Prokuroria Themelore në Gjilan, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda, në bashkëpunim me DKKO-në në Gjilan, ka ndaluar një person me inicialet S.S., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenit 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, ndalimi është bërë pas zhvillimit të hetimeve dhe aplikimit të masave të veçanta hetimore.
Bazuar në dyshimet e ngritura, i pandehuri S.S., i cili nga viti 2019 deri më 2 mars 2026 ka qenë i punësuar në Komunën e Kllokotit si zyrtar për kulturë, rini dhe sport, njëherësh edhe menaxher i bibliotekës së Kllokotit, dyshohet se me dashje ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke mos i përmbushur obligimet e punës.
Sipas Prokurorisë, ai ka përfituar pagë mujore nga buxheti i Republikës së Kosovës, ndonëse nuk është paraqitur në vendin e punës dhe nuk ka ushtruar aktivitetet që i parasheh kontrata e punës.
Me këto veprime, dyshohet se buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në vlerë prej 39 mijë e 231 euro e 21 centë.
Prokuroria Themelore në Gjilan ka bërë të ditur se ndaj të dyshuarit tashmë kanë nisur hetimet dhe se brenda afateve ligjore do të kërkohet masa për sigurimin e pranisë së tij pranë Gjykatës Themelore në Gjilan.