“E vodhën e grabitën Kosovën, tani nuk e pranojnë opozitën”, Dosti me akuza të forta ndaj PDK-së e AAK-së

Aktuale

“E vodhën e grabitën Kosovën, tani nuk e pranojnë opozitën”, Dosti me akuza të forta ndaj PDK-së e AAK-së

Nga: N.E Më: 17 gusht 2026 Në ora: 16:02
Ramush Haradinaj- Bedri Hamza

Publicisti Adriatik Riza Dosti ka reaguar me një shkrim të gjatë ndaj zhvillimeve të fundit politike në Kosovë, duke hedhur akuza të rënda ndaj Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), si dhe figurave të tyre politike.

Dosti pretendon se këto parti dhe liderët e tyre, sipas tij, për vite me radhë kanë përdorur luftën dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si simbol politik, ndërsa akuzon ish-pushtetarët për keqpërdorim dhe pasurim.

Në shkrimin e publikuar, ai përmend drejtues të PDK-së dhe AAK-së, përfshirë Bedri Hamzën e Ramush Haradinajn, duke i akuzuar se nuk e pranojnë rezultatin e zgjedhjeve dhe se nuk janë pajtuar me rolin e opozitës.

“Janë keta PDK-AAK dhe Bedri-Ramush e ata që ju shkojnë pas... që s’e njohin e s’e pranojnë dot votën e votuesit kosovar e s’e imagjinojnë dot të qenit në opozitë”, shkruan Dosti.

Ai kritikon edhe veprimet e fundit të opozitës në Kuvend, duke përmendur përplasjet fizike, gjuajtjet me vezë dhe letra, si dhe deklaratat e disa deputetëve. Në këtë kontekst, ai përmend edhe deputetë të PDK-së dhe AAK-së, duke i akuzuar se po veprojnë si “grup rebel” brenda Kuvendit.

Dosti shprehet kritik edhe ndaj qëndrimeve të opozitës për Listën Serbe dhe dialogun me Serbinë. Sipas tij, disa prej këtyre forcave politike kanë deklaruar se problemin kryesor e kanë me Lëvizjen Vetëvendosje dhe Albin Kurtin, e jo me Listën Serbe.

Në shkrim ai rikthen edhe çështje të së kaluarës politike, duke përmendur Gjykatën Speciale, dialogun Kosovë-Serbi dhe pretendimet për diskutime rreth ndryshimit të kufijve. Ai kritikon gjithashtu marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, duke ia atribuar përgjegjësinë Ramush Haradinajt.

Një pjesë e veçantë e reagimit i kushtohet zhvillimeve në veri të Kosovës. Dosti akuzon PDK-në dhe AAK-në se nuk kanë reaguar mjaftueshëm, sipas tij, ndaj çështjeve si sulmi terrorist në Banjskë, Ura e Ibrit, Manastiri i Deçanit dhe deklaratat e zyrtarëve serbë.

Ai kritikon edhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për qëndrimet e tij ndaj Kosovës dhe Serbisë, ndërsa shprehet i shqetësuar për deklaratat e presidentit serb Aleksandar Vuçiq lidhur me lumin Ibër.

Në fund, Dosti pretendon se opozita po e pengon funksionimin e institucioneve të Kosovës.

“Ja pra këta janë ata, oj Kosovë, që nuk duan as të konstituohet parlamenti, as të krijohet qeveria, as të zgjidhet presidenti e as të shkojë përpara Kosova”, shkruan ai.

Reagimi i plotë:

Janë pikërisht këta që, në emër të luftës, të UÇK-së dhe të flamurit të saj, për vite me radhë e vodhën dhe e grabitën Kosovën e popullin e saj, duke e lënë atë ndër vendet më të varfra në Evropë.

Janë pikërisht këta që sot ngasin makina luksoze, jetojnë në “Marigona Hills” e në vila përrallore dhe janë pronarë biznesesh, madje edhe bashkëpronarë me biznesmenë serbë.

Janë këta, PDK- AAK, Bedri-Ramush dhe ata që u shkojnë pas, që nuk e njohin dhe nuk e pranojnë dot votën e votuesit kosovar dhe nuk e imagjinojnë dot veten në opozitë, sepse janë mësuar të jenë jetë e mot në pushtet, por edhe e dinë fort mirë se çfarë i pret kur bien nga pushteti.

Janë po këta, oj Kosovë, që po të lodhin, po të pengojnë, po të sabotojnë, po të vënë gurë nën rrota dhe po të çojnë pa bereqet nga zgjedhjet në zgjedhje, sepse atyre nuk u interesojnë zgjidhjet, por vetëm kaosi dhe zgjedhjet, edhe pse e dinë se janë humbës.

Janë po këta që, me cubin – Lushtaku në krye, u thyejnë gota në kokë kundërshtarëve të tyre politikë, madje edhe i kërcënojnë me jetë.

Janë po këta që deklarojnë publikisht: “S’kemi punë hiç me Listën Serbe... problemin e kemi me LVV-në e Kurtin.”

Janë po këta që e krijuan dhe e votuan dje Gjykatën Speciale dhe sot ankohen se po u ha kokën.

Janë po këta që dje, me Thaçin e Batonin në krye, bënin pazare të pista me Vuçiqin, Macronin e Ramën për ndarjen e territoreve të Kosovës.

Janë po këta që, me “trimin” Ramush në ballë, i falnin Malit të Zi toka e troje të Kosovës.

Janë po këto femra, të cilat, për fat të keq, janë edhe deputete të Kosovës, si Gania, Bytyçi, Çitaku, Timja etj., që, të instruktuara mirë nga Hamza e Ramushi, sot kanë marrë rolin e “grupit rebel” dhe po e kallin Kuvendin, duke gjuajtur me vezë, me topa letrash, duke u përleshur fizikisht e deri duke kërcënuar edhe me luftë (???).

Wauuuu!

Janë po këta që, me mburrje, deklarojnë se më parë e më mirë merren vesh me Listën Serbe e Radoiçiqin sesa me LVV-në e Kurtin.

Janë po këta që turpshëm heshtën për sulmin terrorist të Banjskës.

Janë po këta që së fundmi nuk thanë asnjë fjalë për Urën e Ibrit dhe Manastirin e Deçanit, për të cilat tashmë përgjegjësinë e ka marrë qeveria dhe shteti i Kosovës.

Asnjë fjalë prej tyre as për kërcënimet publike ndaj Kosovës nga zyrtarë të lartë serbë, duke filluar nga Vuçiqi, Daçiqi, Gjuriqi e deri te ministrja fashiste Paunoviq.

Asnjë fjalë prej tyre për qëndrimet e vazhdueshme antikosovare dhe proserbe të kryeministrit të Shqipërisë – Ramovicit.

Asnjë fjalë dhe asnjë qëndrim prej tyre për krimin e rëndë që ka ndërmend të bëjë Vuçiqi, duke kërcënuar me devijimin e rrjedhës së lumit Ibër.

Ja pra, këta janë ATA, oj Kosovë, që nuk duan as të konstituohet Parlamenti, as të krijohet Qeveria, as të zgjidhet Presidenti e as të shkojë përpara Kosova.

Dhe jo pa qëllim e jo krejt rastësisht, joooo... Pasi i kanë bërë duart pis e zhul ndaj teje, tash duhet të përgjigjen, oj Kosovë, e ti, o popull i saj.

Dhe të mos gënjehet mendja askujt se Hamzave e Ramushëve, Timeve e Ganave po u dhimbseni ju. Jo, or jo!

 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat