Asociacioni i Komunave dërgon në Kushtetuese rregulloren për shërbim civil

Aktuale

Asociacioni i Komunave dërgon në Kushtetuese rregulloren për shërbim civil

Më: 28 maj 2026 Në ora: 19:00
Smajl Latifi

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Rregullores për Procedurën e Pranimit në Shërbimin Civil.

Sipas AKK-së rregullorja cenon autonominë funksionale dhe organizative të komunave.

Pas dorëzimit të kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë së Rregullores për Procedurën e Pranimit në Shërbimin Civil, kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka deklaruar se rregullorja cenon autonominë funksionale dhe organizative të komunave, duke fuqizuar kontrollin e nivelit qendror mbi procedurat e rekrutimit dhe menaxhimin e stafit komunal.

Ai tha se pret që Kushtetuesja ta konfirmojë, siç tha, antikushtetutshmërinë e këtij vendimi.

Latifi tha se komunat janë njësi kushtetuese të vetëqeverisjes lokale dhe nuk mund të trajtohen si struktura të zakonshme administrative të nivelit qendror.

Rregullorja Nr. 07/2025, e miratuar nga Qeveria e Kosovës më 9 janar 2026, përcakton procedurat për rekrutimin, vlerësimin dhe emërimin në shërbimin civil.

Ajo ka nxitur debat të madh institucional mes komunave dhe Qeverisë së Kosovës për kontrollin mbi administratën komunale dhe rekrutimin në shërbimin civil.

Një nga pikat më të kundërshtuara nga komunat është përfshirja e Departamentit për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë në procedurat e rekrutimit në nivel lokal, gjë që Asociacioni i Komunave të Kosovës e konsideron centralizim të kompetencave komunale.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat