Pas shumë orësh, përfundon seanca e Kuvendit - këto janë të gjitha projektligjet që u miratuan nga deputetët

Aktuale

Pas shumë orësh, përfundon seanca e Kuvendit - këto janë të gjitha projektligjet që u miratuan nga deputetët

Më: 10 prill 2026 Në ora: 08:18 Përditësuar në ora: 23:20 më 10.04.2026
Kuvendi i Kosovës

Këto janë dhjetë projektligjet që u miratuan sot në Kuvend

Në seancën e jashtëzakonshme plenare të pasdites në Kuvend, janë miratuar në parim dhjetë projektligje.

Fillimisht, pas një debati rreth 2-orësh, me 63 vota pro, 19 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi miratoi në parim Projektligjin për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Tregut.

Debat e diskutim pati edhe për Projektligjin për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Megjithatë, i njëjti kaloi në parim me 65 vota për dhe asnjë kundër.

Projektligji për Shërbimet e Pagesave kaloi me 63 vota për dhe një kundër. Ndërkaq, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim kaloi me 62 vota për, teksa dy ishin kundër.

Projektligji për Lojërat Mesdhetare XXI Prishtina 2030 kaloi me 81 vota për dhe asnjë kundër.

Ai për Financimin e Menaxhimit të Resurseve Ujore kaloi me 61 vota për, teksa nëntë ishin kundër dhe një deputet abstenoi.

Projektligji për Banim Social dhe të Përballueshëm kaloi me 62 vota për dhe dy i pati kundër.

Me 62 vota për dhe asnjë kundër kaloi Projektligji për Shtetësinë e Kosovës, ndërkaq, me 61 për dhe 8 kundër ai për Lëndët Plasëse.

Projektligji i fundit në rendin e ditës, ai për Provimin e Maturës Shtetërore, kaloi me 62 vota për dhe tetë kundër.

Me këtë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, i mbylli punimet e kësaj seance që nisi pak pas orës 17:00. 

​Kalon në parim projektligji për sigurimet shëndetësore, opozita kërkon sqarime

Me 65 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi miratoi në lexim të parë Projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor.

Ky projektligj mori mbështetje edhe nga partitë opozitare, të cilët kërkuan nga Ministri i Shëndetësisë që të qartësojë disa paqartësi që, sipas tyre, e përcjellin këtë nismë ligjore.

Deputeti i PDK-së, Artan Behrami tha se projektligji është jetik dhe i shumëpritur për qytetarët, por mënyra se si ka ardhur në Kuvend është e papranueshme për PDK-në.

Ai shtoi se partia e mbështet në parim dhe do të kontribuojë mes dy leximeve për ta përmirësuar dhe bërë më të zbatueshëm.

Behrami: Për PDK ky ligj është përcaktues dhe jetik

“Për PDK ky ligj është përcaktues dhe jetik. Po ashtu edhe për qytetarët e Kosovës të cilët për një kohë të gjatë kanë pritur miratimin. Mënyra se si ka ardhur ky ligj deri në kuvend për PDK është e papranueshme. Në parim ne jemi për këtë ligj dhe në mes të dy leximeve ne si parti, eskpertët tanë do të sjellin një kontribut për ta bërë këtë ligj edhe më të m irë dhe të pranueshëm dhe të implementueshëm për qytetarët e republikës”, tha Behrami.

Nga LDK-ja, Armend Zemaj u shpreh se ligji është i rëndësishëm, por sfida kryesore nuk është mungesa e ligjit, por zbatimi i tij praktik. Ai theksoi mungesën e kapaciteteve dhe nivelin e pamjaftueshëm të sistemit informativ shëndetësor, duke shtuar se megjithatë e mbështesin në parim si një kërkesë e kahershme e qytetarëve.

Zemaj: Ngritja e kapaciteteve është tepër e rëndësishme për zbatimin ne praktike te këtij projektligji

“Është një ligj I rëndësishëm dhe krejt ajo insistimi jonë paraprak që të kemi kohë dhe shqyrtim të balancuar të ligjëve të rëndësishme e ka thelbin dhe ekspozenë që tha vetë ministri. Problem me sigurime shëndetësore, nuk është në mungesë të ligjit.. Nëse dëgjuat insistimin që shprehu ministri ka të bëjë me zbatimin praktik të sigurimeve shëndetësore. Në parim nuk e them që nuk ka qenë temë publike apo insistim I partive politike, ka qenë edhe premtim elektoral. Ngritja e kapaciteteve është tepër e rëndësishme për zbatimin ne praktike te këtij projektligji e cila akoma mungon. Sistemi informativ shëndetësorë nuk është në nivelin e avancimit ku mund të bazohemi ne në implementimin e këtij projektligji.. E përkrahim në parim sepse është pritje e gjatë e qytetarëve të republikës”, tha ai.

Daut haradinaj nga AAK-ja deklaroi se e mbështesin në parim projektligjin, ndonëse sipas tij është vonuar shumë. Ai ngriti shqetësime për paqartësi rreth zbatimit, veçanërisht për kategoritë sociale, mekanizmat e obligimit për punëdhënësit dhe mbulimin e familjarëve.

Haradinaj: Si do t’i trajtojë ky ligj te pa punët, të huajt pa shtetësi të Kosovës

“Në parim jemi pro të këtij projektligji dhe mendojmë se është tepër e vonuar. Por rreth zbatimit të ligjit mendoj se ministri ka me na ndihmu pak me informacione shtesë përshkak se ka shumë paqartësi sidomos tek kjo përmbushja e pakos pesë vjeçare. Tek kategoritë sociale, si do t’i trajtojë ky ligj te pa punët, të huajt pa shtetësi të Kosovës ka shumë pyetje për të cilat besoj se ministri do na sqaroj.. cilat janë mekanzimat që I obligon punëdhënësin npër zbatim, në çafrë forma, a është ministria e financave apo ATK-ja, ndarjet e përgjegjësive. Pastaj nëse një familje ka një të punësuar a e mbalon familjen, sa anëtarë të familjes I mbulon, fëmijët, bashkëshorten, prindërit?”, pyeti ai.

E kryetari i PDK-së, Bedri Hamza paralajmëroi se nëse nuk rriten shërbimet dhe furnizimi me barna, atëherë kostoja për qytetarët mund të rritet.

Hamza: Po qe se nuk rritet numri I shërbimve, furnizmi me barna, me këtë ligj kostoja do të jetë më e lartë

“Ligji ka qenë nuk është zbatuar, tash po vie një ligj tjetër që uroj se do të filloj së zbatuari. Ligji ka nevojë të jetë shumë më I qartë dhe specifik. Sot për shërbimet që ofrohen në sektorin publik shëndetësor thuajse janë falas, me një kosto shumë simbolike. Sa I përket shërbimeve, po qe se nuk rritet numri I shërbimve, furnizmi me barna, me këtë ligj kostoja do të jetë më e lartë”, tha Hamza.

Fillimisht ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka prezantuar Projektligjin për Sigurimin e Detyrueshem të Kujdesit Shëndetësor në seancën e jashtëzakonshme.

Vitia theksoi rëndësinë e tij, sipas të cilit pritet të përmirësojë ndjeshëm systemin shëndetësorë në vend.

Me sigurimin shëndetësorë, çdo qytetarë do të ketë qasje të barabartë në shërbimet bazë shëndetësore duke u reduktuar barrën financiare.

Vitia: Ky ligj pritet të përmirësojë ndjeshëm sistemin shëndetësor në vend

“Ky ligj pritet të përmirësojë ndjeshëm sistemin shëndetësor në vend. Është një hap i rëndësishëm drejt sigurimit të një sistemi shëndetësor të qëndrueshëm dhe të përballueshëm për të gjithë qytetarët e vendit. Me sigurimin e detyrueshëm, çdo qytetar do të ketë qasje të barabartë në shërbimet bazë shëndetësore, duke reduktuar ndjeshëm barrën financiare individuale dhe duke garantuar trajtim të barabartë për të gjithë. Gjithashtu, do të reduktojë rrezikun e falimentimit për shkak të shpenzimeve shëndetësore. Ligji për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor do të mundësojë një fokus më të madh në parandalimin e sëmundjeve dhe promovimin e shëndetit publik. Me një bazë financimi të përbashkët, do të ketë mundësi për të investuar më shumë në programet parandaluese dhe ndërgjegjësuese”, tha ai.

Sipas Vitisë, ky ligj përfshinë funksionmimin dhe financimin e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësorë të Kosovës.

Vitia: Përfshirë funksionimin, financimin e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor

“Me këtë projektligj rregullohet sistemi i sigurimit të kujdesit shëndetësor të detyrueshëm, duke përfshirë parimet, funksionet, të drejtat e përgjegjësitë e palëve të përfshira, personat e siguruar, modalitetet e kontributit, pakoja e përfitimeve që mbulohet nga sigurimi shëndetësor i detyrueshëm, marrëdhëniet kontraktuale me institucionet e kujdesit shëndetësor dhe barnatoret në lidhje me ofrimin, përdorimin dhe pagesën e shërbimeve shëndetësore dhe produkteve të dispensuara. Me këtë ligj themelohet Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor të Republikës së Kosovës, përfshirë funksionimin, financimin e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor të Republikës së Kosovës”, shtoi ai.

Daut Haradinaj: Sigurimi shëndetësor i domosdoshëm, t’u hiqet qytetarëve barra e kostove të papërballueshme

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, tha se Projektligji për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, edhe pse i vonuar, është tepër i nevojshëm për qytetarët.

Ai theksoi se për shumë vjet qytetarët janë detyruar të paguajnë shuma marramendëse në spitalet e rajonit për trajtime shëndetësore.

Duke u përballur me barrë financiare të papërballueshme për familjet e tyre.

Haradinaj theksoi se Aleanca e mbështet këtë projektligj, me kusht që ai të garantojë mbrojtje reale për qytetarët nga këto kosto të rënda dhe të sigurojë që kujdesi shëndetësor të mos mbetet barrë financiare për ta.

​Projektligji për Lojërat Mesdhetare "Prishtina 2030" kalon pengesën e parë në Kuvend

Kuvendi i Kosovës ka miratuar projektligjin për Lojërat Mesdhetare "Prishtina 2030".

Ky projektligj u miratua me 86 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Ministri i Ministrisë për Rini dhe Sport, Blerim Gashani, para deputetëve theksoi se përmes këtij projektligji qeveria do të miratojë shfrytëzimin e fondeve publike për organizimin e Lojërave Mesdhetare në shumën prej të paktën 253 milionë euro.

Grashani: Projektligj është në interes të lartë publik dhe kombëtar

"Ky projektligj është në interes të lartë publik dhe kombëtar, i cili përveç forcimit të infrastrukturës sportive dhe zhvillimit ekonomik, e vendos Kosovën në hartën ndërkombëtare si një vend që organizon ngjarje të mëdha, si dhe përfaqëson një investim të rëndësishëm në zhvillimin e të rinjve, avancimin e sportit dhe forcimin e imazhit të shtetit tonë. Ky ligj ka për qëllim përcaktimin e rregullave dhe procedurave, si dhe të detyrave e përgjegjësive të institucioneve shtetërore dhe subjekteve të tjerë në lidhje me organizimin dhe funksionimin e edicionit 21 të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030. Përmes këtij ligji, qeveria do të miratojë shfrytëzimin e fondeve publike për organizimin e Lojërave Mesdhetare në shumën prej të paktën 253 milionë euro. Ky projektligj rregullon gjithashtu kompetencat e Komitetit Olimpik të Kosovës, të komunës së Prishtinës, si dhe të komunave të tjera, të cilat do të përmbushin obligimet e tyre në raport me organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030. Duke pasur parasysh që Kosova tashmë ka marrë përsipër organizimin e këtyre lojërave që do të mbahen në vitin 2030, është i domosdoshëm adresimi i një sërë kërkesash obligative, ndër të cilat është krijimi i kushteve sa më të mira për zhvillimin e ngjarjes sportive në vend. Gjithashtu, përmes këtij projektligji do të krijohen mekanizma adekuatë për organizimin e ngjarjes sportive, duke paraparë bashkëpunimin institucional dhe duke siguruar që të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për realizimin sa më të suksesshëm të tyre", theksoi Gashani.

Para votimit, deputetë të opozitës shfaqën vëretjet e tyre mbi këtë projektligj, kryesisht për mëmyrën se si do të menaxhihen fondet e parapara për organizimin e kësaj ngjarje por edhe duke tërhequr vërejtjen për kohën e shkurtër që ka mbetur deri tek koha e zhvillimit të këtyre lojërave përkitazi me nevojën urgjente për investime të mëdha në infrastrukturë.

Lojërat Mesdhetare nuk janë vetëm një aktivitet sportiv, por edhe një platformë e madhe ndërkombëtare që bashkon rreth 26 shtete dhe mijëra sportistë nga tri kontinente. Në këtë kontekst, fakti që edicioni i vitit 2030 do të mbahet në Prishtina e lidh drejtpërdrejt Kosovën me një nga ngjarjet më të rëndësishme sportive pas Lojërave Olimpike.

Bajrami në Kuvend: Me ligjin e ri, pensionistëve u zvogëlohet pensioni për 3.5%

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë në seancën e sotme parlamentare se me ligjin e ri pensionistëve do t’u zvogëlohet pensioni për 3.5 për qind.

Ajo ka pyetur Qeverinë edhe se cilat barna pensionistët do t’i marrin pa pagesë.

“Një lajm shumë i keq për pensionistët, sepse po flitet që qeveria u ndanë nga 100 euro e tjera e kemi pa ia u ndanë në kohë zgjedhjeve, sipas ligjit të cilin e keni sjellë këtu, pensionistët kanë me nda 3.5 % prej pensionit të tyre dhe qeveria nuk ndan fare për ta.

Pra, pensionistëve u zvogëlohet pensioni për 3.5%, mirëpo sot askush nuk qe në gjendje me ju tregu pensionistëve se cilat barna ata do i marrin pa pagesë. Se atyne sot, krejt pensioni në barna ju shkon, shumicës prej tyre ju shkon në barna”, ka thënë ajo.

Miratohet Projektligji për Sigurimin e Kujdesit Shëndetësor

Kuvendi i Kosovës po mban seancën e jashtëzakonshme, ku në rënd dirë janë disa projektligje.

Kuvendi i Kosovës, në një seancë të jashtëzakonshme, me 65 vota pro ka miratuar në lexim të parë Projektligjin nr.10/L-028 për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Ligji për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese në janar, pasi ajo gjeti se ky ligj ishte miratuar në mënyrë jokushtetuese.

Gjykata tha në vendimin e janarit se Kuvendi e miratoi atë më 5 dhjetor 2024 duke bërë shkeljeve procedurale gjatë procesit ligjbërës.

Duke e paraqitur projektligjin e ri të premten, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se kjo është “një nga nismat më të rëndësishme për të ardhmen e shëndetësisë në vendin tonë”.

Ai tha se përmes këtij ligji do të themelohet një fond i sigurimit të detyrueshëm shëndetësor i Kosovës.

Projektligji përfshin të gjithë popullatën e vendit, synon ofrimin e qasjes universale në shërbime themelore shëndetësore, si dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve, theksoi ai.

Ai parasheh edhe rregullimin e kontributeve për sigurimin shëndetësor si burim i financimit të kujdesit shëndetësor, i cili do të jetë shtesë mbi financimin e tanishëm nga buxheti i shtetit.

Kjo është një përpjekje 10-vjeçare për sjelljen e sigurimit të detyrueshëm shëndetësor në vend.

Mungesa e sigurimit të detyrueshëm shëndetësor besohet se i ka dëmtuar të gjithë qytetarët e Kosovës, sidomos shtresat e varfra të shoqërisë dhe grupet e cenueshme, si pensionistët dhe rastet sociale.

Shërbimet në institucionet publike shëndetësore në Kosovë ofrohen pa pagesë vetëm për kategori të caktuara, si fëmijët, pensionistët apo rastet sociale, ndërsa për të tjerët vlen bashkëpagesa për kujdes shëndetësor.

Shuma e saj varion - nga 1 deri në qindra euro - varësisht nga shërbimi që merr pacienti.

Për ato trajtime që nuk realizohen në institucionet publike, përgjegjësinë e mbulimit të kostove e ka Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, i cili menaxhohet nga Ministria e Shëndetësisë. Por procedurat burokratike, derisa pacientët t’i marrin mjetet e nevojshme, zgjasin me javë të tëra, e nganjëherë edhe muaj.

Prandaj, shumë qytetarë detyrohen t’i përballojnë vetë shpenzimet - qoftë në spitale private, qoftë jashtë shtetit.

Sigurime shëndetësore kanë vetëm ata që i marrin nga kompanitë private.

Kuvendi miraton në parim Projektligjin për ‘çmimet tavan’

Kuvendi i Kosovës, në një seancë të jashtëzakonshme, me 63 vota pro ka miratuar në lexim të parë Projektligjin nr. 10/L-030 për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg.

Miratimi i këtij ligji u parapri nga një debat mes pozitës dhe opozitës. Deputetët e opozitës nuk e mbështetën.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, i autorizuar nga ministrja Mimoza Kusari-Lila paraqiti fillimisht në Kuvend projektligjin për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg.

Sipas tij, ky projektligj synon vendosjen e masave, me qëllim që të mbrohet konsumatori dhe interesi publik.

“Një projektligj që është përgjigje politike dhe shtetërore ndaj një nevoje reale të qytetarëve të Kosovës që shteti të mos mbetet si spektator për kur çmimet e produkteve bazë dalin jashtë logjikës ekonomike dhe rëndon drejtpërdrejt në familjet tona’, ka thënë Murati. Ky projektligj synon të vendosë masa të përkohshme dhe proporcionale për produktet themelore në raste të destabilizimit të tregut, me fokus të qartë në mbrojtjen e konsumatorit dhe interesit publik”, tha Murati.

Murati u shpreh se ky projektligj nuk është kundër bizneseve, por që ai thotë se e ndan kufirim mes fitimit të ligjshëm dhe abuzimit në rrethana të krizës.

“Pra, kemi të bëjmë me një instrument të jashtëzakonshëm për situata të jashtëzakonshme, jo me një mekanizëm të përhershëm të ndërhyrjeve në ekonomi. Për këtë arsye, ky projektligj nuk është kundër biznesit, as kundër tregut të lirë, përkundrazi është ligj për rregull, parashikueshmëri”, tha Murati.

Hamza: S’mund të ulet çmimi kur rritet kostoja e prodhimit, në vend inflacioni ka mbërri 6.7%

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, në seancën e sotme parlamentare ku po diskutohet për Ligjin për çmimin tavan, ka thënë se nuk ka mundësi që të ulet çmimi, kur rritet kostoja e prodhimit të produkteve.

Hamza, ka thënë edhe se, sipas të dhënave të fundit, inflacioni në vend ka mbërri 6.7%.

‘’Nëse rritet kostoja e prodhimit të produkteve, si ka mundësi që të ulet çmimi. Ne e shohim që vazhdon rritja e çmimeve. Të dhënat e fundit tregojnë që inflacioni ka mbërri 6.7 %. Duhet të jemi real, sepse, po u rrit kostoja e prodhimit të produktit qoftë si rezultat i energjisë, kostos së punës, apo ngritjeve të tatimeve, është e pamundur që çmimi i produkteve bazë do të zvogëlohet.

Cili është mekanizimi i kontrollit, kush e kontrollon? Nuk mundesh me detyru një biznes me punu me humbje. Nuk duhet në Kosovë me u kriju një klimë anti-biznes’’,
ka thënë Hamza mes tjerash.

“Haraçexhinjë që financojnë PDK-në”, Gruda i reagon ashpër Abrashit: S’jemi në rrugë, ti a qet sehire këtu apo qeveris?

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi i është drejtuar deputetit të PDK-së duke i thënë se harraqi janë financues të PDK-së.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda ka reaguar pas kësaj.

Ai tha se fjalia e Abrashit është diskutim rruge.

“Që s’jemi në rrugë. Nuk mundesh me thonë ‘janë nja disa haraçexhinj të bizneseve që financojnë Partinë Demokratike’. A e dini sa e ligë është kjo fjalë, mbas pari kështu për pikëpamje politike? Masanej, a di sa problem ligjor e konceptual është kjo fjali? Qysh mundesh me thonë ti ‘ato biznese që qitkan haraç’? A je ti pushteti? Pse ti zotni, që e ke shtetin qe gjashtë vjet, e din që ka njerëz që qesin haraç në Kosovë dhe nuk shkon me i marrë me i arrestu? Apo na kuptoni çka po flasim, të nderuar qytetarë? Deputeti i pushtetit po thotë ka njerëz me haraç që financokan një parti politike, fyen tani parti politike, edhe shteti nuk merr masa”, tha ai.

Gruda pati kritikë edhe ndaj kryetarës së Kuvendit, Albulena Haxhiu.

“Çka je ti? Ti a qet sehire këtu apo qeveris? Domethënë, ma me kujdes! Edhe mendoj që kryetare… mendoj që kur thotë deputeti kështu, duhet me ia tërheq vërejtjen kjo. S’mundet me thonë ‘haraçexhia e financon nji parti’. Deputeti, ja ja kallëzoni emrin, ja ja kallëzoni emrin atij që qet haraç, ja ja kallëzoni ku janë marrë ato pare, unë po mendoj që ky është diskutim sikur në rrugë. Nuk flitet kështu si në rrugë, çajtore e kafene”, tha tutje ai.

​“Me qare me mua s’ka”, përplasje të ashpra në Kuvend

Përplasje të ashpra në Kuvendin e Kosovës ka shkaktuar Projektligji për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg, raporton KosovaPress.

Deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani, tha se ky projektligj i shkon përshtati vetëm oligarkëve, derisa i bëri thirrje LVV-së që të sjellë ligjin për tregti të brendshme, që sipas tij e ndalon haraçin ndaj bizneseve të vogla.

Rrahmani: Ndaloni haraçin ndaj bizneseve të vogla

“Sjellne ligjin për tregti të brendshme. Ai është ligji që ia ndalon harraqin secilit prodhues, distributues, importues. Ndalni haraçin atyre dhe çmimet do të zbriten”, tha ai.

Por atij i reagoi deputeti i LVV-së, Artan Abrashi, i cili tha se këta operatorë ekonomikë që po u vendosin harraq bizneseve të vogla janë financues dhe donatorë kryesorë të PDK-së.

Abrashi: Bizneset që po u vendosin haraç bizneseve të vogla janë financues dhe donatorë kryesorë të PDK-së

“Qata operatorë ekonomikë që po u vendosin harraq bizneseve të vogla janë financues dhe donatorë kryesorë të PDK-së. A mundesh me pru atë projektligj? Votën time e ki”, tha ai.

Atij tentoi t’i reagojë sërish deputeti Rrahmani, por nuk u lejua nga kryeparlamentarja Haxhiu, pasi tha se deputeti i PDK-së i kishte thënë se s’ka çfarë t’ia japë fjalën atij.

Haxhiu: Me mua me çfarë s’funksionon

“Me mua me çfarë nuk funksionon, deputet”, tha ajo.

Në debat u përfshi edhe deputeti tjetër i PDK-së, Përparim Gruda.

Gruda: Pse nuk shkoni t’i arrestoni këta që qesin haraç

“Kur të flasim në Kuvend duhet me ditë se s’jemi në rrugë. Nuk mundesh me thanë se janë do haraçxhinj dhe biznese që financojnë PDK-në... A je ti në pushtet, që e ke shtetin tash gjashtë vjet, pse nuk shkon me i marrë dhe arrestu”, tha ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat