Verdikti në Hagë – trupi gjykues: Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi vepruan së bashku për një qëllim të përbashkët kriminal

Aktuale

Verdikti në Hagë – trupi gjykues: Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi vepruan së bashku për një qëllim të përbashkët kriminal

Nga: bota sot Më: 15 shtator 2026 Në ora: 23:21 Përditësuar në ora: 08:33 më 16.09.2026
Legjenda: Pamje nga seanca në Hagë, ku ka nisur shpallja e aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Thirrje për vigjilencë

Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Britania e Madhe u kanë bërë thirrje shtetasve të tyre në Kosovë që të tregojnë vigjilencë më 16 shtator, ditën e shpalljes së aktgjykimit ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.

Ambasada amerikane u ka rekomanduar shtetasve të saj të shmangin zonat ku mund të ketë demonstrata, ndërsa personelit të saj i është kërkuar që këtë ditë të mos i dërgojë fëmijët në shkollë.

Franca u ka bërë thirrje shtetasve të saj të qëndrojnë larg tubimeve dhe të shmangin udhëtimet jo të domosdoshme.

Britania e Madhe, ndërkaq, ka paralajmëruar për tubime të mëdha dhe pengesa të mundshme në qarkullim.

Qindra shqiptarë mblidhen në Hagë dhe Kosovë në prag të verdiktit

Në prag të shpalljes së aktgjykimit, qindra shqiptarë janë mbledhur mbrëmjen e së martës pranë selisë së Dhomave të Specializuara në Hagë, në mbështetje të Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.

Tubime janë mbajtur edhe në Kosovë, përfshirë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë dhe në Skenderaj.

Pjesëmarrësit kanë valëvitur flamuj të Kosovës dhe të Shqipërisë, si dhe kanë mbajtur pankarta e fotografi të ish-krerëve të UÇK-së.

Sot shpallet aktgjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Dhomat e Specializuara të Kosovës, të njohura si Gjykata Speciale, me seli në Hagë, sot do ta shpallin aktgjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Seanca në Hagë do të nisë në orën 10:00, ndërsa në Kosovë transmetimi i deklarimit në sallën e gjyqit do të bëhet me 10 minuta vonesë. Sipas njoftimit të Speciales, seanca pritet të zgjasë rreth dy orë.

Nga Qeveria e Kosovës, në Hagë për ta përcjellë seancën pritet të jenë zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, si dhe ministri për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti.

Aktgjykimi do të shpallet pas një procesi gjyqësor që zgjati rreth gjashtë vjet. Katër ish-krerët e UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Prokuroria pretendon se ata kishin autoritet të mjaftueshëm për të marrë pjesë në një plan të përbashkët kriminal. Në anën tjetër, mbrojtja argumenton se UÇK-ja ishte një forcë guerile e decentralizuar dhe se pushteti real shpesh ishte në nivel lokal.

Pritja për aktgjykimin ka nisur që dje në Hagë edhe në Prishtinë. Qytetarë të shumtë janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu”, ku kanë kaluar natën për ta pritur vendimin e sotëm, i cili pritet të jetë një vendim tejet i rëndësishme për vendin.

Dita e verdiktit: Kosova dhe mërgata me sytë nga Haga

Pak orë e ndajnë Kosovën nga një prej vendimeve gjyqësore më të pritura dhe më të ndjeshme në historinë e saj të pasluftës.

Të mërkurën, më 16 shtator, në orën 10:00, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të fillojnë shpalljen e aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Seanca do të jetë publike dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në gjuhën shqipe, angleze dhe serbe përmes faqes zyrtare të Dhomave të Specializuara. Sipas informacioneve të publikuara në prag të seancës, leximi i aktgjykimit është planifikuar të zgjasë rreth dy orë, përkatësisht deri afërsisht në mesditë.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se gjatë seancës do të lexohet i gjithë dokumenti. Në procese të kësaj natyre, kryetari i Trupit Gjykues zakonisht paraqet një përmbledhje të gjetjeve kryesore, pastaj shpall vendimin për secilën pikë të aktakuzës dhe për secilin të akuzuar.

Aktgjykimi që shpallet nesër është i shkallës së parë. Pavarësisht përmbajtjes së tij, palët do të kenë të drejtën e ankimit.

Qindra shqiptarë në Hagë

Qytetarë nga Kosova dhe vende të ndryshme të Evropës kanë arritur gjatë së martës në Hagë. Në pamjet e publikuara nga vendi i ngjarjes shihen flamuj kombëtarë shqiptarë, flamuj të Kosovës dhe simbole të UÇK-së.

Disa prej pjesëmarrësve kanë paralajmëruar se do ta kalojnë natën në qiell të hapur pranë ndërtesës së Gjykatës, në pritje të shpalljes së vendimit. Përfaqësues të organizatave të dala nga lufta kanë thënë se në Hagë priten qytetarë nga Kosova dhe diaspora.

Policia holandeze ka shtuar praninë përreth objektit dhe u ka kërkuar qytetarëve të respektojnë hapësirat e përcaktuara të sigurisë. Deri në orët e mbrëmjes nuk është raportuar për incidente serioze.

“Nata e Pritjes” edhe në Prishtinë

Atmosferë e ngjashme është krijuar edhe në kryeqytetin e Kosovës. Në Prishtinë është ndezur “Flaka e Lirisë”, ndërsa para ekranit të madh me portretet e Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit janë mbledhur qytetarë që presin aktgjykimin.

Disa prej tyre kanë paralajmëruar se do të qëndrojnë në shesh gjatë gjithë natës. Pikërisht në këtë hapësirë pritet që qytetarët ta ndjekin së bashku transmetimin e seancës nga Haga.

Aktivitete mbështetëse janë mbajtur ose paralajmëruar edhe në Skenderaj, Mitrovicë dhe qytete të tjera. Në Shkup është organizuar marsh në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa reagime kanë ardhur edhe nga përfaqësues politikë në Shqipëri dhe nga organizime të diasporës.

Familjarë dhe përfaqësues politikë udhëtojnë drejt Hagës

Në Hagë kanë udhëtuar edhe familjarë të të akuzuarve. Ish-deputeti Abelard Tahiri publikoi pamje gjatë udhëtimit së bashku me Endrit Thaçin, djalin e Hashim Thaçit.

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka bërë të ditur nga Haga se është atje në pritje të vendimit. Është paralajmëruar gjithashtu prania e Glauk Konjufcës, ndërsa drejt Hagës kanë udhëtuar përfaqësues të organizatave të luftës, ish-luftëtarë, aktivistë dhe qytetarë nga diaspora.

Lista e plotë e personaliteteve dhe familjarëve që do të lejohen brenda sallës nuk është bërë publike. Hapësira në galerinë e Gjykatës është e kufizuar dhe hyrja u lejohet vetëm personave që janë regjistruar paraprakisht dhe kanë marrë konfirmim zyrtar.

Çfarë do të vendosë Gjykata?

Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi përballen me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit dhe katër akuza për krime lufte. Akuzat përfshijnë, ndër të tjera, përndjekje, burgosje, torturë, vrasje të paligjshme dhe zhdukje me forcë.

Sipas Prokurorisë, veprat e pretenduara janë kryer në disa vende në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë, nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999.

Të katër të akuzuarit i kanë mohuar akuzat dhe janë deklaruar të pafajshëm.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023. Gjatë procesit dëshmuan 134 dëshmitarë: 125 të thirrur nga Prokuroria, dy nga mbrojtësi i viktimave dhe shtatë nga ekipet e mbrojtjes. Në proces morën pjesë 156 viktima të pranuara nga Gjykata. Paraqitja e provave përfundoi në dhjetor të vitit 2025, ndërsa deklaratat përmbyllëse u mbajtën në shkurt të vitit 2026.

Sytë drejt orës 10:00

Pritjet e familjarëve dhe mbështetësve janë për një vendim lirues, por përmbajtja e aktgjykimit nuk dihet para se të shpallet nga Trupi Gjykues.

Për këtë arsye, orët e fundit para vendimit po kalojnë mes shpresës, ankthit dhe mobilizimit qytetar. Në Hagë, Prishtinë, trojet shqiptare dhe diasporë, vëmendja tashmë është përqendruar në një moment: ora 10:00 e 16 shtatorit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat