Pasi i mbijetoi mocionit të shkarkimit, Lumir Abdixhiku jep deklaratën e parë

Aktuale

Pasi i mbijetoi mocionit të shkarkimit, Lumir Abdixhiku jep deklaratën e parë

Më: 30 korrik 2026 Në ora: 08:09 Përditësuar në ora: 18:12 më 30.07.2026
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku

​Imri Ahmeti: Shkarkimi i Lumir Abdixhikut është në të mirë të LDK-së

Kryetari i Komunws sw Lipjanit dhe ish sekretari i LDK-ë, Imri Ahmeti, ka deklaruar se shkarkimi i Lumir Abdixhikut nga posti i kryetarit është në të mirë të së ardhmes së partisë dhe të vendit. Ai tha se vazhdon t’i qëndrojë deklaratës së tij për shkarkimin e Abdixhikut.

Ahmeti përmendi se në janar kishte dhënë dorëheqje nga posti i sekretarit të partisë, si dhe nga posti i kryetarit të Degës së LDK-së në Lipjan.

Ahmeti: Në janar kërkova dorëheqjen, sot pres reflektim nga Kuvendi

“Unë kam reflektuar. Qysh në Kuvendin e janarit kam kërkuar dorëheqjen nga posti i sekretarit të partisë dhe kam ofruar edhe dorëheqjen në Kuvendin Komunal si kryetar dege. Të shohim sot Kuvendin nëse do ta fuqizojë idenë tonë për të reflektuar lidhur me rezultatet e zgjedhjeve.”, tha ajo.

Ai nuk deshi të komentojë pretendimet për presion.

​Beqiri: Vota e delegatëve vendos për kryetarin, LDK-ja duhet të dalë më e fortë nga Kuvendi

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ismet Beqiri, ka shprehur pritjen që Kuvendi i Jashtëzakonshëm i partisë të përfundojë me forcimin e LDK-së, derisa tha se vendimi për shkarkimin e kryetarit aktual do të merret nga delegatët përmes votimit.

Beqiri: Presim që LDK-ja të dalë më e fortë nga Kuvendi i Jashtëzakonshëm

“Mendoj se ky Kuvend do të shkojë mirë. Statuti i LDK-së parasheh format se si thirret një kuvend dhe kjo është njëra nga ato forma, me një të tretën e votave. Ne presim që nga ky Kuvend LDK-ja të dalë më e fortë. Kuvendi është thirrur për shkak të mospajtimit me gjendjen në të cilën ndodhemi”, tha ai.

Beqiri u shpreh se rezultatet e fundit zgjedhore nuk janë të kënaqshme për LDK-në.

Beqiri: Për LDK-në, vendi i dytë dhe i tretë janë fyerje

“Për LDK-në, vendi i dytë dhe i tretë është fyerje dhe ne do të bëjmë çmos që këtë gjendje ta ndryshojmë”, deklaroi ai.

I pyetur nëse kryetari aktual do të shkarkohet, Beqiri tha se këtë do ta vendosë vota e delegatëve.

Ndërkaq sipas Beqirit, fokusi i Kuvendit nuk është emri i pasuesit të mundshëm të kryetarit aktual.

Beqiri: LDK-ja ka nevojë për ndryshime

“Nuk e di. Vota do ta vendosë. Unë e kam thënë publikisht mendimin tim. Jam i bindur se LDK-ja ka nevojë për ndryshime, në mënyrë që të ecim përpara dhe të kemi rezultate më të mira”, u shpreh ai.

​Zemaj: Delegatët vendosin për të ardhmen e LDK-së, nuk do të ketë tensione

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, para nisjes së Kuvendit të Jashtëzakonshëm të partisë, ku do të shqyrtohet mocioni për shkarkimin e kryetarit, Lumir Abdixhiku, tha se vendimi është në duart e të gjithë delegatëve.

Ai theksoi se nuk pret tensione mes anëtarëve të LDK-së, derisa shtoi se procese të tilla demokratike nuk ndodhin shpesh, madje as në partitë e rajonit.

Zemaj: Vendimi është në dorën e të gjithë delegatëve

“Është në dorën e të gjithë delegatëve që të vendosin për fatin politik dhe të ardhmen e LDK-së. Nuk do të ketë tensione. Delegatët janë përballur me disa presione mediatike, por kjo është demokracia. Këto ngjarje nuk mund t’i shihni në parti të tjera, madje as në rajon”, tha ai.

Sa i përket mundësisë që ai të kandidojë për kryetar të LDK-së, Zemaj nuk e përjashtoi përgjegjësinë, por tha se kjo nuk është çështja e ditës.

Zemaj: Nëse kërkohet, unë nuk i iki përgjegjësisë

“Nëse kërkohet, unë nuk i iki përgjegjësisë, por sot është një temë tjetër. Nuk ka të bëjë me kandidaturën për kryetar të LDK-së”, u shpreh ai.

Duke komentuar votimin për mocionin në Kuvend, Zemaj theksoi se, megjithëse ka qenë nënshkrues i kërkesës për mbajtjen e Kuvendit, vota duhet të mbetet e fshehtë.

Zemaj: Duhet ruajtur integriteti i votës së fshehtë

“Tashmë jemi në Kuvend. Unë kam qenë nënshkrues dhe nënshkrimi e ka një kërkesë, por vota është e fshehtë dhe duhet ruajtur integriteti i votës”, deklaroi ai.

Në fund, i pyetur nëse është optimist për rezultatin e procesit, Zemaj u përgjigj shkurt: “Besoj që po.”

​Dushi pyetet nëse i kanë votat për shkarkimin e Abdixhikut

Anëtari i Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Florin Dushi ka thënë se delegatet e tyre votojnë sipas bindjeve të tyre pavarësisht presioneve.

Dushi para kuvendit të LDK-së, ku do të votohet për apo kundër shkarkimit të kryetarit të kësaj partie, Lumir Abdixhiku.

Dushi: Ta shohim nëse i kemi votat

“Unë nuk ka pa asnjë presion mendoj që delegatet e LDK-së votojnë sipas bindjeve të tyre pavarësisht presioneve…ta shohim”, tha ai.

​LDK pati 4 kryetarë për 37 vjet, sot mund të zgjedhet i pesti, Ibrahim Rugova më “jetëgjati”

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është partia më e vjetër politikë në Kosovë.

Ajo u themelua më 23 dhjetor 1989, në Prishtinë.

Gjatë këtyre 37 vjetëve, këtë subjekt e kanë udhëhequr katër kryetarë.

I pari dhe më jetëgjati në këtë detyrë ishte themeluesi, Ibrahim Rugova.

Ai ishte në krye të LDK-së nga 23 dhjetori 1989 deri më 21 janar 2006, kur ndërroi jetë, duke e drejtuar partinë për 16 vjet e 29 ditë.

Pas vdekjes së Rugovës, LDK kaloi një periudhë tranzicioni, ndërsa në dhjetor të vitit 2006 kryetar u zgjodh Fatmir Sejdiu, i cili në atë kohë ishte edhe presidenti i vendit. Ai qëndroi si shef partie deri më 7 nëntor 2010, për 3 vjet e 333 ditë.

Në Kuvendin e shtatë zgjedhor të LDK-së, që u mbajt me këtë datë, drejtimin e këtij subjekti e mori Isa Mustafa, i cili e udhëhoqi atë për 10 vjet e 127 ditë, deri më 14 mars 2021.

Ky pati dhënë dorëheqje nga pozita për shkak të rezultatit të dobët të partisë në zgjedhjet nacionale të shkurtit të këtij viti.

Ai u pasua në krye të LDK-së nga Lumir Abdixhiku, i cili u zgjodh lider i kësaj partie në ditën kur Mustafa u largua, në Kuvendin e Partisë.

Atij i janë bërë gati 5 vjet e gjysmë në këtë detyrë.

Abdixhiku testohet sot nga partia e tij, në një Kuvend të Jashtëzakonshëm ku do të ketë një deklarim për vetëbesim ndaj tij. Një provimi të tillë ai i mbijetoi në janar të këtij viti, kur mbeti në post, pavarësisht tentimit për ta larguar.

Nëse Abdixhiku humb dhe LDK zgjedh dike tjetër kryetar, atëherë ai ose ajo bëhet personaliteti i pestë që do të drejtojë partinë në historinë e saj 37-vjeçare.

LDK vendos nëse Abdixhiku do të vazhdojë ta udhëheqë ose jo partinë

Lidhja Demokratike e Kosovës mban sot kuvendin e jashtëzakonshëm, ku delegatët do të vendosin nëse Lumir Abdixhiku do të qëndrojë në udhëheqje të partisë ose jo.

Abdixhiku e thirri këtë kuvend të jashtëzakonshëm më 27 korrik, pasi qindra delegatë dorëzuan nismën për shkarkimin e tij, pas pakënaqësive me rezultatin e zgjedhjeve të qershorit, ku LDK-ja doli fuqia e tretë politike me 18 deputetë, në Kuvendin me 120 mandate.

Kuvendin e LDK-së e përbëjnë 354 delegatë të zgjedhur në kuvendet e degëve, plus kryetari aktual i partisë, që me automatizëm është delegat i Kuvendit të Përgjithshëm të LDK-së.

Para nisjes së Kuvendit, Armend Zemaj, që dorëzoi nënshkrimet për nismën për shkarkim, tha se pret që partia të vendosë për largimin e Abdixhikut nga kreu i partisë.

Ndërkaq, sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ilir Ferati, tha për mediat se pret që punimet të zhvillohen në mënyrë demokratike.

Ai argumentoi se votimi i fshehtë është ushtrimi më i mirë i të drejtës demokratike.

Nisma për shkarkimin e Abdixhikut nga kreu i LDK-së vjen pas përplasjeve brenda LDK-së dhe pakënaqësive me udhëheqjen e Abdixhikut.

Këto zhvillime në partinë më të vjetër në Kosovë po ashtu kanë pasur ndikim edhe në bisedimet për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

Pas dorëzimit të nënshkrimeve për nismën për shkarkimin e tij, Abdixhiku njoftoi për pezullimin e bisedimeve me udhëheqësin e partisë fituese, Albin Kurtin e Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e institucioneve të reja.

Ai tha se nuk mund të vazhdojë negociatat në emër të LDK-së “ndërkohë që mandati im për të udhëhequr dhe përfaqësuar atë është vënë në diskutim brenda shtëpisë sime”.

“Ndjej keqardhje që sot jam i detyruar ta kthejmë vëmendjen sërish nga vetja tek një proces që mund të na dëmtojë pariparueshëm nga brenda dhe ta lërë Kosovën pa institucione dhe potencialisht përballë zgjedhjeve të reja në vjeshtë”, tha Abdixhiku më 15 korrik përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetet sociale.

Abdixhiku, së bashku me ish-presidenten Vjosa Osmani, ishin takuar me Kurtin më 10 korrik, për çështjen e krijimit të institucioneve të reja. Ndonëse takimi nuk prodhoi ndonjë rezultat, Kurti dhe Abdixhiku pas takimit shprehën gatishmëri për vazhdimin e bisedimeve për një marrëveshje.

Seanca për konstituimin e legjislaturës së re është caktuar për 6 gusht dhe me konstituimin e organit ligjvënës nis edhe rrjedhja e afatit 60-ditor për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Pikërisht, mosarritja e konsensusit mes partive për presidentin muaj më parë nxiti zgjedhjet e qershorit.

Nëse Abdixhiku fiton votëbesimin në kuvendin e jashtëzakonshëm, atëherë ai do të vazhdojë të udhëheqë partinë. Nëse e humb, atëherë LDK-ja do të duhet të zgjedhë një udhëheqës të ri.

Por, sipas statutit të LDK-së, nëse kryetari i tanishëm shkarkohet, atëherë duhet të thirret një kuvend i ri brenda 60 ditësh, ku do të zgjidhej kryetari i ri.

Sipas statutit partiak, LDK-ja, në rast se e shkarkon Abdixhikun, do të duhej të thërriste një kuvend të ri brenda 60 ditësh për të zgjedhur kryetarin e ri.

Si erdhi situata deri këtu?

Pasi LDK-ja, që garoi me ish-presidenten Osmani si bartëse të listës zgjedhore, doli e treta në zgjedhjet e qershorit, brenda partisë filluan pakënaqësitë.

Në fund të muajit qershor, dy kryetarë komunash dhe disa drejtues degësh, publikisht kërkuan dorëheqjen e Abdixhikut, duke thënë se ai duhet të marrë përgjegjësinë për rezultatin zgjedhor dhe për mungesën e një rritjeje të ndjeshme në vota.

Abdixhiku u kundërpërgjigj, duke u bërë thirrje kritikëve që të jepnin dorëheqje.

Kjo s’është hera e parë që Abdixhiku përballet me thirrje për dorëheqje. Në janar, pas zgjedhjeve të mbajtura në fund të dhjetorit të vitit paraprak, ai vetë kërkoi votëbesimin e partisë dhe në kuvend mori mbështetjen e delegatëve.

Megjithatë, disa figura partiake që kërkuan dorëheqjen e tij, që nuk u pajtuan me votëbesimin dhanë dorëheqje nga pozitat partiake – në mesin e tyre edhe Hykmete Bajrami, që u dorëhoq nga posti i nënkryetares së partisë.

LDK është formuar më 1989 nga Ibrahim Rugova. Partia ka luajtur rol kyç në periudhën e rezistencës paqësore dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike të vendit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat