Veprimtari shqiptar në SHBA, Ramazan Bekteshi, ka reaguar ashpër ndaj spektrit politik në Kosovë për, siç e quan ai, mungesën e reagimit ndaj masave të Bashkimit Evropian. Ai vlerëson deklaratën e analistit boshnjak Jasmin Mujanović, i cili i cilësoi masat ndaj Kosovës si një nga gabimet më të mëdha të politikës së jashtme të BE-së.
Bekteshi kritikon edhe opozitën në Kosovë, duke përmendur deklaratën e Bedri Hamzës, i cili fajësoi qeverinë për vendosjen e masave. Sipas tij, politika vendore po vazhdon përçarjet e brendshme në vend që të mbrojë interesat shtetërore.
Ai gjithashtu shpreh kritika ndaj Bashkimit Evropian për vendosjen e masave në vitin 2023, të cilat sipas tij ishin të padrejta dhe duhej të ishin drejtuar ndaj Serbisë. Masat u hoqën plotësisht më 17 mars 2026 nga Komisioni Evropian.
Shkrimi i plotë:
Një indinjatë ndaj parlamentarëve tanë dhe të gjithë spektrit politik për reagimin e plogësht me rastin e heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës, por kësaj marrëzie i dha dritë analisti boshnjak.
Ndërsa shqiptarët vazhdojnë të sulmojnë njëri-tjetrin, Jasmin Mujanović, një analist brilant boshnjak, shprehet kështu në X:
“Masat e vendosura kundër Kosovës ishin një nga gabimet më të rënda në politikën e jashtme të Bashkimit Evropian gjatë tridhjetë viteve të fundit. Parlamenti Evropian duhet të kërkojë një llogaridhënie të plotë nga Komisioni Evropian dhe të kërkojë largimin e të gjithë zyrtarëve të karrierës të përfshirë në rekomandimin e kësaj politike.”
Me këtë rast, Bedri Hamza u shpreh, ndër të tjera: “Këto masa u vendosën si pasojë e tensioneve dhe moskoordinimit politik të kësaj Qeverie me aleatët tanë.” Vallë, pse Bedriu nuk arrin të shprehet si analisti boshnjak Jasmin Mujanović, i cili është fort kritik ndaj BE-së, por nuk ngurron të fajësojë kryeministrin e vet pa arsye.
E vërteta, megjithatë, është ndryshe. Dhe, për ta bërë ironinë edhe më therëse, opozita nuk e pret me entuziazëm as heqjen e këtyre masave të padrejta, masa që, në fakt, do të duhej t’i ishin vendosur Serbisë për sulmin barbar ndaj ushtarëve të KFOR-it. Përkundrazi, ajo vazhdon t’ia atribuojë fajin Kurtit për veprimet e ndërmarra në veri.
I gjithë spektri politik në Kosovë vazhdon një luftë vetëvrasëse, ndërkohë që financohet nga shteti. Paradoksalisht, asnjë anëtar i Parlamentit të Kosovës nuk e ngriti zërin si ky zotëria nga Bosnja, i cili në platformën X mbron Kosovën në mënyrë të qartë dhe të guximshme në arenën ndërkombëtare, dhe kjo nuk është hera e parë.
Ndërkohë, opozita, me një urrejtje të paparë, vazhdon të sulmojë kryeministrin e vendit sikur të ishte armik. Por armikun e vërtetë nuk e kanë trazuar me vite, lëre më ta kritikojnë BE-në. Përkundrazi, ata pretendojnë se pakica serbe është e rrezikuar nga Kurti.
As shteti shqiptar nuk shprehet në mbrojtje të Kosovës, dhe as që ngriti zërin kundër masave të padrejta që u vendosën apo duke kërkuar llogari nga Komisioni Evropian.
Madje, kryeministri Rama bëri edhe një veprim tjetër të papresedan ndaj Kosovës, ai në mënyrë të paskrupullt u rreshtua përkrah Vuçiqit dhe aplikoi së bashku me Serbinë për në BE, duke e ditur se bashkësia ndërkombëtare ia ka bërë të qartë Serbisë se rruga e saj drejt BE-së kalon përmes Kosovës.
Duket sikur Rama luan rolin e kryeministrit të Shqipërisë, por, në disa raste, edhe më me sukses e luan atë të kryeministrit të Serbisë.
Sanksionet (ose më saktë “masa ndëshkuese”) të Bashkimi Evropian ndaj Kosovës u vendosën padrejtësisht në qershor 2023, ato zgjatën rreth 2 vjetë si regjim masash aktive. Nga fundi i 2024 filloi heqja graduale dhe gjatë 2025–2026. Më 17 mars 2026, Komisioni Evropian konfirmoi se janë liruar të gjitha fondet dhe është bërë heqja e plotë e masave financiare.
BE i lidhi këto masa me zhvillimet në veri të Kosovës, ndaj zgjatja e tyre varej nga situata politike dhe sigurisë. Procesi ka qene i kushtëzuar politikisht megjithatë KM Kurti i përballoi me sukses të dyja rezistencat e padrejta dhe brutale nga mbrenda dhe jashtë. Fatkeqësisht, opozita si dhe BE-ja, fajet për masat ia faturuan Kurtit, derisa viktime ishte qytetari i Kosovës pë dy vite, në vend të huliganëve dhe terroristëve serb në veri.