Aktori Çun Lajçi ka reaguar pas zgjedhjeve me një shkrim të gjatë, ku ka komentuar rezultatet politike dhe sjelljen e partive në garë.
Ai ka kritikuar opozitën, veçanërisht LDK-në dhe figurat e saj kryesore, duke thënë se qytetarët nuk mashtrohen më me simbole dhe emra të së kaluarës, përcjell “Bota sot”.
Lajçi ka vlerësuar rezultatin e Albin Kurtit, duke argumentuar se votuesit kanë ditur të dallojnë mes fjalëve dhe veprave.
Sipas tij, demokracia nënkupton të drejtën e qytetarëve për të ndëshkuar politikisht ata që humbin besimin e popullit dhe për të zgjedhur një drejtim tjetër.
Postimi i plotë
Robert Froku:
"Përgadite ti lahutën e në mbramje nisja vajtimit!"
Në vend që t’i uroj fituesit e t’i inkurajoj humbësit, po ia kthej përgjigjen mikut që më shkroi dje për "vajtimin", kur unë tregova se e kreva obligimin tim qytetar dhe e hodha votën me shpresën se ai lum njerëzish në Tiranë e ky prrua tjetër në Prishtinë do ta gjejnë lumturinë e vet në andrrat që kanë për atdheun.
Ky, e shumë të tjerë si ky, nuk u pajtuen as edhe nji herë të vetme me të vërtetën time, se prronit e lumit të njerëzve nuk mund t’u bahesh digë. Po u bane, të përmbytin. Dhe ja që mbramë prroni vazhdoi rrjedhën e vet, e prrockat brohoritën: «Fituem!» U rritëm edhe për dy currila ma shumë.
Çfar naiviteti!
Jo, nuk due t’i vajtoj në lahutë as dyshen e Shotës, Lumirin e Vjosën, as Bedriun që e luente yllin e Holivudit; e as Albinin, që ndonjiherë më dukej si Bekim Fehmiu në rolin e Brutit:
— «Romakë, bashkëqytetarë, nuk e vrava Cezarin pse e urreja, por pse e doja Romën ma shumë.»
Secili po luente teatrin e vet provincial. Madje ai binom as teatër nuk dinte me luejtë. Morën faculetat e bardha, ia futën Shotës në dorë dhe, sillu e pshtillu, i mori era tue vallëzue në oborrin e rugovizmit.
Jo, nuk mashtrohet ma populli me rugovizmin që e mori n'varr ideatori, sikurse nuk mujti askush ta ringjallte partinë e vet tue u mbështetë vetëm në emnat e heronjve që ranë në altarin e lirisë.
Më në fund i kuptuem hileqarët. Sa herë nuk kanë guxim me na shikue drejt në bebëzat e syve, varin mbi supe flamurin e Rugovës ose atë të UÇK-së dhe mundohen me fluturue me krahët e mashtrimeve e të rrenave.
Unë nuk jam militant as i dreqit, as i birit të tij. Jam njeri që e don popullin e vet, dhe më vret ndërgjegjja me heshtë përballë asaj që e shoh, asaj që e prek dhe asaj që ma djeg lëkurën e plakun.
Ju jeni mësue me e shitë ndërgjegjen si peshkun e egër buzë detit, kurse unë ende përpiqem me dallue njeriun prej maskës që mban mbi fytyrë.
Po kthehem tash te fillimi.
Nuk po ju vajtoj në bisht të kalit, siç kërkoi miku Frrok, se druhem mos kali baglon e ju vjen era parfum pelash e kuajsh. Por po ju them diçka që mbramë u pa qartë:
Populli nuk asht lodhë, siç po keni qejf ju. Populli ka fillue me e dallue zemrën lakmitare prej zemrës së ndershme, fjalën prej veprës, simbolin prej mashtrimit.
Prandaj, urime humbja binomit të vallës së Shotës. Urime humbja e «yllit të Holivudit», që nuk dinte me qeshë kur duhej me qeshë e me heshtë kur duhej me heshtë. Dhe urime fitorja e Albinit-Brut, që i "vrau" opozitarët, nga droja se pushteti i tepërt do t’ia merrte lirinë popullit.
Por mos u gëzoni as për fituesit e mos u dëshpëroni për humbësit. Demokracia nuk asht kur fiton ai që due unë; demokracia asht kur populli ka të drejtë me ndërrue mendim, me ndërrue rrugë e me ndëshkue ata që e marrin për të verbët.
Herën tjetër mund të bahem edhe unë Brut. Jo për me vra njerëz, por për me rrëzue prej froneve ata Cezarë që luajnë me fatin e atdheut dhe popullin e shohin veç si boça dashi për treg.
E tash ikni.
Due me e lotue Avdi Hysën në Mal të Vraninës, se po ti fitonte 61% do ta padisnit në Prokurori se si i bleu votat me 200 milion eu. Me 42% ju u gëzuet që zbriti pak dhe s’do ta padisni për blerje!
08.06.2026