Pas shumë orësh, përfundon seanca e Kuvendit - këto janë të gjitha projektligjet që u miratuan nga deputetët

Aktuale

Pas shumë orësh, përfundon seanca e Kuvendit - këto janë të gjitha projektligjet që u miratuan nga deputetët

Më: 10 prill 2026 Në ora: 08:18 Përditësuar në ora: 18:35 më 10.04.2026
Kuvendi i Kosovës

Tahiri për projektligjin për çmimet tavan: Legalizon një strukturë paralele

Besnik Tahiri, deputet i AAK-së ka folur për Projektligji për çmimet tavan.

Ai pyeti qeverinë nëse janë takuar me prodhuesit, furnitorët, se a kanë mbajtur ndonjë takim me këshillin ekonomik social, kur e kanë formuluar këtë projektligj.

Tahiri ka ngritur shqetësimin e tij lidhur me atë se kush do ta përbente bordin që do caktonte çmimet.

“Nëse e shihni nenin 1.5 që flet për bordin e pavarur, në kuadër të ligjit te neni 8 shpjegohet themelimi dhe statusi i bordit. Kur lexohet ky nen dhe kur e dëgjoj ministrin dhe zonjën Rozeta që flet për bord të pavarur, më bjen të them se a keni sy me lexu për çka po folni. Ky bord përbëhet nga dy njerëz të MINT-it, pastaj ky bord nuk është e vërtetë që ne vetëm formalisht e votojmë. Tre njerëz tjerë janë të përzgjedhur prej qeverisë. Pra, 2 njerëz i çon MINT, tre i përzgjedh qeveria – të pestit vijnë këtu për t’u votuar dhe ju i keni 61 vota”.

Ai tha se ky ligj nuk bën të votohet sepse legalizon një strukturë paralele.

Ligji për çmimet tavan, Murati tregon detaje

Ministri i Financave, Hekuran Murati, i autorizuar nga ministrja Mimoza Kusari-Lila paraqiti sot në Kuvend projektligjin për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, apo i njohur si Ligji për Çmimet Tavan.

Sipas tij, ky projektligj synon vendosjen e masave, me qëllim që të mbrohet konsumatori dhe interesi publik.

“Një projektligj që është përgjigje politike dhe shtetërore ndaj një nevoje reale të qytetarëve të Kosovës që shteti të mos mbetet si spektator për kur çmimet e produkteve bazë dalin jashtë logjikës ekonomike dhe rëndon drejtpëdrejt në familjet tona’, ka thënë Murai në foltoren e Kuvendit. Ky projektligj synon të vendosë masa të përkohshme dhe proporcionale për produktet themelore në raste të destabilizimit të tregut, me fokus të qartë në mbrojtjen e konsumatorit dhe interesit publik” – tha Murati.

Tutje, Murati u shpreh se ky projektligj nuk është kundër bizneseve, por që ai thotë se e ndan kufirim mes fitimit të ligjshëm dhe abuzimit në rrethana të krizës.

“Pra, kemi të bëjmë me një instrument të jashtëzakonshëm për situata të jashtëzakonshme, jo me një mekanizëm të përhershëm të ndërhyrjeve në ekonomi. Për këtë arsye, ky projektligj nuk është kundër biznesit, as kundër tregut të lirë, përkundrazi është ligj për rregull, parashikueshmëri”.

“Ne po pyesim se pse është urgjente”, PDK-ja kundër propozimit të LVV-së për shmangie të procedurës për shqyrtim të ligjeve

Shefi i GP të PDK-së, Përparim Gruda, doli kundër propozimit të GP të LVV-së për të shmangur procedurën për të shqyrtuar Projektligjin për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg.

“Për PDK-në është e papranueshme shmangia e procedurës për të shqyrtuar ligjet. Rregullorja e thotë qartë se duhet të kalojnë dy javë nga shpërndarja e ligjeve.

E pamundur, edhe unë që jam jurist, me i lexu dhe procesu të gjitha këto. Ne po pyesim se pse është urgjente të shqyrtohet ligje kaq të rëndësishme të Kosovës me procedurë të përshpejtuar? Kjo shpejtësi nuk e kuptoj pse, prandaj jemi kundër”, deklaroi Gruda në Kuvend.

Seanca e jashtëzakonshme, shqyrtohet Projektligji për `çmimet tavan`

Kuvendi i Kosovës po mban seancën e jashtëzakonshme, ku tani po shqyrtohet dhe debatohet projektligji për `çmimet tavan.`

Deputetë të partive opozitare në Kuvend kanë kritikuar mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për shqyrtim të dhjetë projektligjeve.

Përparim Gruda i Partisë Demokratike të Kosovës ka thënë se nuk e kupton urgjencën për shqyrtim të tyre. Ai ka thënë se kjo bie ndesh me Rregulloren që thotë se “duhet të kalojnë dy javë nga shpërndarja e ligjeve”. Ai ka thënë se PDK-ja është kundër.

Kurse Jehona Lushaku nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka theksuar se seanca “tregon për tendencën për t’i ikur debatit parlamentar.

Ndërsa Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka cilësuar të palogjikshëm këtë seancë.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka thënë se seanca është ftuar që të shqyrtohen në parim projektligjet dhe t’u jepet kohë e mjaftueshme deputetëve për të dhënë kontributin “në ditët në vijim”.

"Ashtu sipas kërkesës që kemi dërguar tashmë deputetët nënshkrues, për shkak të rëndësisë së jashtëzakonshme që ky projektligj ka për qytetarët dhe me qëllim që të jepet mundësia që edhe deputetët gjatë ditëve në vijim të japin kontributet e tyre, kemi parashikuar që të shqyrtojmë në seancën e sotme. I ftoj të gjithë deputetët që të mbështesin këtë propozim tonin dhe të japin hapësirë për miratimin e projektligjit”, tha Nagavci.

Në fund, me 63 vota Kuvendi miratoi shmangien nga afati procedural për Ligjin për çmimet tavan. 22 vota ishin kundër.

Nagavci: Të miratohen këto projektligje, opozita kunder

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që dhjetë projektligje që janë në rend të ditës në seancën e sotme të jashtëzakonshme të miratohen me procedurë të përshpejtuar. Sipas partisë në pushtet është e nevojshme që këto projektligje, mes tyre edhe ai për çmimin tavan dhe për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor, të miratohen për shkak të rëndësisë së tyre. Mirëpo kundër formës së miratimit të këtyre projektligjeve u shprehën partitë opozitare, raporton KosovaPress.

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, tha se projektligjet duhet të miratohen me procedurë të përshpejtuar për shkak të rëndësisë së tyre.

Nagavci: Të miratohen këto projektligje

“Për shkak të rëndësisë së jashtëzakonshme që ky projektligj ka për qytetarët dhe deputetët të japin kontributin e tyre në ditët në vijim”, tha ajo.

Kundër miratimit të projektligjeve me procedurë të përshpejtuar u shpreh deputeti i PDK-së, Përparim Gruda.

Gruda: Ne jemi kundër miratimit të këtyre projektligjeve në procedurë të përshpejtuar

“Është e pamundur edhe unë që jam jurist me i lexu dhe procesu këto. Ne jemi kundër. Mbi të gjitha pse është e rëndësishme që këto ligje kaq të rëndësishme të shqyrtohen në procedurë të përshpejtuar”, tha ai.

Po ashtu edhe Jehona Lushaku u shpreh kundër që këto projektligje të miratohen në këtë formë.

Lushaku: Po dëshironi të ikni transparencës

“Jemi thirrur për t’i kaluar dhjetë ligje të zakonshme të domosdoshme për qytetarët, por për t’iu ikur procedurave të rregullta. Me i kalu dhjetë ligje pa debat, transparencë dhe përgjegjësi”, tha ajo.

Ndërkaq, shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, pyeti mazhorancën për urgjencën e miratimit të këtyre ligjeve.

Ai tha se qëllimi kryesor i LVV-së është përgatitja e platformës politike për zgjedhjet e ardhshme.

Tahiri: Po përgatitni platformën politike për zgjedhjet e ardhshme

“Cila është urgjenca, për çka jemi për ngut? Unë iu tregoj në fund mos ta nin. Urgjenca është parapërgatitja e platformës politike për zgjedhje... Kur të dilni në zgjedhje me thanë e kemi bërë ligjin tavan, edhe pse i kemi çu çmimet në tavan për me i rregullu marzhat”, tha ai.

Në rend të ditës për shqyrtim janë këto projektligje:

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 10/L-030 për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 10/L-028 për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 10/L-025 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 10/L-026 për Shërbimet e Pagesave,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 10/L-027 për Lojërat Mesdhetare XXI Prishtina 2030,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 10/L-021 për Financimin e Menaxhimit të Resurseve Ujore,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 10/L-022 për Banim Social dhe të Përballueshëm,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 10/L-023 për Shtetësinë e Kosovës,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 10/L-024 për Lëndët Plasëse,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 10/L-029 për Provimin e Maturës Shtetërore.

Përkundër debateve, Kuvendi miratoi shmangien e afateve procedurale për miratimin e këtyre projektligjeve.

LDK-ja nuk voton: Mos i kaloni ligjet pa debate, mos impononi agjenda

Shefja e grupit parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku, ka thënë që kjo parti nuk do t’i votojë ligjet në seancën e sotme të Kuvendit për shkak të, siç tha ajo, mungesës së debatit parlamentar dhe imponimit të agjendave nga ana e partië në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

“Kuvendi do të duhej ta thërriste në përgjegjësi Qeverinë dhe mos t’i imponohej agjenda dhe t’i nënshtrohej qeverisë Kuvendi”, ka thënë Lushaku në foltore.

“Tani, arroganca e numrave e sjell këtë situatë, por gjithsesi si parlament, por edhe si parti politike, do të duhej të ishim në ballë të detyrës dhe obligimeve tona”.

“Prandaj, mos kaloni ligje pa debate parlamentare, mos impononi agjenda dhe sillni në seanca të rregullta të gjitha këto ligje. Ky është mesazhi im për sot dhe LDK-ja nuk merr pjesë në votimin e këtyre ligjeve”, ka thënë Lushaku.

Image

Seanca e jashtëzakonshme, shqyrtohen disa projektligje

Kuvendi i Kosovës ka filluar seancën e jashtëzakonshme. Në rend dite janë votimi i projektligjeve.

Në mesin e 10 pikave është edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, ai për Sigurimin e Detyrueshëm Shëndetësor e të tjera.

Sot në orën 17:00, VV thërret seancë të jashtëzakonshme

Lëvizja Vetëvendosje ka thirrur për sot në orën 17:00 një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ku në rend dite janë dhjetë projektligje që pritet të shqyrtohen në lexim të parë.

Seanca do të mbahet në sallën plenare dhe përfshin projektligje që lidhen me fusha të ndryshme, si masat për produktet themelore në raste destabilizimi të tregut, sigurimin e detyrueshëm shëndetësor, kontabilitetin dhe auditimin, shërbimet e pagesave, si dhe organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030,

Po ashtu, në rend dite janë edhe projektligje për menaxhimin e resurseve ujore, banimin social, shtetësinë, lëndët plasëse dhe provimin e maturës shtetërore.

Këto projektligje kishin qenë pjesë e përpjekjes së Lëvizja Vetëvendosje për t’i futur në rend dite edhe në një seancë të mëhershme plenare, por nuk kishin marrë mbështetjen e opozitës.

Partitë opozitare kishin kundërshtuar procedimin e tyre të menjëhershëm, duke vlerësuar se nuk bëhet fjalë për çështje urgjente dhe se projektligjet kërkojnë shqyrtim më të thellë para se të hidhen në votim.

Rendi i ditës për seancën e jashtëzakonshme:

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-030 për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-028 për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-025 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-026 Projektligjin për Shërbimet e Pagesave,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-027 Projektligjin për Lojërat Mesdhetare XXI Prishtina 2030,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-021 për Financimin e Menaxhimit të Resurseve Ujore,

Shqyrtimi i parë iProjektligjit nr.10/L-022 për Banim Social dhe të Përballueshëm,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-023 për Shtetësinë e Kosovës,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-024 për Lëndët Plasëse,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-029 për Provimin e Maturës Shtetërore

​Kuvendi miraton katër marrëveshje ndërkombëtare

Kuvendi i Kosovës, në seancën e sotme, ka miratuar katër marrëveshje ndërkombëtare.

Të zgjedhurit e popullit i dhanë dritën e gjelbër marrëveshjes së kredisë për projektin e zhvillimit të sektorit financiar të Kosovës.

Deputetët miratuan edhe marrëveshjen tjetër të kredisë me Agjencinë Franceze për Zhvillim për Programin e Kredisë të Bazuar në Politika. Po ashtu u miratua edhe marrëveshja me KfW, Frankfurt am Main, për programin e kredisë të bazuar në politika në sektorin e energjisë dhe klimës për Kosovën.

Krahas kësaj, u miratua edhe marrëveshja me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Lehtësimi i Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor 2.0”.

Rezoluta për çmimet e naftës nuk miratohet

Propozimi i LDK-së për Rezolutën për rritjen e çmimeve të naftës nuk kaloi në Kuvendin e Kosovës.

34 vota ishin për, 49 kundër dhe 7 abstenime.

Rrjeshimisht kjo rezolutë s’mori mbështetjen e deputetëve të Vetëvendosjes.

Ndryshe, kjo çështje u zhvendos që të trajtohet si pikë e gjashtë pasi filliimisht pati mospajtime mes partive politike.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat