Çka bisedoi në takim ministrin francez Haddad, dekarohet Kurti

Aktuale

Çka bisedoi në takim ministrin francez Haddad, dekarohet Kurti

Më: 27 korrik 2026 Në ora: 07:47 Përditësuar në ora: 18:04 më 27.07.2026
Foto nga takimi

Çka bisedoi në takim ministrin francez Haddad, dekarohet Kurti

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e ka pritur në takim ministrin e Deleguar për Europën të Republikës Franceze, Benjamin Haddad.

Duke përmendur se sot janë nënshkruar pesë marrëveshje mes Kosovës dhe Francës, ai tha se ato thellojnë bashkëpunimin dypalësh në disa fusha kyçe.

“Vizita e sotme e Ministrit Haddad vjen në vazhdën e drekës së punës që zhvillova me Presidentin Emmanuel Macron më 17 mars në Pallatin Elize dhe të angazhimit tonë të përbashkët për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Sot, ky angazhim u konkretizua me nënshkrimin e pesë marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Francës. Marrëveshja për ekstradim dhe Marrëveshja për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet penale forcojnë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve tona të drejtësisë, në luftimin e krimit dhe sigurimin e llogaridhënies. Marrëveshja e kredisë prej 60 milionë eurosh dhe themelimi i Komitetit Francë–Kosovë do të mbështesin investimet infrastrukturore, përgatitjen dhe organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, si dhe trashëgiminë e tyre afatgjatë. Ndërkaq, marrëveshja administrative për mësimdhënien e gjuhës frënge zgjeron mundësitë për mësimin e saj dhe e afron më tej Kosovën me hapësirën frankofone”, shkroi Kurti në një postim në Facebook.

Pas Konjufcës, ministri francez pritet nga Kurti

Ambasada e Francës ka njoftuar se ministri i deleguar për Evropën pranë Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Benjamin Haddad, po zhvillon një vizitë zyrtare në Kosovë nga 26 deri më 28 korrik 2026, me synim thellimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Sipas ambasadës, vizita vjen pas takimit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, me presidentin francez Emmanuel Macron në muajin mars dhe synon t’i japë një shtysë të re bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, Haddad është takuar me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, kryenegociatorin me Bashkimin Evropian Jeton Zulfaj, si dhe me përfaqësues të partive parlamentare.

“Në kuadër të vizitës janë nënshkruar pesë marrëveshje dhe konventa, përfshirë një hua prej 60 milionë eurosh nga Agjencia Franceze për Zhvillim (AFD) për financimin e infrastrukturës së Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, një letër qëllimi për bashkëpunim në sport, dy konventa për ndihmë juridike dhe ekstradim, si dhe një marrëveshje për forcimin e mësimit të gjuhës frënge në Kosovë. Në kuadër të kësaj vizite u nënshkruan pesë marrëveshje dhe konventa: Një hua investuese prej 60 milionë eurosh nga Agjencia Franceze për Zhvillim (AFD) për financimin e ndërtimit të infrastrukturës së qëndrueshme për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 që do tê shfrytëzohet edhe pas tyre. Marrëveshja përfshin renovimin dhe zgjerimin e kampusit studentor të Universitetit të Prishtinës, si dhe modernizimin e infrastrukturës sportive në 13 institucione arsimore në Prishtinë. Projekti plotësohet me grante në vlerë totale prej 1.2 milionë eurosh për përgatitjen dhe mbështetjen e fazës së zbatimit. Një letër qëllimi për Lojërat Mesdhetare 2030, që parasheh krijimin e një Komiteti Francë–Kosovë për zhvillimin e sektorit ekonomik francez të sportit në Kosovë. Gjithashtu do të krijohet një grup pune për rininë dhe sportin. Dy konventa për ndihmë juridike reciproke dhe ekstradim, me qëllim forcimin e luftës kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe krimit kibernetik. Një marrëveshje administrative për forcimin afatgjatë të mësimit të gjuhës frënge në Kosovë dhe nxitjen e mobilitetit dhe shkëmbimeve arsimore. U organizua gjithashtu një tryezë e rrumbullakët me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Zëvendësministren e Sportit, Daulina Osmani, në praninë e Ministrit të deleguar, AFD-së dhe kompanive franceze, për të shqyrtuar perspektiva të reja bashkëpunimi », thuhet në komunikatë.

Gjatë vizitës, ministri francez është takuar edhe me ushtarët francezë në kuadër të KFOR-it, ka vizituar Graçanicën dhe Manastirin e Graçanicës, ndërsa agjendën do ta përmbyllë me një vizitë në Institutin Francez të Kosovës.

Sipas Ambasadës së Francës, kjo vizitë rikonfirmon përkushtimin e Francës për një Kosovë të pavarur, sovrane dhe multietnike, si dhe miqësinë ndërmjet dy vendeve.

​Haddad: Erdha pas drekës së punës Macron-Kurti, pjesë e angazhimit francez për ribashkimin e Evropës

Ministri i Deleguar për Evropën i Francës, Benjamin Haddad njoftoi në X për nisjen e një vizite dyditore në Kosovë.

“Kam mbërritur në Kosovë për një vizitë dyditore me qëllim forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona. Në agjendë: frankofonia, investimet e AFD, bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe çështjet rajonale”, shkroi ai.

“Kjo vizitë vjen pas drekës së punës mes Presidentit Emmanuel Macron dhe Kryeministrit Albin Kurti më 17 mars dhe është pjesë e forcimit të angazhimit francez në Ballkanin Perëndimor për ribashkimin e kontinentit tonë evropian”, shtoi ai.

Ministri Haddad sot paradite u takua me ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca dhe mbajtën një konferencë të përbashkët për media.

Pas Konjufcës, ministri francez pritet nga Kurti

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Ministrin e Deleguar për Evropën të Republikës së Francës, Benjamin Haddad.

Mediat janë lejuar të marrin pamje gjatë pritjes së delegacionit, ndërsa pas takimit nuk është paraparë konferencë për media.

Ndërsa, në orët e paarditës Benjamin Haddad është takuar edhe me ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.

​Haddad: Franca do ta mbështesë Kosovën në organizatat ndërkombëtare, pavarësisht rrethanave

Ministri i Deleguar për Evropën nga Franca, Benjamin Haddad, tha se Franca do ta mbështes anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, pavarësisht rrethanave.

Haddad tha se sot po dëshmojnë është thellimi i marrëdhënieve në mes të dyja vendeve dhe hapja e rrugës për lidhje edhe më të ngushta në të gjitha fushat.

Haddad: Franca e mbështet integrimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare

"Së pari, dua të them se ajo që po dëshmojmë sot është thellimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona dhe hapja e rrugës për lidhje edhe më të ngushta në të gjitha fushat. Qoftë përmes mbështetjes së Agjencisë Franceze për Zhvillim, zgjerimit të Frankofonisë në Kosovë përmes mbështetjes së mësimit të gjuhës frënge në shkolla, apo përmes marrëveshjeve që çojnë në thellimin e bashkëpunimit tonë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Shpresoj që vizita ime të pasohet edhe nga vizita të delegacioneve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ministrisë së Mbrojtjes, për të parë se si mund të bashkëpunojmë konkretisht në fushën e sigurisë, në organizimin e Lojërave Mesdhetare dhe, më gjerësisht, në marrëdhëniet tona tregtare dhe investuese. Kjo është diçka që ne do ta mbështesim dhe do ta përshpejtojmë, pavarësisht rrethanave. Siç e përmenda, ne e mbështesim integrimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare. Kjo është pjesë e projektit tonë më të gjerë për ribashkimin e Evropës. E them “ribashkim”, sepse nuk më pëlqen shumë termi “zgjerim”. Mendoj se bëhet fjalë në të vërtetë për bashkimin e kontinentit tonë. Natyrisht, siç e dini, ky proces është kërkues. Ai bazohet në angazhimet ndërkombëtare. Në këtë rast, bazohet edhe në avancimin e zbatimit të obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Brukselit, për të cilat edhe diskutuam. Po ashtu, ai mbështetet në parimin e meritës, që nënkupton reformat, përafrimin me acquis communautaire (legjislacionin e Bashkimit Evropian), forcimin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave. Ne do të jemi shumë kërkues në këto fusha”, tha Haddad në konferencë për media me ministrin nw detyrw tw Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca.

Ai u shpreh se Franca do të qëndrojë pranë Kosovës në rrugën e saj evropiane, duke punuar bashkë për t’i bërë realitet ambiciet dhe objektivat, sipas tij, plotësisht legjitime.

Haddad: Jemi pranë Kosovës në ambiciet legjitime evropiane

"Ne do të jemi pranë Kosovës në çdo hap të këtij rrugëtimi, duke punuar së bashku për t’i bërë realitet këto ambicie dhe objektiva plotësisht legjitime dhe të arritshme. Edhe një herë, jo vetëm sepse kemi qenë me Kosovën dhe e kemi mbështetur atë që nga dita e parë, por edhe sepse besojmë se kjo është rruga drejt paqes dhe stabilitetit në kontinentin tonë", tha Haddad.

Pesë marrëveshje të nënshkruara, Kosova dhe Franca hapin kapitull të ri bashkëpunimi

Kosova dhe Franca kanë nënshkruar të hënën pesë marrëveshje që synojnë thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fusha të ndryshme.

Nënshkrimi i marrëveshjeve u bë gjatë vizitës zyrtare në Kosovë të ministrit të Deleguar për Evropën të Francës, Benjamin Haddad, i cili u prit në takim nga ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.

Palët nënshkruan një letër qëllimi për themelimin e Komunitetit Kosovaro-Francez në mbështetje të organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, marrëveshjen administrative për mësimdhënien e gjuhës frënge në Kosovë, Marrëveshjen për ndihmë juridike të ndërsjellë në çështje penale, si dhe Marrëveshjen për ekstradimin.

Po ashtu, u nënshkrua edhe Marrëveshja e kredisë me Agjencinë Franceze për Zhvillim (AFD), e cila lidhet me financimin e projektit për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.

Katër marrëveshjet e para u nënshkruan nga ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, dhe ministri francez Benjamin Haddad, ndërsa Marrëveshja e kredisë u nënshkrua nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, dhe ministri Haddad. /

Konjufca flet pas takimit me ministrin francez

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, tha se vizita në Kosovë e ministrit të Deleguar për Evropën të Francës, Benjamin Haddad, dëshmon marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve dhe përkushtimin e përbashkët për një Evropë më të sigurt, më të bashkuar dhe më të fortë.

Në konferencën e përbashkët për media pas takimit, Konjufca theksoi se Franca ka qenë një nga partnerët më të rëndësishëm të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë.

“I nderuar ministër Haddad, vizita juaj është dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyera mes Kosovës dhe Francës, dy vende që ndajnë të njëjtin vizion për një Evropë më të sigurt, më të bashkuar dhe më të fortë. Franca, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, ka qenë dhe mbetet një partner i rëndësishëm i Kosovës dhe shtyllë e projektit për integrimin evropian të vendit tonë”, deklaroi Konjufca.

Ai bëri të ditur se gjatë vizitës janë nënshkruar katër marrëveshje të rëndësishme dhe një letër qëllimi, të cilat, sipas tij, e çojnë bashkëpunimin mes dy shteteve në një nivel të ri.

“Së bashku me ministrin e Financave, Hekuran Murati, nënshkruam katër marrëveshje të rëndësishme, së bashku me letrën e qëllimit. Kjo tregon se Franca dhe Kosova, përmes këtyre marrëveshjeve, po e ngrisin në një dimension krejt të ri marrëdhënien e tyre bilaterale”, u shpreh ai.

Konjufca tha se në takim është diskutuar për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, bashkëpunimin ekonomik, çështjet e sigurisë dhe zhvillimet në rajon, ndërsa falënderoi Francën për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës.

“E shpreha mirënjohjen tonë për mbështetjen e vazhdueshme të Francës për vendin tonë, përfshirë këtu edhe ndihmën për organizimin e Lojërave Mesdhetare”, tha ai.

Duke folur për integrimin evropian, Konjufca theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj rrugës së saj drejt Bashkimit Evropian.

“Në një kohë kur Evropa përballet me sfida të mëdha të sigurisë, besueshmëria e projektit evropian varet nga një zgjerim më i shpejtë, më i drejtë dhe i bazuar në meritë. Kosova ka bërë zgjedhjen e saj strategjike dhe zgjedhja jonë është Bashkimi Evropian”, deklaroi ai.

Sa i përket situatës së sigurisë në rajon, Konjufca kritikoi retorikën që, sipas tij, relativizon krimet e luftës.

“Retorikat që i justifikojnë apo relativizojnë krimet e viteve të 90-ta, siç po ndodhin nga Serbia, janë jo vetëm provokim, por edhe të papranueshme dhe të papërputhshme me vlerat e qytetërimit, paqes dhe demokracisë. Ato nuk mund të kenë vend në Evropën demokratike”, theksoi ai.

Në fund, Konjufca rikonfirmoi gatishmërinë e Kosovës për ta ndihmuar Francën në përballjen me zjarret.

“Më lejoni ta riktheksoj gatishmërinë që e ka shprehur ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, se jemi të gatshëm t’ju ndihmojmë në përpjekjet për shuarjen e zjarreve me kapacitetet që kemi”, përfundoi Konjufca.

Ka nisur takimi i ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufcës me ministrin nga Franca, Benjamin Haddad

Ka nisur takimi i ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufcës, me ministrin e Deleguar për Evropën nga Franca, Benjamin Haddad.

Haddad i shkoi në takim Konjufcës bashkë me ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot.

Pas takimit, Konjufca dhe Haddad do të mbajnë konferencë për media.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat