 11. Edhe të gjitha këto ishin të ndërlidhura me çështjen 06”, ka thënë ai.

Këtë përgjigje ky dëshmitar e ka dhënë gjatë kundërpyetjeve të avokates së Hashim Thaçit, Sophie Menegon. Në fillim të seancës, ajo gjithashtu i tha dëshmitarit se a e ka lexuar dosjen e prokurorisë dhe mbrojtjes dhe nëse ka pasur qasje në dokumentet e kësaj çështje gjyqësore.

Avokatja pyet dëshmitarin: A keni qasje në dokumentet e Prokurorisë?

Avokatja: Sa dijeni keni për çështjen 12, meqë jeni staf i ZPS-së, a mund të na thoni fillimisht se a e keni lexuar dosjet e prokurorisë dhe mbrojtjes për çështjen e 12-të?

Dëshmitari: Jo.

Avokatja: A mund të na thoni nëse keni qasje në dokumentet e çështjes së 12-të?

Dëshmitari: Po, kam qasje.

Avokatja: Meqë këto dy çështje janë të ndërlidhura a mund të na thoni nëse keni qasje edhe në dokumentet e çështjes së 6-të?

Dëshmitari: Po, kam qasje në të gjitha dokumentet.

Avokatja: A mund të na thoni cilat materiale keni lexuar për tu përgatitur për dëshminë tuaj, përveç deklaratave tuaja?

Dëshmitari: Lexova disa dokumente që lidhen me mbrojtjen e dëshmitarëve, por nuk më kujtohet diçka konkrete”, u përgjigj dëshmitari 7.

Më pas me kërkesë të avokates Menegon, është vijuar me seancë private.

Tutje, në seancë publike, dëshmitari i parë në këtë çështje gjyqësore ka pohuar se dëshmitarët kontaktoheshin rregullisht nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Dëshmitari pohon se ZPS i kontaktonte rregullisht dëshmitarët

Avokatja: A është e vërtetë që dëshmitarët e çështjes 6-të kontaktoheshin rregullisht prej ZPS-së që të përditësoheshin në lidhje me ecurinë e çështjes së 6-të?

Dëshmitari: E saktë.

Avokatja: Për shembull ZPS-ja synonte t’i thërriste ata?

Dëshmitari: Po.

Avokatja: Pra, ata janë kontaktuar për tu informuar se kur do të fillonte çështja, gjykimi i ZPS-së, kur pritej?

Dëshmitari: E saktë”, u tha në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Gjatë kundërpyetjeve të mbrojtjes së Thaçit, dëshmitari tha se Rrustem Mustafa dhe Bislim Zyrapi janë intervistuar lidhur me ndërhyrjen e pretenduar në këtë rast.

Dëshmitari: Jam në dijeni që Mustafa dhe Bislim Zyrapi janë intervistuar nga ZPS lidhur me ndërhyrjen e pretenduar

Avokatja: A është e saktë që zotëri Mustafa dhe zotëri Bislim Zyrapi janë intervistuar nga ZPS-ja lidhur me ndërhyrjen e pretenduar?

Dëshmitari: Po, jam në dijeni.

Avokatja: A ka patur ndonjë dëshmitar tjetër nga çështja e 6-të që është intervistuar në mënyrë formale, zyrtare, të incizuar me zë dhe me video lidhur me pretendimet për ndërhyrje?

Dëshmitari: Nuk më kujtohet”, u përgjigj ky dëshmitar.

Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi akuzohen për pengim të drejtësisë, për çka ata janë deklaruar të pafajshëm. Edhe avokatët mbrojtës kanë kundërshtuar këto pretendime, ku kanë thënë se provat e Prokurorisë nuk dëshmojnë kryerjen e veprave penale për çka akuzohen.

Hashim Thaçi dhe të tjerët akuzohen nën pretendimet se gjatë vizitave më 2023 në Hagë, të njëjtit i kanë dhënë udhëzime dhe informacione konfidenciale dëshmitarëve për gjyqin për krime lufte.

Dëshmitari i ZPS-së: Nuk kam njohuri për çështjen në fjalë

Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës po vazhdon gjykimi në rastin “Thaçi dhe të tjerët” për administrimin e drejtësisë, ku ekipet e mbrojtjes filluan pyetjet e tyre për Dëshmitarin 7.

Ky dëshmitar dëshminë e tij nën masa mbrojtëse e kishte nisur më 27 shkurt, në ditën e hapjes së gjykimit.

Pasi Prokuroria përfundoi marrjen në pyetje të dëshmitarit, me kundërpyetje ka vijuar mbrojtja e Hashim Thaçit, e përfaqësuar nga avokatja Sophie Menegon.

Dëshmitari, i cili është pjesë e stafit të Prokurorisë, u pyet nga avokatja për njohuritë që ka lidhur me këtë çështje gjyqësore. Ai deklaroi se nuk ka lexuar dosjen e Prokurorisë dhe atë të mbrojtjes në këtë rast.

Megjithatë, theksoi se ka qasje në të gjitha dokumentet e kësaj çështjeje, si dhe në dokumentet e rastit të Thaçit për krime lufte.

Pas kësaj, me kërkesë të avokates Menegon, seanca kaloi në pjesë private për publikun.

------

Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës vazhdon gjykimi në rastin “Thaçi dhe të tjerët” për administrimin e drejtësisë, ku pritet që ekipet e mbrojtjes të fillojnë pyetjet e tyre për Dëshmitarin 7.

Në javën e kaluar, ZPS-ja lexoi një përmbledhje të akuzave dhe, pas kësaj, secili prej pesë të akuzuarve konfirmoi vetëdeklarimin si i pafajshëm. Më pas, ZPS-ja filloi me deklaratën hyrëse.

Pas përfundimit të deklaratës hyrëse të ZPS-së, mbrojtja e Bashkim Smakajt paraqiti dhe përfundoi deklaratën e saj hyrëse. Mbrojtja e Kilajt më pas filloi paraqitjen e deklaratës hyrëse.

Pas përfundimit të deklaratave hyrëse nga ZPS-ja dhe ekipet e mbrojtjes së Smakajt dhe Kilajt, ZPS-ja thirri dëshmitarin e parë, i cili dha dëshminë nën masa mbrojtëse si Dëshmitari 7.

Ndryshe, pas konfirmimit të aktakuzës kundër pesë të akuzuarve, Isni Kilaj, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u arrestuan nga ZPS-ja më 5 dhjetor dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë më 6 dhjetor 2024.

Hashim Thaçi iu dorëzua fletarrestimi në objektin e paraburgimit të DHSK-së më 5 dhjetor, ndërsa Hajredin Kuçi iu dorëzua fletëthirrja për paraqitjen e parë. Në paraqitjen e tyre të parë më 8 dhjetor 2023, Thaçi dhe Smakaj nuk u deklaruan në lidhje me fajësinë ose pafajësinë, ndërsa Fazliu u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. Një ditë më vonë, më 9 dhjetor, Kuçi dhe Kilaj u vetëdeklaruan të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Pasi Thaçi dhe Smakaj vendosën të mos deklarohen lidhur me fajësinë gjatë seancës së 17 dhjetorit 2024, gjykatësja e procedurës paraprake kërkoi që ata të deklarohen me shkrim deri më 7 janar 2025. 

Më 6 janar 2025, Thaçi dorëzoi njoftimin përmes të cilit u vetëdeklarua i pafajshëm. Vetëdeklarimi i pafajësisë së Bashkim Smakajt u dorëzua më 3 janar dhe u bë publik më 14 janar 2025.

Më 11 nëntor 2025, gjykatësja e procedurës paraprake njoftoi kryetaren se dosja e çështjes do të ishte gati për t’iu kaluar një trupi gjykues më 12 nëntor 2025. Rrjedhimisht, kryetarja e DHSK-së caktoi gjykatësin e vetëm për gjykimin e kësaj çështjeje. Më 12 nëntor 2025, gjykatësja e procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes gjykatësit të vetëm. Konferenca për përgatitjen e gjykimit u mbajt më 28 nëntor 2025, ndërsa gjykimi filloi më 27 shkurt 2026.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat