Pas shumë orësh, përfundon seanca e Kuvendit - këto janë të gjitha projektligjet që u miratuan nga deputetët

Aktuale

Pas shumë orësh, përfundon seanca e Kuvendit - këto janë të gjitha projektligjet që u miratuan nga deputetët

Më: 10 prill 2026 Në ora: 08:18 Përditësuar në ora: 14:19 më 10.04.2026
Kuvendi i Kosovës

Rezoluta e luftës e propozuar nga PDK kalon në Kuvendin e Kosovës me 90 vota

Rezoluta e luftës e parashtruar nga Partia Demokratike e Kosovës ka kaluar në Kuvendin e Kosovës.

90 vota ishin për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Deputeti Nait Hasani nga PDK ka paraqitur pikat kryesore të propozimit të rezolutës për mbrojtjen e të vërtetës historike të Luftës në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e dokumentimit të krimeve të luftës dhe afirmimin e sakrificës së popullit shqiptar.

Përcaktimi i institucioneve të Kosovës për të kryer hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, të vetmen të dhëna janë nga instituti.

Inkurajimi i institucioneve të drejtësisë për të vazhduar punën e nisur për hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës të kryera nga Serbia në Kosovë.

Nderimi me përulje sakrificës sublime të popullit shqiptar.

Dënimi i çfarëdo përpjekjeje zyrtare që synon amnistimin e Serbisë nga përgjegjësia për krimet e luftës në Kosovë.

Dënimi i çdo forme të shtrembërimit të fakteve historike që lidhen me luftën në Kosovë në vitin 1998-1999.

Dënimi i nismave si ekspozita e fundit që provokojnë ripërjetimin e dhembjeve.

Ftesa për Institutin që sa më parë të dokumentojë masakrat në Kosovë.

Mbështetje dhe inkurajim përgatitjes për ta paditur Serbinë për krimet gjenocidale të kryera në Kosovë dhe të tjera.

Nait Hasani paraqet propozimin e rezolutës për mbrojtjen e të vërtetës historike të Luftës në Kosovë

Deputeti Nait Hasani nga PDK ka paraqitur pikat kryesore të propozimit të rezolutës për mbrojtjen e të vërtetës historike të Luftës në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e dokumentimit të krimeve të luftës dhe afirmimin e sakrificës së popullit shqiptar.

Pikat kryesore të propozimit janë: Përcaktimi i institucioneve të Kosovës për të kryer hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, të vetmen të dhëna janë nga instituti.

Inkurajimi i institucioneve të drejtësisë për të vazhduar punën e nisur për hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës të kryera nga Serbia në Kosovë.

Nderimi me përulje sakrificës sublime të popullit shqiptar.

Dënimi i çfarëdo përpjekjeje zyrtare që synon amnistimin e Serbisë nga përgjegjësia për krimet e luftës në Kosovë.

Dënimi i çdo forme të shtrembërimit të fakteve historike që lidhen me luftën në Kosovë në vitin 1998-1999.

Dënimi i nismave si ekspozita e fundit që provokojnë ripërjetimin e dhembjeve.

Ftesa për Institutin që sa më parë të dokumentojë masakrat në Kosovë.

Mbështetje dhe inkurajim përgatitjes për ta paditur Serbinë për krimet gjenocidale të kryera në Kosovë dhe të tjera… 

Ymeri pyet KEK-un nga Kuvendi: “Sa ka thëngjill, kallxoni, çka jeni tu bo me thëngjill?”

Nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, deputetja Janina Ymeri ngriti shqetësime serioze ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

Kështu duke akuzuar për mungesë transparence dhe mosdhënie të përgjigjeve në pyetjet e adresuara.

Ajo theksoi se kjo qasje ngre dyshime për një sërë çështjesh problematike, nga rënia e blloqeve energjetike, tregtia me rrymë, deri te mungesa e informimit publik.

Pyetja e saj direkte: “Sa ka thëngjill, kallxoni, çka jeni tu bo me thëngjill?” vjen si reagim ndaj asaj që ajo e cilëson si fshehje informacioni dhe mundësi për keqpërdorime brenda KEK-ut.

Paga e 13-të, Murati: Nuk po shpikim asgjë, është praktikë e zakonshme në vendet e BE-së

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se praktika e pagës së 13-të ekziston në vendet e Bashkimit Evropian dhe nuk është një ide e re, duke iu përgjigjur kritikave të deputetëve të AAK-së lidhur me mospërkrahjen e sektorit privat.

Ai tha se paga e 13-të është obligative në disa shtete si Italia, Spanja dhe Portugalia, ndërsa në vende të tjera si Austria, Gjermania, Holanda dhe Franca, edhe pse nuk është detyrim ligjor, ajo jepet në mënyrë zakonore çdo vit, madje në disa raste edhe paga e 14-të.

Murati theksoi se kjo çështje mbetet në dorën e punëdhënësve, por nuk përjashtoi mundësinë që në të ardhmen të bëhet obligative me ligj.

“Dhe në anën tjetër që po ashtu shtoi diçka që nuk qëndron, pra fakti që nuk jepet paga e 13-të. Pra në një hulumtim të thjeshtë, deputeti Tahiri do ta gjente se paga e 13-të është obligative në disa prej shteteve të Bashkimit Evropian, siç është Italia, Spanja, Portugalia e të tjera. Ndërkaq, megjithëse nuk është obligative ligjërisht, është zakonore pra që në fund të vitit të jepet paga e 13-të e madje në disa raste edhe e 14-ta, për çdo vit, në shtete siç është Austria, Gjermania, Holanda, Franca e ashtu me radhë. Pra nuk është që po shpikim diçka, kjo praktikë ekziston në shtetet e Bashkimit Evropian, drejt të cilit ne po aspirojmë”, tha ai.

Tutje, ai përmendi masat financiare të ndërmarra nga Qeveria për mbështetjen e familjeve dhe sektorit privat, duke theksuar se gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar janë ndarë 70 milionë euro si pagesë e njëhershme për familjet dhe pensionistët.

“Për sa i përket asaj se çfarë po bëhet për sektorin privat apo çfarë Qeveria ka bërë, më lejoni t’ju kujtoj që 70 milionë euro në dhjetor të vitit të kaluar janë dhënë si pagesë e njëhershme pra për të gjitha familjet që kanë fëmijë apo pensionistë. Pra të gjitha familjet kanë qenë përfituese. Pensionistët kanë marrë një shtesë prej 100 eurove në fund të vitit, e gjithashtu secili fëmijë dhe secila familje që ka pasur fëmijë, për çdo fëmijë ka marrë nga 100 euro shtesë. Për më tepër, pra përveç pagesës së njëhershme, më lejoni gjithashtu t’ju kujtoj që me qeverisjen tonë, për sektorin privat dhe për të gjitha familjet, pra për nënat dhe fëmijët, tashmë jo një herë në vit, por çdo vit, jepen 200 milionë euro për shtesat për fëmijë dhe për shtesat për nënat lehona”, tha ai.

Ndërkohë, deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, gjatë seancës plenare ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mospërkrahje të punëtorëve të sektorit privat, pas shpërndarjes së pagës së 13-të për sektorin publik.

Ai tha se punëtorët e sektorit privat janë kontribuuesit kryesorë në buxhetin e shtetit dhe se, sipas tij, ky sektor po neglizhohet nga Qeveria.

Tahiri theksoi se pikërisht ky sektor paguan taksat që mundësojnë funksionimin e sektorit publik, duke kërkuar trajtim më të barabartë për punëtorët e ekonomisë private.

“Pacientët po presin korridoreve” – Kadrijaj kritikon gjendjen në shëndetësi

Deputetja nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj, ka folur në seancën e Kuvendit lidhur me gjendjen në sektorin e shëndetësisë.

Ajo tha  se pacientët përballen me lista të gjata pritjeje për trajtim, ndërsa situata bëhet edhe më e rënduar në repartet emergjente.

“Sot po dua të ngre shqetësime pikërisht për shëndetësinë. Listat për pacientë janë të gjata dhe po presin për trajtime. Nëse shkojmë në urgjencë, aty mblidhen pacientë nga e gjithë Kosova dhe kemi vetëm katër krevate”.

“Mos të flasim për intensivën qendrore… gjithmonë duke e vlerësuar punën e madhe të personelit shëndetësor, por ka aq pak krevate sa pacientët presin nëpër korridore, edhe kur janë në gjendje të rëndë shëndetësore”, tha mes tjerash ajo.

“Janë të palexueshëm”, Musliu bën thirrje për rinovimin urgjent të emrave të dëshmorëve të Koshares

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka folur për rëndësinë e Kushtetutës dhe ngjarjes historike të Luftës së Koshares, duke theksuar se krizat e panevojshme kanë larguar vëmendjen nga hallet e qytetarëve.

Ajo i bëri thirrje Agjencisë për Menaxhimin e Memorialeve që të rinovojë urgjentisht emrat dhe mbiemrat e të rënëve në Koshare, të cilët janë bërë të palexueshëm.

Musliu theksoi se emrat e dëshmorëve, që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, duhet të trajtohen me dinjitet dhe të shkruhen saktë në gurët e varreve të tyre.

“U fol nga parafolësit edhe për Kushtetutën e Kosovës, edhe për Kosharen, dy ngjarje të jashtëzakonshme historike. Krizat e shkaktuara çdo ditë krejtësisht të panevojshme na kanë larguar nga hallet e qytetarëve. Dhe unë do ta shfrytëzojë po për betejën e Koshares”.

“Bëj thirrje Agjencinë për menaxhimin e memorialëve që urgjentisht t’i rinovojë emrat dhe mbiemrat e të vrarëve që janë të palexueshëm, nëse ata shkruan me gjakun e tyre historinë dhe lirinë tonë, ne e kemi obligim që emrat e varret e tyre të trajtohen me dinjitet. Të shkruhen drejt e bukur ata emra në gurët e varreve të dëshmorëve të Kosovës. Lavdi”, tha Musliu

Haziri: Deputetët të njoftohen për marrëveshjen e Kurtit me ndërmjetësuesin e BE-së

Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës tha se kryeministri Kurti duhet të njoftojë deputetët për marrëveshjen me ndërmjetësuesin e BE-së.

Haziri tha se deputetët e Kuvendit të Kosovës bartin të drejtën për të kërkuar sqarime rreth marrëveshjeve të arritur nga kryeministri i vendit, raporton KlanKosova.tv.

“Kryeministri i Republikës duhet me ardhë dhe me na njoftu për marrëveshjen me Peter Sorensen ndërmjetësin e BE-së, lidhur me qëllimin e kësaj marrëveshje, implementimin e kësaj marrëveshje lidhur me arsimin dhe shëndetësinë për komunitetin serb.

Me çka ka të bëjë? Cila është baza? Dhe shpjegime të domosdoshme sepse ka mjegull dhe paqartësi tek qytetarët e Republikës, shqetësim duhet të jetë i Kuvendit të Republikës, ne bartim këtë të drejtë. Deputetët duhet të njoftohen me detajet e kësaj marrëveshje”, tha Haziri.

Blerta Deliu kërkon nga Haxhiu të kompletojë përbërjen e KQZ-së sipas Kushtetutës

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, i ka bërë u.d presidentes, Albulena Haxhiu, që të kompletojë përbërjen e Komisionit Qendror Zgjedhor sipas parimeve të Kushtetutës, duke siguruar që vendimmarrja të jetë e paanshme.

Ajo theksoi se, pas shënimit të Ditës së Kushtetutës, është e nevojshme të flasim edhe për përgjegjësinë e institucioneve që nuk e kanë respektuar aktin themeltar të Kosovës.

Ajo shtoi se PDK-së i takon anëtari i dytë në KQZ, një fakt që është konfirmuar edhe nga organizatat e shoqërisë civile.

“Kosova dje ka shënuar ditën e Kushtetutës, dhe krahas urimeve duhet të flasim për përgjegjësinë e munguar të institucioneve që ta respektojnë aktin themeltar të Kosovës

“Dua të them që dje është përmbyllur afati 60 ditor të KQZ-së, afat që nuk është respektuar nga ish-presidentja Vjosa Osmani. Përbërja e Komisionit Qendror Zgjedhor e reflekton vetëm numrin e grupeve parlamentare pavarësisht numrin e deputetëve”.

“PDK-së i takon anëtari i dytë në KQZ, këtë e kanë konfirmuar edhe organizatat e Shoqërisë Civile. PDK me këtë rast kërkon nga U.D e presidentes që ta kompletojë përbërjen e KQZ ashtu siç e parasheh Kushtetuta e Kosovës. Kërkojmë që të jetë e paanshme në vendimmarrje”, tha Deliu.

S’ia dalin të përfshihen në rend të ditës disa projektligje në seancën e Kuvendit

Disa projektligje, siç u konsideruan të rëndësishme nga shumica parlamentare e LVV-së, nuk u përfshinë në rendin e ditës në seancën e sotme plenare. Mes projektligjeve të cilat nuk morën votat e dy të tretave të deputetëve për shmangie procedurale ishin edhe Projektligji për masat e përkohshme të produkteve themelore në rastet e destabilizimit dhe Projektligji për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor. Shqyrtimin e këtyre projektligjeve me procedurë të përshpejtuar nuk e mbështetën partitë opozitare.

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, duke kërkuar shqyrtimin e këtyre projektligjeve, tha se të njëjtat janë në interes të qytetarëve.

Nagavci: Të trajtohen këto projektligje

“Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg. Projektligjin për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor, projektligjin për shërbimet e pagesave, projektligjin për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, Projektligjin për banim social dhe të përballueshëm, projektligjin për shtetësinë”, tha ajo.

Por shqyrtimi i këtyre projektligjeve në këtë formë, sipas shefit të deputetëve të PDK-së, Arian Tahiri, është vetëm një tendencë e qeverisë për të ndërtuar agjendë të fushatës zgjedhore në rast të moszgjedhjes së presidentit.

Tahiri: Kjo është tendencë e qeverisë për të ndërtuar agjendë të fushatës zgjedhore

“Këto propozime nuk janë asnjë prej tyre urgjente dhe si të tilla nuk i mbështes që të mundësohet të trajtohen jashtë procedurave të rregullta. Kjo është një tendencë e qeverisë që të ndërtojë agjendë të fushatës zgjedhore dhe jo të trajtojë me seriozitet tema të rëndësishme”, tha ai.

Kundër shqyrtimit të këtyre projektligjeve në seancën e sotme u shpreh edhe Jehona Lushaku e LDK-së.

Lushaku: Kjo urgjencë është e paarsyeshme dhe nuk do të përkrahet nga ne

“Projektligje të cilat kanë kaluar këtë javë në komisione dhe po vijnë për t’u miratuar në procedurë të përshpejtuar në seancë. Temat që këto projektligje trajtojnë janë të rëndësishme për qytetarët, por jo për periudhën në të cilën duhet të shqyrtohen. Prandaj kjo urgjencë është e paarsyeshme dhe nuk do të përkrahet nga ne”, deklaroi ajo.

Po ashtu edhe Besnik Tahiri u shpreh kundër shqyrtimit të këtyre projektligjeve gjatë seancës së sotme.

Tahiri: Nuk ka logjikë të prishet rendi i ditës

“Nuk ka logjikë të prishet rendi i ditës i institucionit që duhet të jetë më i disiplinuar. Ne nuk e mbështesim, por kërkoj prej kryetares që kjo të mos kthehet në praktikë parlamentare”, shtoi ai.

E opozitarëve iu kundërpërgjigj kryeparlamentarja, Albulena Haxhiu, e cila tha se partitë nuk duhet të harrojnë afatin kushtetues për zgjedhjen e presidentit, i cili është deri më 28 prill.

Sipas saj, pa paragjykuar situatën, duhet të trajtohen çështjet që adresojnë interesat e qytetarëve.

Haxhiu: Mos të sillemi sikurse nuk varemi nga afati kushtetues për presidentin

“Në rrethanat që jemi, ku kemi një afat kushtetues për të zgjedhur presidentin, nuk duhet të sillemi sikurse asgjë po ndodh dhe nuk varemi nga një afat kushtetues. Duke qenë se kemi 27 prillin për të zgjedhur presidentin dhe uroj që të arrijmë ta bëjmë këtë, por detyrohemi që çështjet t’i adresojmë që janë me interes për qytetarët”, theksoi ajo.

PDK kërkon që rezoluta për mbrojtjen e luftës të shqyrtohet e para

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku kërkoi zhvendosjen e shqyrtimit të “Propozim-Rezolutës për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës në Kosovë 1998–1999”, si pikë e parë e rendit të ditës.

“Për aq sa kuptova është arritur dakordim për tekstin e rezolutës nga të gjitha grupet parlamentare. Ne insistojmë që kjo pikë të trajtohet si pika e parë e rendit të ditës. Nuk besoj që ky Kuvend ka diçka më me rëndësi për të trajtuar sesa kjo pikë, për më tepër se kjo flet shumë për kulturën politike që është duke mbizotëruar në Kosovë tash e disa vjet. Nuk është turp e as dobësi që shumica parlamentare të pranojë një kërkesë të opozitës”, tha ajo.

Shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci tha se ata kanë mbështetur rezolutën dhe kanë ofruar që t’i dërgojnë deputetët e këtij subjekti politik për të dhënë kontribut në këtë propozim.

“Dy deputetët tanë, Ardian Gola dhe Adnan Rrustemi klanë punuar dje deri mbrëmë vonë. E kemi marrë draftin nga PDK të mërkurën. Kanë pasur takime sot, besoj se janë në prag të dakordimit të përmbajtjes së rezolutës. Unë ju kisha lutur ta lëmë sipas rendit të ditës, sapo të kemi dakordimin final, e miratojmë”, tha ajo.

Jehona Lushaku – Sadriu nga LDK tha se mos të shihen si “makineri votimi për ligjet që sjelljen pa respektuar procedurat e rregullta”.

“S’ka asnjë arsyeshmëri që të evitohen procedurat duke na sjellë para akteve të kryera dhe duke na sjellë drama për çdo seancë”, tha ajo.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat