Trupi gjykues: Veseli ishte anëtar kyç në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal
Trupi gjykues konstatoi se Kadri Veseli dha kontribut në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal dhe ishte anëtar kyç në realizimin e tij.
Sipas gjykatësit Charles Smith, Veseli veproi së bashku me të akuzuarit e tjerë në zbatimin e këtij qëllimi.
Trupi gjykues: Thaçi kishte dijeni për krimet
Trupi gjykues konstatoi se Hashim Thaçi kishte dijeni për një numër të konsiderueshëm krimesh të kryera kundër personave të konsideruar kundërshtarë.
Sipas gjykatësit Smith, pavarësisht kësaj dijenieje, Thaçi nuk ndërmori hapa për parandalimin apo ndëshkimin e krimeve.
Trupi gjykues konstatoi se, përkundrazi, ai mori pjesë personalisht në krime.
Smith tha gjithashtu se Thaçi përhapi ose ndihmoi në përhapjen e informacioneve të rreme për krimet, duke kontribuar në politikën e pandëshkueshmërisë.
Trupi gjykues: Të akuzuarit vepruan së bashku për një qëllim të përbashkët kriminal
Trupi gjykues tha se përgjegjësia e katër të akuzuarve është individuale, por konstatoi se ata vepruan së bashku dhe arritën marrëveshje për një qëllim të përbashkët kriminal.
Sipas gjykatësit Smith, ata ngritën bashkërisht objekte ndalimi, u caktuan personave të tjerë role dhe pozita për realizimin e këtij qëllimi dhe lëshuan komunikata përmes të cilave përhapnin qëndrimet dhe politikat e tyre.
Trupi gjykues konstatoi gjithashtu se të akuzuarit siguruan pandëshkueshmëri të plotë për kryesit e krimeve.
Gjykatësi Charles Smith po paraqet konstatimet e trupit gjykues lidhur me akuzën për vrasje të paligjshme si krim lufte.
Trupi gjykues: U vërtetuan trajtimi mizor dhe tortura
Trupi gjykues konstatoi se Zyra e Prokurorit të Specializuar arriti të vërtetojë kryerjen e krimeve të luftës të trajtimit mizor dhe torturës ndaj disa personave në Kosovë dhe në dy qarqe të Shqipërisë.
Trupi gjykues përshkruan keqtrajtimin dhe pasojat afatgjata
Trupi gjykues konstatoi se disa të ndaluarve u ishin shkulur thonjtë dhe u ishin thyer gjymtyrët gjatë keqtrajtimit.
Sipas gjykatësit Smith, disa prej tyre vazhdojnë të kenë dhimbje ose nuk janë në gjendje të ecin edhe sot.
Shumë dëshmitarë, tha Smith, kanë treguar për pasoja afatgjata të keqtrajtimit, përfshirë depresionin dhe problemet me gjumin.
Trupi gjykues: Të ndaluarit u rrahën dhe iu shkaktuan vuajtje psikologjike
Trupi gjykues konstatoi se shumë të ndaluar ishin rrahur deri në atë masë sa nuk ishin në gjendje të qëndronin në këmbë, ndërsa disa kishin humbur jetën si pasojë e rrahjeve nga pjesëtarë të UÇK-së.
Sipas gjykatësit Smith, të ndaluarve u ishin shkaktuar gjithashtu vuajtje psikologjike.
Smith: Incidentet pas 20 qershorit 1999 nuk mund të cilësohen si krime lufte
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë konstatuar se incidentet mbi të cilat bazohen akuzat për krime lufte, të cilat kanë ndodhur pas 20 qershorit 1999, nuk mund të cilësohen si krime lufte.
Kryegjykatësi Charles Smith, gjatë leximit të vendimit, tha se këto incidente kanë ndodhur pas përfundimit të konfliktit të armatosur ndërmjet UÇK-së dhe forcave serbe dhe në një periudhë kur, sipas trupit gjykues, normat përkatëse nuk zbatoheshin më ndaj personave në fjalë.
“Në vijim të këtij konstatimi, trupi gjykues arriti në përfundimin se incidentet mbi të cilat bazohen akuzat për krime lufte, të cilat filluan pas 20 qershorit 1999, pra pas përfundimit të konfliktit të armatosur midis UÇK-së dhe forcave serbe... dhe pasi normat nuk zbatoheshin më për personat në fjalë, nuk mund t’i cilësojmë si krime lufte”, tha Smith.
Gjykatësi Charles Smith po vazhdon të paraqesë konstatimet e trupit gjykues për krimet e pretenduara në aktakuzë.
Trupi gjykues: U vërtetua arrestimi i paligjshëm i së paku 385 personave
Trupi gjykues ka konstatuar se Zyra e Prokurorit të Specializuar arriti të vërtetojë se ishte kryer krimi i luftës i arrestimit të paligjshëm ndaj së paku 385 personave.
Gjykatësi Charles Smith po vazhdon të paraqesë konstatimet e trupit gjykues për krimet e pretenduara në aktakuzë.
Rrëzohet akuza për krime kundër njerëzimit ndaj katërshes së UÇK-së
Gjykata Speciale ka konstatuar se nuk ka pasur krime lufte pas 20 qershorit 1999.
Në këtë mënyrë, akuza për krime kundër njerëzimit ka rënë ndaj të katër ish-krerëve të UÇK-së.
“Lidhur me ekzistencën e një sulmi të përhapur kundër popullatës civile si kusht për krime kundër njerëzimit, Trupi gjykues konstatoi se ZPS-ja nuk ka arritur të vërtetojë se ishte kryer ky sulm i përhapur gjerësisht kundër popullatës civile”, ka thënë kryetari i trupit gjykues.
Fjala hyrëse e gjykatësit Smith: Çështja s’ka të bëjë me legjitimitetin e UÇK për Kosovën e pavarur, por me veprimet e të akuzuarve
Gjyqtari Charles Smith në hapje të seancës ku do të jepet vendimi për ish-krerët e UÇK’së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, tha se kjo çështje gjyqësore nuk ka të bëjë me legjitimitetin e UÇK’së dhe qëllimet e saj për pavarësimin e Kosovës.
“Ka të bëjë me veprimet dhe sjelljen e të akuzuarve. Ka të bëjë vetëm me fakte dhe rrethana që lidhen me akuzat kundër të akuzuarve. Kjo cështje s’ka të bëj me legjitimitetin e UCK’së dhe synimin e saj për një Kosovëe të pavarur.
Nuk ka të bëjë me vlerësimin e përgjegjësive të njërës palë kundër palës tjetër. Nuk ka të bëjë me krime që forcat dhe paramilitarët serbë kanë kryer kundër shqiptarëve të Kosovës. Kjo cështje s’ka të bëjë me kurrfarë pretendimi për vetëmbrojtje”.
Trupi gjykues që po shqipton aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit kryesohet nga gjykatësi Charles Smith.