Verdikti në Hagë – trupi gjykues: Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi vepruan së bashku për një qëllim të përbashkët kriminal

Aktuale

Verdikti në Hagë – trupi gjykues: Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi vepruan së bashku për një qëllim të përbashkët kriminal

Nga: bota sot Më: 15 shtator 2026 Në ora: 23:21 Përditësuar në ora: 10:28 më 16.09.2026
Legjenda: Pamje nga seanca në Hagë, ku ka nisur shpallja e aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Smith përmbledh rrjedhën e gjykimit

Gjykatësi Charles Smith po bën një përmbledhje të shkurtër të rrjedhës së procesit gjyqësor ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.

Gjykimi në këtë rast nisi më 3 prill 2023 dhe, pas më shumë se tre vjetësh, ka mbërritur sot në fazën e shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë.

“Në emër të popullit, aktgjykimi shqiptohet në prani të Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit”

Në seanën që po zhvillohet në Hagë u tha se aktgjykimi në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të shqiptohet publikisht, në emër të popullit të Kosovës.

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith u shpreh se shqiptimi i aktgjykimit po bëhet në prani të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Seanca po ndiqet me vëmendje të madhe, ndërsa vendimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë pritet të përcaktojë epilogun e procesit gjyqësor ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.

"Ky aktgjykim shqiptohet publikisht në emer të popullit të Kosovës dhe në prani të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe të Jakup Krasniqit", deklaroi Smith.

Charles Smith kryeson trupin gjykues

Trupi gjykues që po shqipton aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit kryesohet nga gjykatësi Charles Smith.

Ai po lexon profilet që kishin katër të akuzuarit gjatë periudhës 1998/99 dhe pretendimet e Prokurorisë në lidhje me ta.

Nis seanca për shpalljen e aktgjykimit

Në këto çaste, në Dhomat e Specializuara në Hagë ka nisur seanca për shpalljen e aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Për shkak të vonesës prej 10 minutash në transmetimin publik, pamjet nga salla e gjyqit pritet të bëhen të qasshme nga ora 10:10.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi - të gjithë figura të larta të Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës gjatë luftës së viteve 1998 dhe 1999 - ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, kur u bë publike aktakuza kundër tyre.

Ajo përfshin gjashtë pika për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë, si dhe katër pika për krime lufte: arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje.

Në atë dosje, katërshja përshkruhet si pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”, që synonte marrjen dhe ushtrimin e kontrollit përmes frikësimit, keqtrajtimit dhe largimit të kundërshtarëve.

Viktimat e tyre, sipas aktakuzës, përfshinin serbë, romë dhe shqiptarë që nuk mbështesnin UÇK-në.

Qytetarë të shumtë në sheshin “Skënderbeu” në pritje të verdiktit të Hagës

Qytetarë të shumtë janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në pritje të shpalljes së verdiktit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Qytetarët kanë me vete flamuj të UÇK-së, ndërsa shprehen me shpresë e besim që vendimi i sotëm të jetë në favor të ish-krerëve të UÇK-së.

Seanca përfundimtare në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku do të shpallet verdikti i shkallës së parë nis në orën 10:00.

Transmetimi televiziv jepet 10 minuta me vonesë.

Edhe 10 minuta deri në nisjen e seancës

Edhe rreth 10 minuta kanë mbetur deri në nisjen e seancës në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku do të shqiptohet aktgjykimi i shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Seanca nis në orën 10:00, ndërsa transmetimi publik në ueb-faqen e Dhomave të Specializuara do të nisë 10 minuta më vonë.

Self para verdiktit: Anshmëria politike të mos ketë vend në Hagë

Kongresisti amerikan, Keith Self, shprehu shqetësim për atë që ai e konsideron ndikim të anshmërisë politike në vendimmarrjen e institucioneve të drejtësisë në Hagë, pak para shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

“Një temë e vazhdueshme që duket se po del nga Haga, është lejimi i anshmërisë politike që të ndikojë në vendimet e saj”, shkroi Self në X.

Ai shfaqi shpresën që, sipas tij, një anshmëri e tillë të mos shfaqet gjatë shpalljes së vendimit në rastin ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.

Self, i cili kryeson Nënkomisionin për Evropën në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, e lidhi çështjen edhe me situatën më të gjerë në rajon, duke e përshkruar Ballkanin si një “fuçi baruti”.

Sipas tij, në rajon ka regjime shtypëse që do të preferonin të nxisnin ndarje, në vend se të punonin drejt pajtimit.

Sa i kushtoi Kosovës mbrojtja e të akuzuarve në Hagë?

Mbi 40.6 milionë euro janë paguar nga buxheti i Kosovës për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar para Dhomave të Specializuara në Hagë. Pjesa më e madhe e kësaj shume – rreth 39.8 milionë euro – është shpenzuar për mbrojtjen juridike, sipas të dhënave që Ministria e Drejtësisë e Kosovës ia ka dërguar Radios Evropa e Lirë.

Vetëm për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin janë paguar mbi 28.4 milionë euro nga viti 2021 deri më 14 shtator 2026. Të dhënat bëhen publike në prag të 16 shtatorit, kur katër ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pritet të dëgjojnë aktgjykimin, pas më shumë se tre vjetësh gjykim. Të katërt, që mbahen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata i kanë mohuar akuzat dhe janë deklaruar të pafajshëm.

Mbi 28 milionë euro për katër të akuzuarit

Sipas Ministrisë së Drejtësisë, nga fillimi i pagesave deri më 14 shtator 2026, nga buxheti i Kosovës janë paguar mbi 40.6 milionë euro në kuadër të mbështetjes për personat e akuzuar para Dhomave të Specializuara. Prej kësaj shume, rreth 39.8 milionë euro janë shpenzuar për mbrojtjen juridike. Vetëm për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin janë paguar gjithsej rreth 28.47 milionë euro në periudhën 2021-2026.

Sa para u ndanë nga buxheti?

Kosova e ka marrë përsipër me ligj mbështetjen financiare të personave të akuzuar ose potencialisht të akuzuar nga Dhomat e Specializuara, përfshirë mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes dhe formave të tjera të mbështetjes të përcaktuara me ligj. Sipas Ministrisë së Drejtësisë, për vitet 2020 dhe 2021 së bashku ishin ndarë 14.14 milionë euro për zbatimin e këtij ligji.

Në vitin 2022 u ndanë 6.85 milionë euro, në vitin 2023 – 7 milionë, ndërsa në vitin 2024 – 6.85 milionë euro. Për vitet 2025 dhe 2026 janë ndarë nga 8.05 milionë euro. Këto ndarje arrijnë në rreth 50.95 milionë euro për periudhën 2020-2026.

Ministria nuk ka dhënë në përgjigjen e saj shifra për vitet para vitit 2020, ndonëse Radio Evropa e Lirë ka kërkuar të dhëna për secilin vit nga viti 2015. Të dhënat e buxheteve të Kosovës, të mbledhura nga Radio Evropa e Lirë, tregojnë se ndarjet për këtë qëllim, për periudhën 2018-2026, arrijnë mbi 60 milionë euro. Ministria e Drejtësisë thotë se aktualisht nuk ka detyrime të papaguara ndaj avokatëve apo përfituesve të tjerë në kuadër të këtij programi.

Pagesat auditohen, por raporti nuk është publik

Shpenzimet për mbrojtjen në Hagë i nënshtrohen auditimit nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), por rezultatet e këtij auditimi nuk janë të qasshme për publikun. Në raportet e auditimit të Ministrisë së Drejtësisë, ZKA-ja ka sqaruar se pagesat nga subvencionet dhe transferet për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave potencialisht të akuzuar janë të klasifikuara në nivelin “i kufizuar”. Për këtë arsye, ato nuk përfshihen në raportin publik të auditimit të Ministrisë. ZKA-ja thotë se këto pagesa auditohen ndaras dhe se për to përgatitet raport i posaçëm, i cili u komunikohet vetëm palëve përgjegjëse.

Kërkesa për më shumë transparencë

Ndonëse të dhënat nga Ministria e Drejtësisë japin një pasqyrë të detajuar të shpenzimeve për katër të akuzuarit, organizatat që kanë monitoruar këtë çështje, thonë se transparenca për përdorimin e këtyre mjeteve ka qenë problem ndër vite.

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, thotë se ky institut ka ngritur që nga viti 2020 shqetësime për mungesën e informatave rreth mënyrës se si shpenzohen paratë publike për mbrojtjen në Hagë.

“Jo rrallëherë kemi parë edhe politizim të partisë në pushtet lidhur me shpenzimet e mbrojtjes, duke publikuar shumat totale për të gjithë të pandehurit, duke ndërtuar jo rrallëherë dhe narrativin sikur shteti po shpenzon miliona euro për të njëjtit”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Sipas Miftarajt, publiku duhet të dijë jo vetëm shumën totale, por edhe sa është paguar për secilin të akuzuar dhe cilat kategori shërbimesh janë mbuluar – pa cenuar konfidencialitetin e mbrojtjes.

Edhe Anton Nrecaj, drejtor në Qendrën për Ndihmë Juridike dhe Zhvillimin Rajonal (CLARD), thotë se duhet bërë dallim i qartë mes buxhetit të ndarë dhe parave të shpenzuara realisht.

“Janë publikuar disa shuma individuale, por jo të gjitha të dhënat janë të plota. Publiku duhet të dijë shumën, periudhën, kategorinë dhe bazën e pagesës, pa cenuar konfidencialitetin e mbrojtjes”, thotë Nrecaj për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, transparenca duhet të mundësojë edhe verifikimin nëse pagesat janë bërë në përputhje me ligjin, tarifat dhe kompleksitetin e rasteve.

Çfarë paguan shteti?

Baza për financimin nga shteti u krijua në vitin 2015, kur, krahas Ligjit për Dhomat e Specializuara, Kuvendi i Kosovës miratoi edhe Ligjin për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave potencialisht të akuzuar në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara. Ligji u garanton personave që përfshihen në këtë kategori mbështetje financiare për mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes, si dhe forma të tjera të mbështetjes të përcaktuara me ligj dhe akte nënligjore.

Ministria e Drejtësisë thotë se shpenzimet për mbrojtjen realizohen në bazë të Udhëzimit Administrativ MD 08/2022 për mbrojtjen juridike të personave potencialisht të akuzuar, të ndryshuar dhe plotësuar në vitin 2024. Shpenzimet për vizitat e familjarëve mbulohen në bazë të një udhëzimi tjetër administrativ, të miratuar në vitin 2020 dhe të ndryshuar në vitin 2022.

Sipas rregullave në fuqi, një person i akuzuar mund të vizitohet, me mbështetje financiare, nga më së shumti 12 anëtarë të ngushtë të familjes brenda një viti dhe jo më shumë se tre anëtarë të familjes për një vizitë.

Dhomat e Specializuara u themeluan në vitin 2015 në bazë të ligjeve të Kosovës, por selinë e kanë në Hagë dhe përbëhen nga gjykatës dhe prokurorë ndërkombëtarë.

Ato trajtojnë pretendime për krime të kryera gjatë dhe pas luftës së viteve 1998-1999, të lidhura me ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kompensimi në rast të vendimit të pafajësisë

Ligji dhe një udhëzim administrativ i Ministrisë së Drejtësisë parashohin kompensim për personat e akuzuar para Dhomave të Specializuara që shpallen të pafajshëm me vendim të plotfuqishëm. Udhëzimi përcakton se e drejta për kompensim për periudhën e privimit nga liria u takon personave ndaj të cilëve është ngritur aktakuzë dhe është zhvilluar procedurë gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, nëse ata shpallen të pafajshëm me vendim të plotfuqishëm.

Përveç periudhës së privimit nga liria, udhëzimi rregullon edhe kompensimin për dëmin material ose fitimin e humbur, si dhe dëmin jomaterial ose moral. mUdhëzimi nuk përcakton një shumë fikse të kompensimit për çdo ditë të kaluar në paraburgim nga një i akuzuar para Dhomave të Specializuara. Miftaraj thotë se, sipas rregullave dhe praktikës që përdoren për kompensimin e privimit nga liria, shuma ndryshon varësisht nga mënyra se si trajtohet kërkesa dhe rrethanat e rastit.

“Sipas rregulloreve të brendshme të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, referenca administrative për një ditë privim nga liria në mënyrë të kundërligjshme është deri në 25 euro për ditë. Ndërsa praktika gjyqësore, në rastet kur palët e kanë dërguar rastin e tyre deri në gjykatë, ka shkuar nga 30 deri në 60 euro dita, varësisht nga rrethanat e rastit”, shpjegon Miftaraj.
Me aktgjykimin e 16 shtatorit, procesi ndaj katër ish-udhëheqësve të UÇK-së mund të hyjë në një fazë të re. Të dyja palët do të kenë mundësi apelimi, ndërsa ligji parasheh mbështetje financiare edhe gjatë vazhdimit të procedurave gjyqësore./REL

Konjufca: Ne presim vetëm një vendim-aktgjykim lirues

Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka folur në ditën kur në Hagë pritet të shpallet aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

“...Ne presim vetëm një vendim - aktgjykim lirues”, është shprehur Konjufca.

Konjufca pritet ta ndjekë nga afër shpalljen e aktgjykimit në Hagë. Bashkë me të, në Dhomat e Specializuara pritet të jetë edhe ministri për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti. Të dy zyrtarët do ta përcjellin seancën nga galeria e Dhomave të Specializuara.

Çështja ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit lidhet me akuzat e Prokurorisë së Specializuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë dhe pas luftës së Kosovës. Të katër të akuzuarit i kanë mohuar akuzat.

Edhe një orë deri në nisjen e seancës

Edhe një orë ka mbetur deri në nisjen e seancës në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku do të shqiptohet aktgjykimi i shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Seanca pritet të nisë në orën 10:00, ndërsa transmetimi publik në ueb-faqen e Dhomave të Specializuara do të bëhet me 10 minuta vonesë.

Për çfarë akuzohen Thaçi dhe të tjerët?

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi - të gjithë figura të larta të Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës gjatë luftës së viteve 1998 dhe 1999 - ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, kur u bë publike aktakuza kundër tyre.

Ajo përfshin gjashtë pika për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë, si dhe katër pika për krime lufte: arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje.

Në atë dosje, katërshja përshkruhet si pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”, që synonte marrjen dhe ushtrimin e kontrollit përmes frikësimit, keqtrajtimit dhe largimit të kundërshtarëve.

Viktimat e tyre, sipas aktakuzës, përfshinin serbë, romë dhe shqiptarë që nuk mbështesnin UÇK-në.

Së paku 102 persona dyshohet se u vranë, ndërsa më shumë se 20 mbeten të zhdukur.

Prokuroria pretendon gjithashtu se të akuzuarit, për shkak të pozitave të tyre drejtuese, mbajnë përgjegjësi edhe për krimet e kryera nga vartësit e tyre.

Të katër të akuzuait janë deklaruar të pafajshëm për akuzat.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat