Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim Zejnulla Gashin, të cilit i ka dorëzuar dekretin për emërimin në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Haxhiu ka bërë të ditur se pas pranimit të propozimit dhe dokumentacionit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, është zhvilluar një shqyrtim i kujdesshëm i materialeve të dorëzuara, përfshirë edhe informacionet relevante nga institucionet kompetente të sigurisë dhe raportet e organizatave monitoruese të procesit të përzgjedhjes.
Ajo ka theksuar se, duke marrë parasysh rëndësinë e këtij funksioni dhe nevojën për funksionalizimin e plotë të institucioneve të drejtësisë, ka vepruar në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore.
“Funksioni i Kryeprokurorit të Shtetit është një nga shtyllat kryesore të sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së rendit kushtetues”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo i ka uruar Gashit sukses në ushtrimin e kësaj përgjegjësie, duke kërkuar që lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit, krimeve të luftës, dhunuesve dhe çdo forme tjetër të kriminalitetit të marrë përgjigje të prerë nga organi i akuzës.
“Pres që Kryeprokurori Gashi këtë detyrë ta ushtrojë me integritet të lartë profesional e moral, paanshmëri dhe guxim, gjithnjë me përkushtim ndaj shtetit dhe qytetarëve, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës sonë”, ka thënë Haxhiu.
Postim i plotë:
Sot prita në takim z. Zejnulla Gashi, të cilit i dorëzova dekretin për emërimin në detyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Pas pranimit të propozimit dhe dokumentacionit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, është bërë një shqyrtim i kujdesshëm dhe gjithëpërfshirës i materialeve të dorëzuara, duke përfshirë po ashtu informacionet relevante të siguruara nga institucionet kompetente të sigurisë dhe raportet e organizatave që kanë monitoruar procesin e përzgjedhjes. Marrë parasysh rëndësinë e këtij funksioni dhe nevojën për funksionalizimin e plotë të institucioneve të drejtësisë, kam vepruar në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore.
I urova z. Gashi suksese në ushtrimin e kësaj përgjegjësie të lartë shtetërore. Funksioni i Kryeprokurorit të Shtetit është një nga shtyllat kryesore të sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së rendit kushtetues.
Beteja kundër krimit të organizuar, korrupsionit, ndjekja e kriminelëve të luftës, dhunuesve dhe krimit të çfarëdo forme duhet të marrin përgjigje të prerë nga organi i akuzës.
Pres që Kryeprokurori Gashi, këtë detyrë ta ushtrojë me integritet të lartë profesional e moral, paanshmëri e guxim gjithnjë me përkushtim të lartë ndaj shtetit, qytetarëve, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës sonë.